“Mjekët, dentistët dhe farmacistët që nuk do të marrin testin, nuk do të kenë mundësi që të rinovojnë lejen e ushtrimit të profesionit”.
Kështu shprehet drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Edukimin në Vazhdim, Etela Shehu. Këtë të hënë nis sezoni i provimeve për profesionistët që nuk mbyllën me sukses ciklin e parë të programit, duke u vlerësuar me më pak se 150 kredite. Shehu ka paralajmëruar penalitete deri në heqje të licencës për ata, të cilët nuk do të marrin pikët e mjaftueshme.

Një masë e tillë është e sanksionuar edhe në rregulloren e re të miratuar këtë vit për organizimin e provimeve të ricertifikimit. PROVIMI Sipas kalendarit të datave, të parët që do të testohen do të jenë mjekët, në data të ndara sipas specialiteve.
Ndërkohë, për farmacistët dhe dentistët provimi do të mbahet përkatësisht në datat 6 dhe 7 tetor. Edhe në këtë fazë interesi i shfaqur nga bluzat e bardha ka qenë i ulët. Sipas drejtoreshës së QKEV, vetëm 120 profesionistë janë regjistruar.
KREDITET
Kujtojmë që vetëm 70% e profesionistëve të shëndetë- sisë kanë arritur të plotësojnë nivelin e krediteve në programin 4-vjeçar të edukimit në vazhdim. Pjesa tjetër e mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve do të duhet të përballen me provim. Vendi i punës kushtëzohet pikërisht nga rezultatet e këtij testimi, i cili do të zhvillohet nga data 3 deri më 7 tetor.
Nga të dhënat që disponon Qendra e Edukimit në Vazhdim mësohet se janë 10 736 profesionistë shëndetësie, që kanë marrë pjesë në programin e parë të ricertifikimit. Në radhët e tyre kishte edhe nga ata që u vlerësuan me 0 kredite. Nga 1270 emra, pjesa më e madhe janë mjekë përkatësisht 729. Më tej, 101 janë farmacistë dhe 440 janë stomatologë.
DATAT E PROVIMIT TË CERTIFIKIMIT
3 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Mjekë- si Familje, Endokrinologji, Mikrobiologji, Shëndet Publik, Mjekësi ligjore.
4 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Kirurgji, Radiologji, Neurologji, Kardiologji, Biokimi.
5 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Anestezi-Reanimacion, Hematologji, Onkologji, Psikiatri, Reumatologji.
6 tetor 2016 – provimet e certifikimit për specialitetet: Pediatri, Obstetrikë-Gjinekologji, Urgjenca mjekësore, Ortopedi.
- Provimi i certifikimit për farmacistët zhvillohet pranë Universitetit të Mjekësisë, më datë 6 tetor 2016, në orën 09:00.
- Provimi i certifikimit për stomatologët zhvillohet pranë Fakultetit të Stomatologjisë më datë 7 tetor 2016, në orën 09:00.
