Gara për kreun e LSI, Spahiu: Ja pse ne themi “çfarë të bëj për ty vlla?!”

Elton Tafaruci

Deputeti Përparim Spahiu ka nisur fushatën e zgjedhjeve për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga vendlindja e tij, Peshkopia, me një takim me anëtarësinë e LSI dhe mbështetës të tij në Pallatin e Kulturës.

Spahiu ka shpalosur platformën për drejtimin e LSI, teksa garon kështu me kryetarin e saj aktual, Ilir Meta i cili vendosi të rikandidonte për kreun e partisë si dhe anëtarin e Kryesisë, Shezai Rrokaj.

 

Pas Peshkopisë, Spahiu do të shtrijë fushatën edhe në qytete të tjera. Zgjedhjet për kryetarin e LSI-së do të zhvillohen pas një muaji, më 6 Nëntor.

Fjala e plotë e Përparim Spahiut:

Të dashur vëllezër e motra!

Jam këtu në Dibrën time dhe në Dibrën tonë të mrekullueshme, si djali, vëllai, miku dhe shoku juaj!

Ju, me vullnetin dhe me votën tuaj, më keni dërguar në Kuvendin e Shqipërisë, në Tiranë. Jam aty në Tiranë, se ashtu keni vendosur dhe ashtu keni besuar ju, vëllezërit dhe motrat e mia, për t’ju përfaqsuar si deputeti i juaj dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Mund të them, se kam bërë sa mundem, si deputet, por sa herë ju takoj nga afër, në Tiranë apo në Peshkopi, në Mat apo në Bulqizë, e ndjej dhe e shoh se jemi gjithmonë borxhlinj, ndaj halleve pa mbarim që ka Dibra jonë e varfër, por gjithmonë krenare dhe e zonja vetes.

Unë kam ardhur sot këtu, si kandidat për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim! Të kësaj force politike, që ka dhënë përkujdesjen e vet të përditshme, duke u prirur nga bashkëbisedimi dhe nga ulja në një tryezë të rrumbullakët sëbashku me ju.

Sepse Lsi është një lëvizje politike që parapëlqen të dëgjojë dhe të zgjidhë hallet tuaja, më shumë se sa të flasë me fjalë të mëdha.

Sepse ne, nuk na pëlqejnë shumë fjalët, që mbeten vetëm fjalë dhe që shpesh herë janë fjalë boshe dhe premtime të pambajtura.

Ne, jemi një Lëvizje politike, që dëgjon shumë dhe flet pak, që mban shënim dhe zgjidh halle, që lufton për më shumë punë te ndershme dhe për zgjidhje të qëndrueshme për Dibrën tonë, dhe prandaj mendoj se LSI, duhet të jetë e Para!

Lëvizja Socialiste për Integrim e Para, për këtë kam kandiduar dhe për këtë kërkoj votën tuaj!

Sepse jeni lodhur dhe jeni rraskapitur të dashur vëllezër dhe motra, duke dëgjuar përralla dhe vetëm përralla, që thirren ndryshe në gjuhën politike, retorikë boshe!

Ndërsa Lsi, është një forcë politike e njeriut për njeriun, prandaj dhe ne shpesh e thërrasim njeri tjetrin në partinë tonë, “si je vlla?!”, apo “cfarë të bëj për ty vlla?!”

Dhe kjo na pëlqen, dhe shprehjen tonë: “Cfarë mund të bëj për ty vlla!” duam dhe duhet ta shndërrojmë në mënyrë të re, të të bërit politikë.

Si një forcë politike lider në Shqipëri, pra Lsi, e Para!

– Si kandidat për të kryesuar Lsi, do të kërkoj që të hapet një diskutim në brendësi të partisë sonë, mbi bilancin e qeverisjes 3 vjecare me Partinë Socialiste. Ku të peshohen anët pozitive por edhe anët negative të kësaj bashkëqeverisjeje. Të vihen në peshore dhe në filtrin e analizës, cfarë u ka sjellë kjo bashkëqeverisje shqiptarëve dhe sa e favorshme ka qenë për interesin e elektoratit të Lsi.

– Sepse unë mendoj, që Lsi, e ka mbrritur tashmë pjekurinë e vet politike dhe i ka dhënë me të tepërt provat e veta, për të fituar një pozicion të ri, në politikën shqiptare. Një rol të mirëfilltë udhëheqës në nivel kombëtar.

Lsi, nuk duhet të vazhdojë e të prodhojë kryeministra, që nuk janë me teserën e saj. Sepse shpesh kemi qenë të detyruar të paguajmë kosto shumë të larta si parti politike, kur aleatët, edhe hapur edhe nëpër koridore, na e kanë lënë ne, faturën e dështimeve te tyre. Edhe për vendime apo për zgjedhje politike, që as na kanë pyetur fare!

– Unë si kryetar i ardhshëm i Lsi, për të cilën kërkoj votat tuaja, jam i mendimit se duhet të mbarojë më në fund procesi i stolisjes së rrugëve dhe i riparimit të fasadave, ku janë derdhur financime dorëlëshuara. Nuk na duhen palma dhe ndricues me ngjyra, më shumë se sa spitale apo pika ambulatore të reja.

Shkolla, kopshte dhe subvencione serioze për prodhimet tona bujqësore, që nxisin prodhimin, punësimin, sjellin të ardhura të ndershme nëpër shtëpiat tona dhe furnizojnë turizmin shqiptar me prodhimet tona.

– Unë mendoj, që investimet duhet të orientohen në themel të gjërave. Te rrugët e reja që janë jetike për zhvillimin tonë. Këto investime duhet të ushqejnë arteriet që lidhin krahinat pjellore të vendit, të cilat duhet të intesifikohen dhe të parashikohen në buxhetin e ardhshëm në mënyrë prioritare.

– Unë si kryetar i ardhshëm i Lsi, do të kërkoj që deputetët dhe zona që i zgjedh, të rrinë shumë më afër me njeri tjetrin. Sepse për mendimin tim, sot këto marrëdhënie, janë të zbehta! Por nga ana tjetër, edhe pushteti i deputetëve në vendimarjet që pasqyrojnë nevojat e zonës zgjedhore, duhet të rritet!

Paradhoma e ministrave të Lsi duhet të jetë më mikpritëse e deputetëve që sjellin direkt shqetësimet madhore të votuesve tanë.

Më shumë deputetë dhe më pak biznesmenë në paradhomat e tyre…

Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet që nga ne politikanët të dëgjoni gjithmonë më shpesh atë pyetjen që ju thashë në fillim: “Si të kam vlla? Cfarë mund të bëj unë për ty vlla?!”

Por si ti përgjigjeni ju kësaj pyetje, kur spitalet shqiptare, ambulancat apo shtëpitë e lindjes dhe shkollat tona, janë akoma në pikë të hallit?

Unë jam ekonomist dhe kam studiuar thellë dhe gjatë marrëdhëniet e shtetit me tregun.

– Në dritën e ngjarjeve më të fundit tragjike në fushën e shëndetësisë, politika neo-liberale e koncesioneve, rezulton se nuk ka patur rezultatin e dëshëruar. Janë angazhuar rreth 400 milionë dollarë për në 10 vitet e ardhshme, të “besuara” te biznesi privat, ndërkohë që ndodhin shpesh episode dramatike të një shëndetësie që nuk po shërohet dot.

– Ndërsa politika fiskale, e ashtuquajtura taksa progresive, ka tatuar më shumë punën dhe pagën, ndërkohë që tatim-fitimi është i sheshtë 15%. Është tatim i ndershëm ky? A na bën konkurues në Rajon?

– Siguria e biznesit të huaj dhe garantimi i saj, është krejt nën nivelin e dëshëruar. Rasti fatkeq i biznesmenit libanez, është një këmbanë e rrezikshme, për besueshmërinë e Shqipërisë, në mikpritjen, lehtësirat e të gjitha llojeve dhe në rradhë të parë, në garantimin e investitorëve të huaj që të punojnë e të fitojnë të mbrojtur në vendin tonë.

– Në shumë vendime që merren në këtë bashkëqeverisje, ne si Lsi, vendosemi përkundrejt asaj që quhet: “Fakt i kryer!” Merret pra kështu një Vendim i rëndësishëm qeverisës dhe më pas, na njoftojnë. Duke na bërë pjesë të kostove dhe përgjegjësive në mjaft raste, dhe jo pjesë të vëndimmarrjes!

Unë si kryetar i ardhshëm i Lsi, do të jem më i vendosur dhe më llogari kërkues! Në emër të votave tuaja, të halleve dhe shqetësimeve tuaja që duan zgjidhje dhe vendimmarrje të konsultuara paraprake dhe jo zgjidhje dhe vendime egoiste nga lart-poshtë.

Si një parti që dëgjon shumë, që mban shënim dhe që kërkon zgjidhje për hallet dhe dertet tuaja të përditshme, ne kemi një moral të fortë dhe një të drejtë të pamohueshme, për të ngritur zërin tonë.

Sepse zëri i Lëvizjes socialiste për integrim, nën drejtimin tim, do të jetë zëri juaj!

Zëri juaj aty ku nuk e dëgjojnë,

zëri juaj aty ku ju mbyllin derën,

zëri juaj denoncues në zyrat që ju shohin nga duart dhe ju zbrazin xhepat,

zëri juaj për nevojat tuaja të mëdha!

LSI e Para, sepse LSI ju dëgjon dhe ju zgjidh telashet tuaja të përditshme!

LSI e para sepse është e vetmja parti që ju pyet: “Si të kam vlla? Cfarë mund të bëj unë për ty vlla?!”

Share This Article
3 Comments
  • Se sa e afte eshte LSI te zgjidhe problemet e akumuluara, e tregon fare qarte punesimi qe ka bere ne OSHEE. Te gjithe te paafte, arrogante, dhe kurrsesi profesioniste! Shkoni dhe verifikoni kete gjendje te Drejtoria e Pergjitheshme e OSHEE, afer rezidences se kesaj partie. Aty cdo mengjez gjen me dhjetra qytetare qe perpiqen te zgjidhin problemet, por, personeli, as nuk e ka idene si punohet! Militantizmi eshte ne kulm, ndersa profesionalizmi ka ikur ne drejtim te paditur……

  • J
    Z “perkthyesi” jo militantizmi, por militarizimi i administrates publike i bere nga hajdutet me ze e me figyre te LSI nuk ka te mbaruar, te paafte, fodulle, mashtrues dhe HAJDUTE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *