Bota në një ditë

anazapta

1. Kubë

Presidenti i Venezuelës, Hugo Çaves, u kthye në Kubë për t’iu nënshtruar një trajtimi të ri mjekësor. Ai u diagnostikua me kancer në vitin 2011, por kartela e tij mjekësore nuk u zbardh plotësisht. Çaves u rizgjodh në zgjedhjet presidenciale në tetor dhe pritet të marrë zyrtarisht mandatin e tretë në janar.

 

2. SHBA

Sipas përllogaritjeve uragani Sendi do t’u kushtojë shumë tri shteteve amerikane: Konektikatit, Nju Jorkut e Nju Xhersit. Dëmet e stuhisë kapën shifrën e 42 miliardë dollarëve. Riparimet do të kushtojnë më shumë se 32 miliardë dollarë dhe 9 miliardë të tjerë do të shpenzohen për masat parandaluese.

3. Francë

Gjykata franceze ka shtyrë për në datën 19 dhjetor vendimin për akuzat ndaj Dominik Straus Kahn, ish-drejtuesit të FMN-së. Ai akuzohet për pjesëmarrje në një rrjet prostitucioni me veprimtari në hotelin “Carlton”, në qytetin Lile. Kahn mohon të kishte dijeni se gratë e atyre festave private ishin prostituta.

 

4. Itali

Ka marrë përmasat e një apokalipsi moti i keq në Itali. Tornadot dhe rrufetë kanë përfshirë qytetet e Bolonjas, Tarantos dhe Brindisit. Shkulmet e erërave kanë çrrënjosur pemë, përmbysur makina dhe kanë shkatërruar dhjetëra ndërtesa. Moti i keq ka shkaktuar 4 viktima dhe 38 të plagosur.

 

5. Çeki

Ministri çek i Mbrojtjes, Aleksander Vondra, ka dhënë dorëheqjen pasi nuk ka arritur të rizgjidhet në Dhomën e Lartë të Parlamentit në zgjedhjet e tetorit. Kryeministri i Çekisë, Petër Nekas, shprehu vlerësimin maksimal për Vondran duke thënë se ai ishte ministri më i mirë i Mbrojtjes 20 vitet e fundit.

 

6. Serbi

“Serbia është e vendosur që të përmbushë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun me Prishtinën dhe është e hapur për bisedime, veç heqjes së institucioneve serbe nga Kosova”, u shpreh shefi i diplomacisë serbe, Ivan Mërkiç, duke shtuar se roli i UNMIK-ut është “i pazëvendësueshëm”.
7. Indi

Mahant Amar Bharti Ji, një klerik nga Nju Delhi, në nder të hyjnisë Shiva ka mbajtur të ngritur mbi kokë krahun e tij të djathtë që nga viti 1973 e që atëherë s’e ka ulur më poshtë. Pavarësisht vuajtjeve dhe deformimit trupor, ai e ka arritur ta mbajë krahun e tij mbi kokë pa ndërprerje për plot 38 vjet.

 

8. Rusi

Në Gadishullin e Kamçatkës, në pjesën më lindore të territorit rus filloi erupsioni i vullkanit Plloskij Tollbaçik. Ai “ka qenë i fjetur” që nga viti 1976.  Sipas ekspertëve, tymi i vullkanit që mund të arrijë lartësinë e 5 kilometrave dhe përbën një rrezik të madh për avionët që kalojnë në hapësirën ajrore ruse.

 

9. Jemen

Një diplomat i Arabisë Saudite u vra të mërkurën në kryeqytetin Sana të Jemenit. Burimet zyrtare thonë se diplomati, anëtar i delegacionit ushtarak të Arabisë Saudite dhe truproja e tij humbën jetën kur makina e tyre u qëllua nga persona të paidentifikuar, që dyshohet se mund të jenë anëtarë të Al Kaedës.

 

10. Afganistan

Policia e Afganistanit arrestoi dy persona, të dyshuar për prerjen e kokës së një vajze 14-vjeçare. Trupi i vajzës u gjet të martën në provincën Konduz. Sipas burimeve zyrtare, dy të dyshuarit i kanë kërkuar prindërve të vajzës dorën e saj, por familja e vendosur nuk ka pranuar.

 

11. Koreja e Veriut

Pamjet e fundit satelitore tregojnë se Koreja e Veriut po përgatitet të lëshojë një raketë me rreze të gjatë veprimi. Testi i paautorizuar mund të destabilizojë rajonin. Shteti komunist ka testuar hedhjen e raketave edhe më parë këtë vit dhe një testim i dytë quhet i paprecedentë.

 

12. Kinë

Harta e Kinës e printuar brenda pasaportave të reja përfshin territoret që pretendohen nga shtetet fqinje. Disa shtete, si: Vietnami, Filipinet, India dhe Tajvani kanë protestuar ndaj veprimit të shtetit kinez duke refuzuar që të vulosin vizat hyrëse në pasaportat e reja, duke e quajtur këtë shkelje të sovranitetit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *