Adnan Januzaj është një nga talentet më të mëdhenj të brezit të tij, por duket se në të ardhmen nga aftësitë e tij do të përfitojë Belgjika dhe jo Shqipëria. Është Abedin Januzaj, babai i futbollistit, ai që deklaron se kombëtarja e vendit ku Adnani është lindur dhe rritur ka përparësi kundrejt skuadrës kuqezi. Pak ditë më parë, ishte xhaxhai i futbollistit që u shpreh se familja ka kontakte me FSHF-në, por tani është i ati ai që mohon, i intervistuar nga televizioni kosovar KTV. Abedini thotë se për momentin i biri i tij është i përqendruar vetëm te Manchester United, ku luan me të rinjtë dhe mund të kalojë në skuadrën e parë, ndaj nuk dëshiron të impenjohet me ndonjë skuadër përfaqësuese, e cila mund ta shpërqendrojë. Por, në vazhdimin e intervistës, ai nuk lë vend për iluzione: “Askush nuk na ka ftuar nga Shqipëria. Kur të na thërrasin, do t’i refuzojmë. Belgjika mbetet opsion për Adnanin”. Në këtë mënyrë, babai i futbollistit i ka përplasur derën në fytyrë Shqipërisë, ende pa u hapur mirë. Januzaj është me origjinë nga Istogu, por i lindur në Bruksel, ku edhe është bërë futbollist, në klubin e Anderlehtit, nga i cili u transferua në “Old Trafford” dhe ka marrë vlerësime maksimale nga Aleks Ferguson. Ishte pikërisht ky i fundit që ka marrë edhe një tjetër talent kosovar te “Djajtë”, Frederik Veselin, duke ua rrëmbyer rivalëve të qytetit, Manchester City. Ndryshe nga Januzaj, Veseli mund të veshë në të ardhmen fanellën kuqezi. Në këtë rast ka qenë vet futbollisti që ka folur për KTV, ku shpreh dëshirën për të luajtur me Shqipërinë. “Unë personalisht nuk kam pasur kontakte, por babai im po. Ka shanse të mira të bëhem pjesë e kombëtares shqiptare. Unë jam shqiptar dhe secili ka shpresa të luaj për kombin e tij”, thotë mbrojtësi Veseli, i cili është lindur në Zvicër. “Momentalisht jam i dëmtuar, por, pasi të shërohem dua të jap kontributin tim edhe për kombëtaren shqiptare”.

Adnanit dhe mund ti lejohej te shprehej keshtu,e do mundoheshim ta kuptonim,por te atit nuk i falet.se nese adnani nuk e ndjen kosoven para belgjikes eshte turp per te atin te ndodh kjo