A ndalet ndërtimi i HEC-eve në Valbonë duke kënduar?!

redaktor

 

Një leje që u dha në kohën e Berishës, në vendin e tij të lindjes, Tropojë, për ndërtimin e disa HEC-eve mbi lumin Valbonë këto ditë ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale. Artistë, por jo vetëm, janë bërë bashkë duke i thënë jo shkatërrimit të Valbonës. Ndoshta, ky reagim duhet të kishte ardhur në kohën e duhur, përpara se letrat të kopsiteshin. Banorët e asaj zonë, duhet të tregoheshin më të vendosur dhe kërkues përball ish-kryeministrit Berisha, të cilit sot e kësaj dite, si shenjë nderi dhe krenarie i mbajnë të varur një portret gjigant në qendër të qytetit të Bajram Currit. Po çfarë ka bërë ai me lumin dhe krenarinë e tyre…

Pak vite më parë janë miratuar, duke shkelur ligjin e mbrojtjes së mjedisit dhe të zonave të mbrojtura, një mori hidrocentralesh. Vetëm në Gusht të vitit 2013, janë dhënë koncesione për ndërtimin e 9 HEC-ve në Valbonë (pak kush e ka marrë vesh). Ndërsa në 2009 ishte dhënë edhe një tjetër. Kontrata është firmosur nga zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Enno Bozdo.

Nuk është pyetur komuniteti dhe pushteti lokal në B.Curri dhe në malësinë e Tropojës. Nuk është marrë parasysh efekti dëmtues i tyre, gjë që rekomandohet qartë nga forumet ndërkombëtare për këtë sektor, por dhe nga ligji i sotëm shqiptar që e parasheh këtë element.

Eda dhe Elina

“Kam vite që këndoj nëpër Evropë këngët e bjeshkëve, këngët e kodrinave, maleve, detit. Në folkun shqiptar natyra është personazhi kryesor. Në ç’do këngë ndihet fryma e saj. Shpesh mbyll sytë dhe nga skena ku jam, paramendoj ato fusha, male, dallgë e re që kanë qenë ndoshta të parët dëgjues të këngës që unë po këndoj. Dua të ëndërroj një Shqipëri ku patriotizmi është simbol i respektit të natyrës së mrekullueshme që kemi, ku ka një turizëm të ndërgjegjshëm, ku dashuria për vendin na bën më të mirë. Dua të ëndërroj një Shqipëri ku liria nuk përfaqëson mosrespektin e pronës publike. Dua që të duam atë që na bashkon dhe sot të bashkohemi për të vetmen tokë qe kemi”- thotë këngëtarja Elina Duni, ku ka në fokus mbrojtjen e luginës së Valbonës nga ndërtimi i HEC-eve mbi lum.

Eda Zari dhe Elina Duni
Eda Zari dhe Elina Duni

Ajo, së bashku me këngëtaren Eda Zari kanë gjetur një mënyrë ndryshe për të mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi dhe për të kundërshtuar importin e plehrave. Ato do të zhvillojnë një Maratonë artistike në Valbonë më 29 tetor e në Tiranë më 30 tetor, kundër HEC-eve dhe ligjit të plehrave!

Me një karrierë të suksesshme në Europë e më gjerë, artistet që kanë shkëlqyer në skena e ekrane të Perëndimit, dy këngëtaret kanë vendosur të rikthehen në atdhe për një kauzë që e konsiderojnë të drejtë: Në mbrojtje të Tokës, të Ujit, të Ajrit, të Jetës! Ndërsa kanë interpretuar këngët më të njohura shqiptare të ripunuara përgjatë karrierës së tyre, këtë herë, ato i bëjnë thirrje t’u bashkohen nismës së tyre të gjithë artistëve e më gjerë, këngë si protestë dhe këngë si ndërgjegjësim për natyrën.

Fjala e kënduar bëhet më e shenjtë kur bie në një zemër të lënduar. Kam qenë shumë rrotull nëpër botë me këngën time. Kartëvizita ime është muzika shqiptare tradicionale prej dhe nga kam rrënjët. Ngazëllehem jo pa arsye, tek këndoj “Prelud për natyrën Shqiptare”, dhe nuk ndjehem vetëm, se kasollja më e ngrohtë është vendi im.

Valbona është krenari, Thethi është krenari, Langarica është krenari, Vjosa është krenari, Komani është krenari, deti, flora, fauna, luginat, korijet, pyjet… Virgjëria natyrore në një vend kaq të vogël si ne, është Krenari!

Me se krenohet një shqiptar i vërtet që jeton dhe i do trojet e veta amtare, pa mu kapardisur me flamurin e kuq hedhur krahëve? Kush është kartëvizita e tij në xhunglën e madhe të kësaj bote bishë? Pse lindim fëmijë në këtë tokë? Me cilën përgjegjësi? Pse femrat shqiptare duhet të bëjnë plane tradicionale për krijim familjeje dhe të sjellë fëmijë në këtë tokë, kur kjo filiz (që nesër do punojë për pensionin e politikanit të sotëm) s´ka shanse të filtrojë mushkëritë me ajër Valbone?

valbonaPor kam bindjen dhe besoj në mënyrë naive, se duhet të hapim sytë më mirë, për të parë hallet e gjitonit, se dhe ai dikur do t´i duhet të shohë hallin tënd! Ndaj sot duhet të solidarizohemi me hallexhinjtë banorë të Valbonës, me qytetarin që u lodh duke votuar për të zgjedhur më të mirën e keqe nga gjithë të zezat që ka si zgjedhje”- pohon Eda Zari ndjeshmërinë që ka ndaj natyrës por edhe sensin e mbrojtjes së saj prej atyre që duan ta shkatërrojnë atë.

Për të nuk është rast që duhet ndenjur dhe duhet kaluar në heshtje. “Nuk është hera e parë që ngacmohem, as unë dhe as shumë artistë të tjerë të cilët kanë qenë pjesë e zërit modest, por protestues të kauzave të lartpërmendura. Ndoshta dikush mund të dalë e të thotë: “Eda Zari, ti apo ai artist, shkoni e merruni me hallet private, se për të tjerat ka kush merret”. Po. Duhen bërë të tëra! Por hallet tona nuk dëmtojnë jetën sociale, as ekzistencën e shoqërisë shqiptare, as tokën, as ujin as peshkun në akuarium! Këtu bëhet fjalë për një ‘Jo’ të fortë sot, për brezat nesër”.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *