Dje afati i fundit, Kurum ende asnjë euro për privatizimin e HEC-eve

anazapta

Dje ishte afati i fundit për pagesën e eurove që kompanisë Kurum Internacional i jepnin të drejtën e blerjes së 4 HEC-eve. Por kjo nuk ka ndodhur as dje, megjithë paralajmërimet, kontestimet, shtyrjet vonesat, premtimet për pagesën e shumë pritur nga qeveria për shitjen e këtyre HEC-eve. Edhe pse një javë më parë u arrit një marrëveshje mes Ministrisë së Financave dhe Kurum për mënyrën e pagesës së TVSH-së që shteti i detyrohet kësaj kompanie dhe ajo e përdori si kusht për mos pagesën e privatizimit, për ekzekutimin e saj nevojitet një vendim i qeverisë, që do të përcaktonte të gjitha modalitetet, përfshirë edhe rimbursimin prej 3 miliardë lekëve për “Kurum”. Por, ende dje ekzekutivi nuk e ka marrë këtë vendim, çka do të vinte në pikëpyetje të gjithë procesin e stërzgjatur të privatizimit të HEC-eve, Bistrica 1&2 dhe Ulëz e Shkopet. Sipas afateve ligjore, 15 Maji është limiti kohor për arkëtimin nga kompania fituese e tenderit, të shumës prej 109.5 milionë euro. Sipas kontratës, paratë duhet të derdheshin në arken e shtetit shqiptar, 45 ditë pas miratimit nga Kuvendi, por duke llogaritur ditët e festave zyrtare dhe pushimet javore, dita e fundit për këtë transaksion është pikërisht 15 Maji. Marrëveshja e mbërritur mes palës qeveritare dhe kompanisë private gati dy javë më parë është përcaktimi i qartë i mënyrës e pagesës së këtij fondi, por edhe atij që i takon “Kurumit” për rimbursimin e TVSH-së nga ana e shtetit shqiptar, nëpërmjet Ministrisë së Financave. Gjithashtu, qartësohet se kjo marrëveshje do të bëhet efektive sapo të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Dy muaj më parë Kuvendi miratoi kontratat e shitjes së hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulëz e Shkopet, kompanisë turke “Kurum Internacional” kundrejt vlerës 109,5 milionë euro. Këto katër vepra energjetike prodhojnë në vit rreth 550 mijë Megavat në orë dhe kanë një fuqi të instaluar prej 80 Megavat. Kalimi i tyre në administrim privat erdhi pas një procesi tenderimi ku të paktën 4 raunde rezultuan të dështuara, çka detyroi qeverinë shqiptare që në mes të procesit të ndryshonte kriteret e garës. Megjithatë, nuk duket se janë vetëm këta faktorët që kanë ndikuar në mosrealizimin dhe shtyrjen e mëtejshme të tenderit. Tenderi i parë duhet të zhvillohej gjatë muajit mars, por ai u shty, pasi ministria vlerësoi si tepër të ulëta ofertat që arrinin deri në 80 milionë euro. Ndërsa, në tenderin e dytë të muajit shtator, kompanitë nuk dorëzuan oferta, por kërkuan një përmirësim të kushteve të dhënies me koncesion. Tenderi i trete  për dhënien me koncesion te 4 hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Shkopet-Ulëz që duhej të zhvillohej më datë 10 dhjetor nuk u zhvillua dhe u shty për në datë 21 dhjetor. Arsyet e dështimit të herëpashershëm të këtij tenderi  ishin kriteret e forta të vendosura nga qeveria shqiptare për dhënien me koncesion të veprave energjetike, por edhe të mospërmbushjes së tyre nga  kompanitë pjesëmarrëse. Kështu kompanitë duhet të linin garanci 10 milionë euro për pjesëmarrje, duhej të kishin një përvojë minimale prej 20 vjetësh në këtë sektor, si dhe të kishin në pronësi një ose më shumë vepra energjetike me një fuqi të lartë prodhimi. Megjithë procesin e tejzgjatur ende sot nuk kemi HEC-e të privatizuara, që konvertohen me arkën bosh të shtetit, dhe ku qeveritarët tanë mbanin një shpresë për të përmirësuar disi financat e rrënuara publike, apo për ti dhënë ndonjë lekë sipërmarrësve që nuk janë paguar për punët e bëra.

 

Një tjetër HEC për tu dhënë me koncension nga qeveria

Edhe pse qeveria shqiptare ka dështuar me të gjithë privatizimet e saj, ajo vijon të shesë apo të japë me koncension, të paktën në letër. Një vendim i tillë ishte dhe ai djeshmi i ekzekutivit shqiptar, ku përcaktohej autoriteti kontraktues për dhënien me koncension të hidrocentralit “Bershi-Klos”. Në vendimin qeveritar të djeshëm thuhej se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 3, e 23, pika 3, shkronja “b”, të  ligjit, nr.9663, datë 18.12. 2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave, u vendos që “autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Bershi-Klos”, të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim), është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”. Miratimi i bonusit prej 2 për qind të pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, për dhënien me koncesion të këtij hidrocentrali, që i jepet shoqërisë “Super Beton Mati”, sh.p.k. Do të jetë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Bershi-Klos”, duhet të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të pellgut ujëmbledhës, i cili përfshihet në skemën e shfrytëzimit të këtij hidrocentrali.

 

Share This Article
3 Comments
  • Jam nje ish-student ne univesitetin e ankaras per gjuhe turke, dhe me njohjet dhe koesponencen qe kam e mbaj me shume turq me emer ne biznesin turk, ka mese tre-jave qe asnje banke turke dhe nderkombetare nuk i jep me para dhe garanci firmes KURUM, e cila ka shume probleme financiare nderkombetare, edhe pse eshte mjafte afer kryeministrit Ordogan me disa lidhje “Hije”.
    Edhe ky pivatizim do pefundoj si Albpetroli… NUL, sepse Amerikanet dhe disa Europiane Perendimore te medhenj e te fuqishem, kane kapur linjen “Hije” te privatizimeve ne Shqiperi qe nga 2006.
    Kaq; se shume shpejt do dalin dhe fakte te tjera renqethese per shume e shume privatizime e koncesione, qe do publikohen nga vete te Huajt dhe jo aq nga Shqipetaret. Se perse do behet kjo ne Shtator 2013, nuk do shume MEND, sepse do kete rrotacion me Vote apo dhe me Dhune tip Libiane, nese qeveria aktuale do beje vjedhjet 1996 apo 2009 apo 2011.

  • Te nderuar punonjes te gazetes DITA; pak me pare ju kam shkruar nje koment me emrin Haxhi Islami, dhe vertete keshtu e kam emrin dhe ne Turqi nuk kam studiuar per Fe, por per Shkenca Ekzakte, prandaj mos kini dyshim ne ate qe ju shkruaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *