Farmacistët zhgënjejnë sërish. Sezoni i provimeve të shtetit për licencat e reja në farmaci ka treguar qartë se universitetet shqiptare po përballen me probleme të rënda sa i takon cilësisë së studentëve që diplomojnë. Kjo veçanërisht për universitetet private, nga të cilat rezulton lëshimi i qindra diplomave në vit, cilësia e të cilave është tërësisht e dyshimtë.
Një fakt i tillë shqetësues është konfirmuar edhe nga presidenti i Urdhrit të Farmacistëve Arian Jaupllari, pas shpalljes së rezultateve të arritura nga qindra kandidatë që iu nënshtruan gjatë javës së shkuar provimit të shtetit për të marrë licencën profesionale. Rezultatet kanë treguar se 52 për qind e kandidatëve nuk kanë mundur dot të kapërcejnë as pragun minimal të pikëve për të marrë notë kaluese, kjo pavarësisht faktit që pjesa dërrmuese e kandidatëve e japin provimin për herë të dytë.
Sipas Jaupllarit, shifra e raportuar flet për një nivel shumë të dobët përgatitjeje të farmacistëve të rinj, duke klasifikuar si shkakun kryesor të këtij niveli të ulët, hapjen masive të universiteteve private që janë shndërruar tërësisht në fabrika diplomash.
Këto të fundit vetëm mbipopullojnë tregun e punës me farmacistë, pasi askush nuk merret me kontrollin e cilësisë së diplomave të lëshuara duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi cilësinë e studimeve të larta, si dhe kujdesin që do të marrin qytetarët nga këta “profesionistë mbetës”.
“52.8 për qind kanë ngelur dhe 47.8 për qind kanë kaluar. Rezultatet tregojnë që niveli i studentëve që kryesisht vijnë nga universitetet private është shumë i dobët. Ka aq shumë universitete private, sa me farmacistët që do mbarojnë këto universitete, do furnizojmë të gjithë Evropën dhe të gjithë botën. Ka aq shumë farmacistë, sa vetëm çdo kush nga çdo pallat do të ketë farmaci nesër”, deklaroi dje Arjan Jaupllari.
Kundrejt kësaj situate shqetësuese, e cila po mban në tronditje themelet e universiteteve, Jaupllari kërkon ndërhyrjen urgjente në rishikimin e kritereve që duhet të zbatohen mbi përzgjedhjen e kandidatëve që licencohen për të ushtruar profesionin e farmacistit apo specialiteteve të tjera mjekësore.
Pikërisht për këtë Jaupllari vuri në dukje se duhet të ngrihen barriera që në momentin e kualifikimit të studentëve. Jaupllari ka bërë thirrje dikastereve të arsimit që të mos miratojnë kaq shumë kuota për studentë në këto degë, pasi tregu ynë ka një mbingopje me farmacistë.
“Kërkojmë edhe më tepër, ndryshimin e pragut të pikëve për të kaluar provimin e shtetit të shkojë nga 50 pikë në 70 pikë apo vendosjen e penaliteteve të tjera, që të bëhet një skualifikim i saktë dhe të rritet cilësia e studentëve që mbarojnë studimet në degën e farmacisë. Unë mendoj se kemi shumë farmacistë dhe duhet ndalur diplomimi i tyre në universitetet private”, shton Jaupllari.
Këto kërkesa u janë adresuar prej kohësh dikastereve të arsimit, por përveç heshtjes nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar.
Aktualisht provimeve të shtetit po u nënshtrohen të diplomuarit në degët e infermierisë. Janë mbi 1 mijë kandidatë të këtij specialiteti që përgjatë gjithë javës do t’i nënshtrohen provimit për të fituar licencën e ushtrimit të profesionit. Në dy sezonet e shkuara është konstatuar edhe për këtë specialitet një nivel i dobët përgatitjeje, pasi numri i studentëve mbetës ka rezultuar të jetë shumë i lartë.
