Nga Mersin Kurti
Në përpjekjet për të sendërtuar një shtet demokratik të së drejtës në këto 25 vite, kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve nga më të ndryshmet dhe të paparashikueshmet. Unë dua të ndalem te problematika e krijuar me studimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe, por edhe me historinë, arkeologjinë, etj.
Kohët e fundit kam vënë re se mjaft studiues autodidaktë dhe amatorë rreken të merren me gjuhësinë, ndoshta edhe në mungesë të zërit të profesorëve, akademikëve dhe të profesionistëve të fushës. Këta studiues herë-herë dashamirë dhe herë-herë edhe dashakeqë, bëjnë përpjekje kështu, në kahje të kundërta për të sjellë në vëmendje dhe provuar hershmërinë ose jo të gjuhës tënë, siç thoshte dhaskal Todri. Të parët i gjejnë fillesat e gjuhës edhe tek hitishtja, sanskritishtja por dhe gjuha e egjiptianëve të vjetër. Bile përpiqen të argumentojnë se gjuha shqipe qëndron në bazë të shumë gjuhëve në Europë, duke nxjerrë përfundime të çuditshme dhe ndonjëherë qesharake.
Të dytët përpiqen për të kundërtën.
Nuk kam asgjë me studiuesit amatorë. Ata në një sistem të fjalës së lirë mund të shprehin dhe të thonë mendimet e tyre pa hezitim. Koha do të qëmtojë vlerat, nëse ata arrijnë të zbulojnë diçka me zellin e tyre autodidakt se, ndodh që edhe një amator në fushën e arkeologjisë, si Shlimani, të bëjë një zbulim të madh si ai i vendodhjes së Trojës, nisur vetëm nga përshkrimet në veprën e Homerit, Iliada.
Por problemi që më shqetëson mua si qytetar i thjeshtë i këtij vendi, është më së shumti problematika e lindur gjatë këtyre viteve, veçanërisht për gjuhën dhe gjuhësinë. Sot jo vetëm po merren amatorë me to, por duket sikur ka edhe veprime të qëllimta për ta zhbërë atë.
Ka pasur vetëm debate pse jo edhe keqdashëse, rreth bazës së gjuhës zyrtare. Përse toskërishtja dhe jo gegërishtja?! Ky problem është trajtuar edhe nga profesorët përkatës, por do të nënvizoja edhe njëherë se askund në botë nuk ndodh që dialektet, nëndialektet, etj të përjashtohen nga funksioni i tyre i pazëvendësueshëm i pasurimit të gjuhës zyrtare. Ndaj, as toskërishten, as gegërishten, as dialektet, as nëndialektet, as të folmet e zonave, as të folmet e veçanta nuk i ka shmangur kush nga roli i tyre parësor i pasurimit të gjuhës zyrtare. Rreth 40 a më shumë vite më parë u ndërmor një nismë e veçantë me pjesëmarrje të gjerë të arsimtarëve në të gjithë vendin, për qëmtimin e fjalëve nga të dy dialektet kryesore, nëndialektet, të folmet e zonave dhe u grumbulluan me qindra e mijëra fjalë me përdorim vetëm nga këto nënndarje në funksion të pasurimit të guhës zyrtare. E gjithë kjo pasuri u ruajt nga Instituti i Gjuhësisë, ndërsa sot nuk e di ç’bëhet me to. Ky është një problem me të cilin le të vazhdojnë të merren gjuhëtarët dhe akademikët.
Në ruajtjen e identitetit të një kombi më së pari është gjuha, pastaj vijnë kultura, historia duke përfshirë dhe historinë dhe gjeografinë e trojeve, tradita e zakone që përçojnë vlera, etj
Në këtë kuptim në zbrazëtinë e krijuar u jap të drejtë studiuesve amatorë të merren deri me etimologjinë e shqipes, me kërkimet për të vertetuar lashtësinë e saj etj.
Pas profesor Eqerem Çabejt, nuk di të jetë marrë njeri seriozisht e në vazhdimësi me etimologjinë. Ka pasur tek-tuk përpjekje të shkëputura por studime të mirëfillta të organizuara nga Akademia e Shkencave, tubime dhe jo vetëm për etimologjinë nuk ka pasur në këto vite.
Me të drejtë Kryetari i Akademisë vërejtjeve të kryeministrit për gjendjen e saj iu përgjigj me mungesën e fondeve, por jam i bindur që profesori i nderuar e merr pagën që rrjedh nga taksapaguesit e këtij vendi dhe, shembujt në botë, ku njerëzit e përkushtuar dhe të pasionuar pas shkencës kanë bërë mrekullira, nuk mungojnë por janë të shumtë.
Nga ana tjetër Kuvendi ynë nuk di të ketë miratuar një ligj për gjuhën, për përdorimin e saj në mjediset publike, në median e shkruar dhe pamore. Sot përdorimi i fjalëve të huaja është bërë modë në të gjithë ligjërimin dhe bisedimin mediatik e zyrtar.
Sot dëgjon kuvendarët tanë të përdorin vend e pa vend fjalë të huaja, dikush për të shpalosur njohuritë e tij në këto gjuhë, dikush ndoshta për të mos u kuptuar çfarë thotë, dikush imiton, ndoshta pa e kuptuar edhe vetë çfarë thotë. Dëgjon gazetarë dhe analistë, të cilët jo vetëm janë eruditë dhe dinë gjithçka por bëjnë të njëjtën gjë; përdorin rëndom fjalë të huaja, ndoshta edhe këta për të njëjtat arsye të mësipërme.
Po ashtu në takimet zyrtare me të huajt ndodh e njëjta dukuri. Me ligj dhe protokoll zyrtarët tanë janë të detyruar të flasin shqip pasi që, edhe mendimet do t’i shprehin më qartë në gjuhën amtare, por edhe njerëzit e thjeshtë do të kuptojnë më mirë çfarë thuhet. Edhe drejtuesit e predikuesit e fesë në më të shumtën e rasteve flasin në arabisht apo greqisht dhe në fund të fjalës së tyre kumtojnë diçka në shqip.
Nga ana tjetër pak ose aspak përpjekje bëhen për të kthyer në monedhë të shqipes, siç thotë profesor Rexhep Qosja fjalët e huaja, për të cilat mund gjindet mundësia e shqipërimit, por merren dhe përdoren ato shabllon dhe herë-herë edhe pa vend. Ndërkohë që i gjithë leksiku dialektor fle në ish-Institutin e Gjuhësisë.
Tabelat dhe reklamat e shitoreve, të tregjeve e qendrave tregtare kanë gjithfarë emrash të huaj, por edhe kur shkruhen në shqip janë plot gabime drejtshkrimore. A nuk duhet një ligj, një rregull apo një normë edhe për këto Po kështu ndodh edhe me njoftimet e shkurtra dhe përkthimet e televizioneve.
Sot kur zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë po njeh arritje që të befasojnë e të mrekullojnë, është e domosdoshme që përballë vërshimit edhe të fjalorit teknik të gjejmë mundësinë e zëvendësimit të tyre aty ku mundet me fjalë të shqipes. Në vendet e zhvilluara këto përpjekje bëhen parreshtur dhe gjinden e zëvendësohen me fjalë të rrënjës gjuhësore përkatëse.
Ndërsa në vendin tonë shembullin më të mirë në historinë e gjuhës së folur dhe shkruar shqipe e gjejmë tek rilindasit këtu e 150 vjet më parë, por në veçanti tek i madhi Fan Noli. Shihni e lexoni fjalimet e tij, që zbulohen edhe sot e kësaj dite, çfarë shqipe të pastër dhe të bukur përdor, çfarë përpjekjesh ka bërë për shqipërimin e fjalëve të huaja, pa folur pastaj për shqipërimet e rralla të veprës së Shekspirit.
Të tilla dukuri jo vetëm të amatorizmit por edhe të shtrembërimit të qëllimtë, ndodhin edhe me historinë, arkeologjinë, etj
Në kushtet e prag-bashkimit me popujt e qytetëruar të Europës dhe të globalizmit, kësaj dukurie të pashmngshme, është mëse e domosdoshme të shtojmë përpjekjet sidomos në rrafshin e gjuhës, të kulturës, traditave që kjo dukuri e re dhe e pritshme të mos na gjejë të papërgatitur.
Që kjo dukuri është e pashmangshme po e tregojnë edhe zhvillimet e sotme, por po të shohësh në thellësi të shekujve dhe deri më sot, vëren se evoluimi i qytetërimit çon pashmangshmërisht në globalizimin e botës, në bërjen e saj në një të ardhme njësh, me ritme shumë herë më të shpejta se evoluimi bilogjik i qënieve të gjalla.
Në këto kushte bota e qytetëruar i ka nisur përpjekjet dhjetëvjeçarë më parë dhe, kam bindjen se do të bëjë çmos për ruajtjen e vlerave shpirtërore e materiale, që ka krijuar njerëzimi në mijëra vjet të ekzistencës së vet.
Në këtë proces edhe ne duhet të njësohemi me qytetërimin botëror si shqiptarë, me gjuhën tonë, kulturën dhe traditat tona. Jemi ende në kohën e duhur për të ndërmarrë një veprimtari të gjerë shkencore, ligjore dhe qytetare edhe në këto drejtime. Kështu edhe bota, edhe jeta në të ardhmen do të jenë më të bukura dhe më të plota, me larminë dhe laryshinë e pafund që ka krijuar dhe vazhdon të krijojë njerëzimi.

Në gjuhën amtare jemi të gjithë “aksionerë” të barazvlefshëm.
S’e kuptova të respektuarin autor nëse fliste si profesionist apo si amator.
U bie kot më qafë amatorëve, përderisa profesionistët mtrashen në gjumin letargjik.