Vetëm nëse je krenar për vendin tënd, mund ta zhvillosh atë!
Cila është gruaja beratase?
– Qytetaria e gruas beratase është po aq e vjetër sa vetë qyteti. Është amvisë e mirë, nënë e mrekullueshme si dhe kujdeset ta mbajë gjithnjë të pastër e të rregullt shtëpinë.
Kur unë isha i vogël, ime më na bënte “terror”, sa herë që bënte pastrimin me themel të shtëpisë. Çfarë manie është kjo?
– Kjo është e vërtetë. Edhe ne kur ishim fëmijë dhe kur mamaja bënte pastrim gjeneral, na nxirrte në oborr dhe donte të kënaqej duke e parë të paktën disa orë, çdo gjë në vendin e vet. Edhe sot, kur ajo vjen në shtëpinë time, e kuptoj nga shprehja e fytyrës se ka gjëra që nuk i pëlqejnë në rregullsinë time.
Në fillim lindi prona, pastaj këta pronarë për të siguruar jetën dhe pasurinë e tyre, krijuan shtetin. Po martesa, kur u shpik?
– Them se para pronës, sepse njerëzve u është dashur të martohen edhe pa pasur pronë. Mendoj se, martesa ka lindur që kur lindi njerëzimi.
Pse është e nevojshme të martohet njeriu?
– Nëse e shikojmë si një nevojë për të mbijetuar, unë do ta konsideroja njëlloj përçmimi ndaj martesës. Nëse dashuron dhe çdo gjë shkon gradualisht drejt martesës, do ta quaja nevojë natyrale.
Dëshira për fëmijë, a është arsyeja e parë pse martohen shqiptarët?
– Them se po, sepse shoqëria jonë është ende një shoqëri e orientuar nga vatra familjare, dhe në këto vite po mundohemi të mbajmë balanca midis familjes dhe tendencës së karrierës. Mendoj se, ata që e gjejnë këtë ekuiliber, mund të quhen sot familje të shëndetshme.
Pse gratë e pasura, po bëjnë më pak fëmijë në Shqipëri?
– Është një tendencë që ka filluar prej vitesh. Natyrisht fëmijët duan një kujdes të veçantë dhe të vazhdueshëm, por them se prioritetet duhen vendosur drejt edhe në kohë. Me pak më tepër sakrifica, është e mundur të menaxhohen të dyja, si puna dhe fëmijët. E rëndësishme është, që gratë ndërsa merren me karrierën e tyre, të mos shndërrohen në burra, por të ngelen gra, bashkëshorte dhe nëna.
Në cilat raste, një grua urrehet nga një grua?
– Nëse i tejkalon parashikimet, bën plane të mëdha, sjell një risi mendimi e veprimi, urrehet menjëherë. Gjithashtu, urrehet nëse thyen tabutë, kalon kornizat sociale dhe është anti-konformiste.
Po, nëse është e bukur?
– Sigurisht që po, madje kjo është një arsye e fortë mendoj. Së pari, duhet ta pranojmë se është e vështirë të kuptohet kur të urren një grua, sepse e mban në thellësi, e mbulon më së miri dhe shpërthen egërsisht.
Margarita, a të duket e drejtë kjo thënie “Në një shoqëri, siç është shumica, është edhe pakica”?
– Kur shumica përcakton rregullat e lojës, pakica është e detyruar të shkojë drejt saj. Në këtë kuptim duket e tillë, por në thellësinë e saj, në gjëndjen e saj, nuk ndryshon asgjë. Kjo bëhet veçse për vetëmbrojtje, për t’u mos izoluar dhe për të mos u asimiluar.
Mos vallë, kjo të jetë arsyeja, që kur gratë e vendeve të tjera kur vijnë në Shqipëri për punë, në vitin e parë vishen keq, vitin e dytë fillojnë të kthjellohen dhe kur largohen, ngjajnë pesë vite më të reja?
– Kjo është e vërtetë, madje kam patur mikesha që u ka ndodhur pikërisht kështu. Atyre nuk u mungon përkujdesja për veten, por e kuptojnë se për t’u përshtatur sa më mirë, duhet të ndryshojnë mënyrën e veshjes.
Në Kanada, si ishte kjo punë?
– Atje, sipas vendit bëhet kuvendi, pra nëse je më produktive në punën tënde duke qenë sportive, mund të vishesh me të tilla. Por, nëse je e ftuar në një mjedis, në të cilin paraqitja është e rëndësishme, domosdo duhet t’i përshtatesh.
Gruaja shqiptare, do të shkojë në Evropë si vetvetja, apo brenda Kalit të Trojës?
– Duhet të jetë vetvetja, brenda të gjitha kërkesave që shtron koha. Politika përpiqet ta fshehë brenda Kalit të Trojës, por unë jam optimiste se gruaja nuk do të lejojë të ndodhë kjo. Ne e dimë mjaft mirë, që kemi vlera dhe individualitet të fortë, madje edhe gratë e hershme shqiptare kanë patur dukshëm tipare dhe mendësi evropiane.
A ka shumë gra shqiptare që emigruan në vende të ndryshme dhe atje kanë bërë karriere akademike?
– Ka me të vërtetë shumë të tilla. Unë do të kisha dashur, që ato të ktheheshin dhe të kontribuonin për vendin tonë, por pavarësisht kësaj, ato na bëjnë të ndihemi krenarë edhe atje ku janë.
A ka frikë, politika shqiptare nga këto?
– Natyrisht që ka, madje ka shumë frikë. Treguesi më i qartë për të, janë listat e deputeteve, gruaja vetëm sepse e detyron ligji, rendidet në vend të tretë. Në këtë mënyrë, ne ndërtojmë dhe modelojmë stereotipet dhe sjelljet e elektoratit, sepse ai mendon që gruaja meriton veçse vendin e tretë.
Po në Kosovë, pse është më e pranishme grua?
– Në fakt, unë aktualisht jam pedagoge edhe në Kosovë dhe kam pasur mundësinë të ndjek nga afër përfshirjen e grave atje. Kosova ka një specifikë tjetër: që në fillim u kërkua një prani e tillë, e cila u shoqërua edhe me presionin e ndërkombëtarëve, më shumë se ç’ndodhi në Shqipëri.
Pse duhet të jetë një grua, kaq shumë atdhetare, edhe pse nuk shkon tashmë as në ushtri dhe as në luftë?
– Ne lindim jetë, rrisim dhe edukojmë brezat që do të vijnë. Gruas shqiptare i duhet, më shumë se kujtdo tjetër, patriotizmi, sepse janë ato që mund ta përçojnë atë më mirë se kushdo tjetër. Mes nënës dhe fëmijës krijohet një lidhje, e cila nuk mund të shkruhet me fjalë. Unë jam rritur me ndjenjat kombëtare, mbaj mend që në familjen time shpesh flitej që trojet shqiptare janë copëtuar në vitin 1913. Nuk e kuptoja, por e ndieja që diçka kishte ndodhur dhe e rritur me këtë ndjenjë, kur isha në gjimnaz, me një naivitet fëminor, kam pyetur mësuesen time. Nga patriotizmi, dashuria dhe mirënjohja për vendin tënd nuk vjen asgjë e keqe. Përkundrazi, vetëm nëse je krenar për vendin tënd, mund ta zhvillosh atë.
CV: ka lindur në Berat. Ka studiuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega Fizikë, më pas në Fakultetin Juridik, atë të Shkencave Politike dhe është Doktore Shkencash në fushën e të Drejtave Njerëzore dhe Ligjeve Ndërkombëtare. Eksperiencë e gjatë, brenda dhe jashtë vendit, në fushën e jurisprudencës, edukimit dhe re-integrimit të emigrantëve. Aktualisht, është kandidatja për deputete që kryeson listën e Beratit për Aleancën Kuq e Zi.

E dashur mikja, mesuesja ime Margarita.Ne i perkasim te njejtit Qytet , Beratit.Kur mora vesh qe ju po i ktheheni perseri ne vendlindje mbas gjith kesaj kohe u ula prane nje Ikone te vjeter Beratase qe me sjell fat ne cdo moment nevoje dhe ju luta me gjithe fuqine e shpirtit :
Suksese , zoti te bekofte .
Shqiperia ka nevoje per njerez te rinj ne politike,biografia e te cileve te flasi per ndjenja qartesi dhe pjekuri politike.