Një bust për Hamit Dollanin, ashtu si ai i Mujo Ulqinakut

Dita

Nga momenti që ne nuk do të flasim për përpjekjet e popullit tonë për liri, nga ai çast që ne nuk do t’i kujtojmë e nuk do t’i nderojmë ata që dhanë jetën, që derdhën gjak për mbrojtjen e trojeve, të kësaj Shqipërie që kemi sot, atëherë duhet të pranojmë se i kemi braktisur, i kemi harruar. Por harresa në kësi rastesh është më e rëndë se gabimi, është faj që duhet ndëshkuar. E di pse? Sepse kësaj i thonë të duash të harrosh atë që e ka vendin në kujtesën jo të një individi, por të një kombi të tërë.

Në këtë çka po them është fjala për një njeri të thjeshtë, por me histori të madhërishme, për Hamit Liko Dollanin nga fshati Jançë i Gramshit, dëshmorin e parë të Luftës së Dytë Botërore për Evropën Juglindore. Një lexues i mirinformuar dhe njohës i historisë së luftës me të drejtë do të më kundërshtojë e do të më qortojë, duke përdorur argumentin, tashmë të njohur nga të gjithë shqiptarët, se dëshmori i parë që ra në përpjekje me pushtuesit italianë më 7 prill të vitit 1939 është Heroi i Popullit Mujo Ulqinaku. Sigurisht nuk kam ndërmend të “guxoj” për të ndryshuar e korrigjuar historinë, atë që kemi njohur e nderuar deri më sot, por nisur nga dëshira e mirë për t’i evidentuar e thënë gjërat ashtu si kanë ngjarë, shpresoj se duke sjellë fakte e argumente bindëse për një luftëtar të lënë relativisht “pas dore”, krenaria jonë si atdhedashës rritet sepse e sjellim historinë në sy të brezave ashtu siç është në të vërtetë.

Po cili është, ç’histori jete ka Hamit Dollani i Jançës së Gramshit?

Kam dëgjuar se një jetë me peripeci, një jetë me vuajtje e mundime e bën njeriun më të fortë, ia bën karakterin shkëmb të pa thërrmueshëm. Për Hamit Dollanin jeta paskësh filluar e vështirë, si e shumicës së personazheve që arrijnë t’u jenë mirënjohës kohërave të mundimshme të cilat tregojnë realisht sesa i fortë mund të jesh. Ai mbeti jetim, mbeti pa nënë, pa mbushur ende 7 vjeç. Por, ashtu si e dimë të gjithë nga përvoja, suksesi është triumf i këmbënguljes.
Hamitit të vogël iu desh “të poshtërojë” mungesën e hapësirës për të arritur të mbijetonte, të mund të mposhtte fukarallëkun dhe mjerimin e jetës në fshat, në Jançë. Sapo kish mbushur 12 vjeç iu desh “të emigronte” në fshatrat e Korçës, të punonte tek një sipërmarrës që menaxhonte disa furra për prodhimin e gëlqeres. Djaloshi me zemër të florinjtë e me shpirtin shpuzë prej artisti, për ata 6 vjet që qëndroi aty mundi të mësonte të përgatiste jo vetëm gëlqere, atë lëndë të ngurtë, e cila pasi përzihej me ujë e përdornin zonjat korçare për të mbajtur të bardha sokakët e qytetit, por edhe të mësonte shkrim e këndim, edhe të mësonte të përdorte bukur atë veglën magjike me të cilën shoqëronin këngët e serenatat korçare, fizarmonikën. Jam ndjerë mirë, madje i emocionuar kur mësova se fizarmonika që shoqëroi këngët, ajo vegël që u vu në lëvizje nga gishtërinjtë e dëshmorit Hamit Dollani, ndodhet në Muzeun Historik të qytetit të Gramshit.

Dashuria s’ka dëshirë tjetër veç të vetëpërmbushet. Djaloshi Hamit Dollani, të cilin qershori i vitit 1924 e gjeti ushtar në qytetin e Shkodrës, u bë pjesë e kryengritjes së armatosur për përmbysjen e qeverisë së Ahmet Zogut. Edhe pse ai ishte fare i ri në moshë, intuita i dha drejtimin progresist, sinjalin për të qenë në krah të inteligjencës, në krah të Viganit Liberator, shkodranit Luigj Gurakuqi dhe patriotit Fan Noli. Këtë fakt, në rrjedhën e jetës të këtij të riu gramshiot, e sjellim për të konkluduar se fundi në formimin e njeriut varet nga fillimi, se është durimi ai që ripërmason të pamundurën në të mundur.

Nuk ka qëllim të madh pa sakrifica të mëdha, ka thënë Cezari. Hamit Dollani në ato vite të errëta të obskurantizmit nuk besoj të kish lexuar Cezarin, por ai dinte tjetrën, atë thënien shqiptare: kushdo që lë mënjanë mësimin në rininë e tij, humbet të shkuarën dhe është i vdekur në të ardhmen pa u arsimuar. Në këtë vështrim e plan arsyetimi ai e pa të udhës të arsimohej, të mund të arrinte të bëhej dikush. Fati e solli të shkonte në një shkollë ushtarake 2-vjeçare në qytetin e Vlorës. Aty, në këtë shkollë, fati i solli një dhuratë tjetër po kaq të vyer, u njoh me Mujo Ulqinakun. Më pas ata do të ndaheshin për të kryer detyra të ndryshme. Mujo Ulqinaku u caktua në një nënrepart të marinës në Durrës, ndërsa Hamit Dollani në postën e Mifolit, në afërsi të qytetit të Vlorës.

Optimisti shikon trëndafilin dhe jo gjembat. Nga kjo filozofi udhëhiqej edhe Hamit Dollani. Ndërsa ai transferohet në burgun e Tiranës, në burgun ku gjendeshin shumë të burgosur politikë, rasti ia solli të bëhej pjesë e grupit që synonte të hapte burgun për të përmbysur regjimin antipopullor të Ahmet Zogut. Ishte viti 1935, viti që shpërtheu kryengritja e Fierit. Hamiti kontribuoi shumë, duke dalë hapur në mbështetje të kryengritësve. Madje edhe u burgos, por u lirua për mungesë provash. Ndoshta ka qenë kjo e që atë e transferuan në detyrën e nënkomandantit në postën e Bërzhitës, në Tiranë.

Për të kuptuar zemrën dhe mendjen e një personi, mos shiko vetëm çfarë ka arritur, shiko edhe se çfarë qëllimesh ka ai. Personazhi për të cilin po shkruajmë këto radhë ishte djalë atdhetar, me sy të pagjumë nëse kemi parasysh ngjarjet e atyre viteve. Në ditët e para të muajit prill të vitit 1939 iu dha leja e zakonshme. I duhej të shkonte në fshat, pranë familjes, pranë fëmijëve. Dhe ashtu bëri. Një zë nga brenda i dha “urdhër” të merrte me vete armë, të ishte i armatosur. “Ç’i deshe këto armë, këtu nuk na hyjnë në punë”, i paska thënë babai, xha Likoja. “Do të na duhen, babë, presim kohë të vështira”- i kishte kthyer përgjigje.

Dashuria e vërtetë nuk mund të zotërohet. Ushtaraku Hamit Dollani, posa mori vesh lajmin për pushtimin e Italisë fashiste, mori armën dhe u nis drejt qytetit të Durrësit. Rrugën nga Jança deri në Bërzhitë e bëri në këmbë. Aty mori një mitraloz dhe iu drejtua shokëve: Kush është i gatshëm të më shoqërojë, të më ndjekë!
Askush nuk i dha urdhër për të ndërmarrë këtë veprim. Kur ka mbëritur në Tiranë është përballur, farë rastësisht me komandantin e tij. “Ku shkon kështu i armatosur!? Duhet të qëndrojmë në gatishmëri, duhet të jemi aty në postë” – i thotë komandanti.

Hamiti ia kthen: ”Armiku nuk po na vjen nga Elbasani, zoti komandant, por nga deti. Prandaj kam marrë edhe mitralozin sepse vetëm ky bën punë atje, vetëm ky i tmerron pipinot”!…
Në Durrës Hamit Dollani u takua me mikun e tij të vjetër, Mujo Ulqinakun. Ashtu, me mitraloz në dorë, iu bashkua detarëve të braktisur nga oficerët dezertorë dhe bashkë me vullnetarë të tjerë organizuan qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Ashtu si Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani luftoi me guxim e trimëri të rrallë. Ashtu si Mujo Ulqinaku edhe ai dha jetën në emër të patriotizmit dhe atdhedashurisë. Faktet zbulojnë një të dhënë absolutisht të vërtetë: Hamit Dollani është vrarë rreth një orë më përpara se Mujo Ulqinaku.

Plumbi që ka marrë Hamit Dollanin ia ka dëmtuar rëndë pamjen e fytyrës, aq sa ai nuk njihej. Pasi rezistenca e forcave vullnetare shqiptare kishte rënë, forcat italiane morën trupat e dy të vrarëve, Hamit Dollanit dhe Mujo Ulqinakut, për t’i çuar në varrezat e qytetit. Një burrë plak, që merrej me hapjen e varreve kujton: “Ushtarakët italianë, pasi hodhën nga makina trupat e të vrarëve, u urdhëruan që t’i varrosin, por varret të mos u njihen. Mujo Ulqinakun, varrmihësi e ka njohur, ndërsa të vrarin tjetër jo, për shkak të dëmtimit të fytyrës. Kur e ka ngritur për ta futur në gropën e hapur, një kuti duhani bie nga xhepi i të vrarit. Varrmihësi e hap kutinë e cigareve, e cila mbante të gdhendur stemën e shqiponjës dhe brenda gjen një letër ku shkruhej: “Hamit Dollani, Jançë-Gramsh”. Ishte fleta e lejes, lëshuar nga postëkomanda.

Tirani vdes dhe sundimi i tij mbaron; martiri vdes dhe sundimi i tij fillon. Për çka solla , faktet dhe bëmat e Hamit Dollanit, dëshmorit që ra në përpjekje me pushtuesit italianë më duhet të pyes: a e meriton edhe ky një monument në qytetin e tij, në Gramsh, ashtu si qëndron një i tillë në qytetin e Durrësit për Heroi e Popullit Mujo Ulqinaku?!…

Në këto dy dekada të pas viteve ’90 kemi parë të ngrihen buste e përmendore për gjithfarë mukubetësh, kemi parë të nderohen e të gradohen gjithfarë horrash, kemi parë të paparën e një shteti jonormal. Kanë dalë, siç do të thoshte poeti Shefqet Musaraj “Të gjithë të pushkës/të gjithë të malit”. Kam përshtypjen se në këtë Shqipërinë tonë “të dashur për të gjithë” po nderohen ata që nuk e meritojë, po ngrihen në piedestal figura të përlyera e me të kaluar të dyshimtë, madje edhe kriminelë të luftës, që kanë lyer duart me gjak. Në rastin që sollëm, një bust është kërkesa më modeste. Hamit Liko Dollani e meriton sepse është dëshmor i lirisë, është patriot e atdhetar i përmasave kombëtare.

Share This Article
2 Comments
  • Nder dhe respekt per Bashkim Kocin qe kujton se duhen nderuar Luftetaret e Rezistences, sic ishte edhe “patrioti” i tij i lavdishem.
    Kam lexuar edhe per nje tjeter gjigand, qe, per hir te se vertetes, prpara Mujo Ulqinakut – kapter, e ka shkrepur pushken kunder italianeve diten e 7 Prillit 1939 ve Vlore.
    Ai ishte Akademiku I MOdenas, Majori mirditas, Mark DOÇI, vëllai i të mirënjohurit Mëhill Doçi!
    Laberia ia ka bere monumentin dhe ia ka dhene dekoraten, duke e perjetesuar ne kenge.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *