Elbasan, urdhër “fantazmë” për të paguar taksë parkimi te kolaudimi

redaktor

Çdo qytetar i Bashkisë Elbasan, që ka një mjet në posedim, para se të kryejë kolaudimin e mjetit, duhet të paguajë 1500 lekë taksë parkimi. Taksa është vendosur me një vendim të Këshillit Bashkiak që në dhjetor të vitit 2015, por ka pak kohë që është kthyer në një detyrim për çdo posedues mjeti. Nuk ka rëndësi nëse je nga fshati apo nga qyteti, nëse ke parkim privat apo publik, nëse ka parkime apo nuk ka, një gjë është e sigurt taksën prej 1500 lekësh duhet ta paguash.

Banorët e Elbasanit janë ankuar se ata janë të detyruar të paguajnë 1500 lekë taksë parkimi para se të kryejnë kolaudimin e mjetit. Gazetarët shkuan pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor për të mësuar më shumë mbi këtë çështje-raporton Shqip.

Punonjësja e këtij institucioni tregon se çdo posedues mjeti, para se të paguajë taksat vjetore të mjetit dhe tarifën për kolaudim, duhet të kalojë te sporteli i saj për të paguar taksën për parkimet publike, që është vendosur nga Bashkia. Sipas saj, kjo taksë paguhet vetëm nga banorët e njësive administrative të Bashkisë Elbasan dhe jo bashkive të tjera të këtij qarku. Gjatë një interviste për 3Fiks Fare, drejtori Arben Xhina shpjegon se nga prefekti është këshilluar që të ndihmohet Bashkia për mbledhjen e taksave. Madje, sipas tij, punonjësit e DRSHTRR-së Elbasan, i këshillojnë qytetarët që të paguajnë këtë taksë, para se të paguajnë taksat e tjera të kësaj drejtorie. Ai nuk pranon se kjo taksë është detyrim.

Kur ai përballet me njoftimet e vëna në sportelet e DRSHTRR-së, ai pretendon se nuk ka dijeni për këto lajmërime detyruese. Ai shprehet se nuk e di se kush i ka vendosur pasi nuk është urdhër i tij. Kurse përgjegjësi i zyrës së marrëdhënieve me publikun dhe median në Bashkinë Elbasan, Besim Dybeli, shpjegon që kjo taksë është vendosur që në dhjetor të vitit 2015 nga Këshilli Bashkiak. Ai tregon që duke qenë se të gjitha parkimet në Elbasan janë pa pagesë është vendosur një taksë vjetore. Edhe ata që janë nga fshatrat, duhet të paguajnë këtë taksë, pasi secili prej tyre del të paktën 2 herë në muaj në qytet dhe parkon pa pagesë. Ai tregon se nuk ka vizime për parkime, por parkimi lejohet në shumë zona të qytetit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *