Kandidati i Frymës së Re Demokratike në qarkun e Shkodrës, Fatlum Nurja, deklaroi se kjo qeveri po tallet me shkodranët, duke u dhënë si dëmshpërblim nga 3 mijë lekë të reja.
“Qeveria u premtoi dëmshpërblim, por mbytja nga mashtrimi qenka më e rëndë se nga ujërat e lënë në qejfin e tyre të Drinit e Bunës. Shifra 200 milion leke për 7571 familje, që me një përllogaritje të thjeshtë matematikore, i bie për çdo familje kësti të mos i kalojë 3000 lekë të reja për familje… është pak a shumë sa çmimi i një vote të pamenduar në tregun e votave të 23 qershorit.
Ironia qëndron në faktin se në vend që liqeni i Shkodrës dhe tërësia ujore e kësaj zone të jenë instrumente të zhvillimit ekonomik ato çdo vit kthehen në elementë fatkeqësish natyrore dhe njerëzore, por kthehen gjithashtu në element pasigurie për të nesërmen. Nëse nuk merren masa efikase dhe të menjëhershme pasojat mund të jenë të papërballueshme,” tha Nurja.
Ai shtoi se edhe në vitin 2013 nuk u ndalën përmbytjet, pasi investimet janë bërë pa kriter dhe nga njerëz të pakualifikuar.
“Fryma e Re Demokratike dega Shkodër dënon me forcë këtë sjellje mashtruese të qeveritarëve qendrorë dhe lokalë duke siguruar banorët e zonave të përmbytura se avokatura e kësaj force të re politike me ekspertë të kualifikuar, falë profesionalizmit, seriozitetit administrativ dhe komunikimit të vazhdueshëm me banoret e zonave do bëjnë të mundur të mos lejohet përsëritja e këtyre situatave ekstreme në të ardhmen.
Fryma e Re Demokratike, do marrë nisma ligjore si dhe do të prezantojë akte normative të cilat shmangin nëpërkëmbjen e qytetarëve në situata të ngjashme në të ardhmen. Qytetarët shkodranë nuk kërkojnë mëshirë por respekt, nuk kërkojnë lëmoshë por zbatim të ligjit, nuk kërkojnë llogari qesharake financiare por të drejtat e tyre bazuar në aktet ligjore në fuqi,” theksoi Nurja.

me ken burra shkodranet ja fusin xhozit kete here