Politika prish, poezia ndreq!

anazapta

Në Sarandë u dha prova e radhës se ç`forcë ka poezia, ç`magji, ç`fisnikëri e ç`paqe ofron atje ku përndezjet e interesave politike, spërkatur me afshe nacionaliste, mund të bëjnë gjëmën. Një grek i madh si Dinos Kubatis –  që jo vetëm për të qenit dhëndër në Memaliaj, por për arsye akoma më të thella është po aq dhe një shqiptar i madh, sipas cilësimit që i bën miku i tij sarandiot, aktori Anastas Nika – ishte në Sarandë ku interpretoi në një mbrëmje të shkëlqyer me në krah Nikën e gjiganten e intepretimit skenik e kinematografik shqiptar, Margarita Xhepën. Performuan të tre me fjalën, duke endur në shqip e greqisht njëherësh një kurorë paqeje e bashkëjetese prej fqinjësh, me pragje të përbashkëta, me dyer e kanata hapur për njëri-tjetrin, në të mirë e në të keq, me kufij që shuhen pa u ndjerë. Si në atë mbrëmje.

 

“Art pa kufij” quhej mbrëmja poetike e organizuar në Kinoteatrin e Sarandës, me nismë të Dinos Kubatisit e Anastas Nikës, mbështetur nga bashkia e qytetit. E mes tyre në skenë, edhe Margarita Xhepa, vitale e me të njëjtin rrezatim skenik, profesionalisht e pashtershme për të provokuar shtjella të forta emocionesh. Të tre intepretuan një tufë krijimesh poetike në dy gjuhë, shqip e greqisht, duke nisur me Homerin e Antikitetit, Legjendën e Kostandinit e Doruntinës, Urën e Artës, një legjendë greke kjo; për të kaluar tek krijimet e poetëve kombëtarë respektivë, si Dionis Solomonas e Naim Frashëri; e ma pas tek poetët bashkëkohorë si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Ali Podrimja, Vojsava Nelo e Llambros Pasfiras, Panajota Zalloris apo krijimet e Elitisit.

Të gjithë këta emra, krijimtaria e tyre, u përcoll shqip e greqisht, në një kombinim zërash e stilesh interpretative, që magjepsën sallën. Ishte diçka e rrallë për skenat tona. Akoma më e rrallë për një skenë të lodhur si ajo e Kinoteatrit të Sarandës, që kontrastonte në çdo detaj me furinë interpretative të trios Xhepa – Kubatis – Nika. Edhe spektatorët – që prej vitesh kanë humbur atë nurin e njerëzve që dinë të përloten nga e bukura, aq më tepër në qytetet si Saranda ku pjesa  më e edukuar e qytetit si gjithkund ia ka mbathur drejt Tiranës, duke ua lënë vendin njerëzve të akullt që përvëlohen vetëm nga dëshira për ndërtime e hyrje shtesë –  si për çudi u trazuan nga një e tillë shfaqje e artit të fjalës, aq sa bënë të heshtin dhe celularët.

Pra, poezi që sfidon jo vetëm politikën e nacionalizmin e verbër, injektues të një virusi shkatërrues mes popujve, mes fqinjëve, mes njerëzve që pa dëshirën e tyre lindën kështu e ashtu, në një gjuhë e në një tjetër, por dhe vetë atë që nuk hesht për asnjë çast në jetët tona, si një rrahje zemre: zilen e celularit.

Kulmet e shfaqjes ishin: një dialog mes Margarita Xhepës e Anastas Nikës nga “Kostandini e Doruntina”, ku Kostandini komunikon me nënën e tij; tre monologje nga tragjeditë e Antikitetit dhe e një e papritur, siç ishte poezia “Shqipëri”, një krijim i freskët i Dinos Kubatis, që siç u shpreh aktori Anastas Nika, ishte diçka naimjane në madhështi, një tregues i një dashurie të jashtëzakonshme e të qashtër që një grek ka për vendin tonë, duke qenë mik i sa e sa shqiptarëve, emra të njohur të artit.

Kjo shkon për shtat dhe më të qenit e vetë Kubatisit një artisti i madh. I njohur ndër 50 eruditët e aktualitetit botëror, ai përveçse aktor, është njëherësh dhe shkrimtar, regjisor, gazetar e përkthyes nga greqishtja në shqip i emrave më të mëdhenj të poezisë shqipe, përfshirë dhe atë kosovare, ku në vend të parë qëndron Ali Podrimja.

Ndërsa Anastas Nika, aktor e intepretues i njohur skenik lokal, si bashkënismëtar i aktivitetit, u nderua vitin e kaluar me Medaljen e Artë “Aleksandri i Madh”, në një event artistik botëror, që organizohet çdo vit në Salaminë të Greqisë, nga shoqata ndërkombëtare “Kafaneja e ideve”.

Në atë aktivitet, Nika interpretoi Kreontin në shqip, për çka u komplimentua në këtë mënyrë nga spektatorët grekë: “Nga interpretimi yt i Krenontit shqip u shtrimë përdhe; nëse do ta kishe interpretuar greqisht, do kishim vdekur fare!”.

Nika thotë se nuk është ndjerë mirë nga ky kompliment, ngase i është dukur sikur ia kanë injoruar paksa shqipen, por pranon se ka qenë diçka momentale, një ndjesi atdhetare krejtësisht e përligjur e brenda caqeve të arsyes, pa dyshuar aspak në sinqeritetin e nëntekstin krejtësisht pa hile të komplimentuesve, edhe ata tërësisht të përligjur në atdhetarinë e tyre, po brenda caqeve të arsyes. Por nuk e mohon se emocionet që ka ndjerë në marrjen e medaljes “Aleksandri  i Madh”, në aktivitetin e Salaminës, nuk kanë pasur të krahasuar me një përvëlim emicional kur i është dhuruar një tufë lule nga përfaqësues të shoqatës atdhetare “Shqipëria” me qendër në Athinë.

Dhe në mbrëmjen e paharrueshme të Sarandës, Nika u nderua nga UNESCO me Medaljen e Argjendë, ndërsa Margarita Xhepa, Dinos Kubatis e kreu i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, u nderuan me Kurorën e Artë, po nga UNESCO, me motivacionin “Për zhvillimin shpirtëror në kuadër të Turizmit”.

Mbrëmja poetike dygjuhëshe e treshes Xhepa – Kubatis – Nika tregoi se poezia jo vetëm mbahet ende në këmbë dhe e papërulur përballë cunameve shkatërruese të komercializmit apo një pseudoarti me nuanca hedonistike, porse mban të papërulur dhe shpirtin njerëzor, llojin më të fisëm të tij, për të mos u zhbërë përballë viruseve të rënda të kohës, duke nisur që me politikën, ndasitë nacionaliste, si dhe degradimit të shijeve në raport më një art të dominuar nga OMGJ-ja në vend të BIO-s. Fabula e asaj mbrëmjeje ishte: Çfarë është një gjë e vyer që u mungon jetëve tona?! Është poezia, pa dyshim!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *