Meta: Diferenca me PD rreth 200 mijë vota (INTERVISTË)

redaktor

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka deklaruar sot se e majta e bashkuar do t`i fitojë zgjedhjet e 23 qershorit dhe diferenca për aleancën e majtë do të jetë mbi 200 mijë vota.

I ftuar në emisionin “Tonight Ilva Tare”, Meta ka akuzuar edhe ish-aleatin e tij Sali Berisha sa i përket mosvotimit të tre ligjeve sipas kompromisit të propozuar prej tij.

Në lidhje me pyetjen për një përshkallëzim të retorikës midis LSI-së dhe qeverisë aktuale të kryeministrit Berisha, Ilir Meta tha se të gjitha këto probleme reale, konkrete dhe në rritje së bashku me disa shqetësime të tjera si çekulibrimi i balancave politike dhe përqëndrimi i tepruar i pushteteve në duart e kryetarit të PD-së, bëri që LSI të mbajë këtë qëndrim dhe të marri këtë pozicion të ri.

“LSI është munduar për të respektuar në maksimum marrëveshjen me PD-në, pa patur asnjë paragjykim për të gjetur një sebep për ta prishur atë. Nëse kjo marrëveshje funksionoi për 4 vite, është një meritë e LSI-së por edhe e kryeministrit Berisha. LSI i bëri të gjitha përpjekjet për një president konsensual, pasi kjo ishte një çështje kyç përsa u takon pushteteve në vend, por për arsye dhe faktor që nuk vareshin vetëm nga LSI dhe nga mënyra si u soll lidershipi i PS-së, si dhe përpjekjes së PD-së për të patur ndikimin e saj në këtë institucion, solli një moment të tillë që do të sillte më vonë përfundimin e kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Meta.

Kreu i LSI-së ka folur gjithashtu edhe për pjesën e përgjegjësisë që mban LSI-ja në qeverisjen e vendit këto 4 vjet duke theksuar se LSI-ja nuk ka pasur lidershipin e qeverisë dhe se pret që kjo përgjegjësi të lexohet te vota e shqiptarëve në 23 Qershor.

Z. Meta keni akuzuar qeverinë shumë këto kohët e fundit. Këto ditë që kaluat në opozitë ka këto probleme qeveria?

Jo nuk është tamam kështu. Por, absolutisht që këto janë probleme reale, janë probleme konkrete dhe janë probleme në rritje. Dhe të gjitha këto, së bashku edhe me disa shqetësime të tjera, ku themelore ka qenë një çekuilibrim i balancave politike dhe një përqendrim i tepruar i pushteteve në duart e kryetarit të PD, që është dhe kryeministër. Pra, në kompleks, të gjitha këto kanë sjellë dhe pozicionin e ri të LSI.

Cilin pushtet morri Berisha pa votën tuaj?

Lidhur me këtë pyetje, unë mund t’u them se LSI që ditën që ka bërë një marrëveshje me PD, është angazhuar për të respektuar në maksimumin e mundshëm këtë marrëveshje, pa pasur asnjë paragjykim për të gjetur një sebep, apo një çështje për të prishur marrëveshjen. Dhe pa asnjë diskutim që nëse jo marrëveshje funksionoi katër vite, pavarësisht nga vështirësitë e saj të dukshme apo të padukshme, mendoj se në radhë të parë kjo është një meritë e LSI. Natyrisht që nuk mund të lë pa meritë dhe vetë z. Berisha personalisht. Por në fund të ditës mund të them që nëse LSI i bëri gjithë përpjekjet e saj për një president konsesual dhe për këtë besoj se dëshmitarë janë të gjithë ata që kanë ndjekur këto zhvillime, kur kjo ishte çështja kyç edhe përsa i takon raportit midis pushteteve në vend, edhe përsa i takon mundësive për të rritur ose pakësuar hapësirën  e bashkëpunimit midis mazhorancës dhe opozitës. Është e qartë që për arsye dhe për faktorë që nuk vareshin vetëm nga LSI, por edhe nga mënyra se si u soll lidershipi i PS, që duhet të kishin qenë sipas mendimit tim më bashkëpunuese dhe më realist,  por edhe për shkak të një përpjekje të PD për të pasur këtë institucion, si të thuash për të pasur një ndikim të sajin, solli një moment të tillë, i cili në fakt natyrisht që do të sillte më vonë edhe përfundimin normal të një marrëveshje katërvjeçare. Që do të thotë se, LSI duke votuar për presidentin i cili u propozua nga vetë PD, njëkohësisht dhe në emër të një stabiliteti të rrethanave, po tu kthehemi përpara një viti zhvillimeve, padyshim që kjo përgjegjësi që morri atëherë  shoqërohet tani dhe me një përgjegjësi tjetër më të madhe.

A mund ta kishit kushtëzuar më shumë z. Berisha, qoftë dhe në zgjedhjen e presidentit, qoftë dhe në vendime të tjera në ato që ju i quani uzurpim të pushteteve?

Nuk është problemi i kushtëzimit. Por, në politikë gjërat nuk zhvillohen si në laborator ku mund ti kontrollosh disa procese. Gjithmonë, të gjithë ata që janë jashtë politikës kanë aftësinë dhe është shumë e lehtë të ngresh kritika, por në fund fare politika është produkt i rrethanave dhe i mundësive konkrete. Duhet të kemi parasysh që LSI kapitur një përfaqësim modest në parlament, dhe natyrisht ka pasur dhe një përgjegjësi gjithmonë për të vënë në balancë stabilitetin dhe pasojat e  mungesës së stabilitetit të vendit.

Meqë jemi te përgjegjësitë, a mban LSI-a përgjegjësi për qeverisjen në këto katër vitet e fundit?

Patjetër që LSI i mban këto përgjegjësi, që mund të mbajë për ato pozicione dhe për atë peshë reale që ka pasur në qeverinë apo qeverisjen e vendit. Por, duhet të jemi të qartë që LSI nuk ka pasur lidershipin e qeverisë. Ka bërë përpjekjet e saj më të mira dhe më konstruktive. Dhe në këtë drejtim ne jemi të hapur për të mbajtur çdo përgjegjësi dhe përgjegjësia do lexohet të vota.

Kur jeni të hapur keni ndonjë përgjegjësi konkrete që mund ta ndani?

Nuk e besoj. Ndoshta një defekt i marrëveshjes bërë me PD, ka qenë fakti që përgjegjësitë mund të kishin qenë më të qarta, më të ndara sipas sektorëve. Është e vërtetë që dikur LSI mund të ketë pasur ministri, është po kaq e vërtetë që Drejtori shumë të rëndësishme kanë qenë drejtuar nga përfaqësues po themi të PD, e kështu me radhë. Por, kjo nuk është një arsye për tu shmangur nga këto përgjegjësi që ne mund të marrim dhe që i kemi marrë.

A mendoni se mund t’ju penalizojnë me votën e 23 qershorit?

Jo, sepse unë mendoj që qytetarët shqiptarë në radhë të parë, do ta vlerësojnë LSI-në për guximin e saj për të marrë vendime të rëndësishme, në radhë të parë në interesin e përgjithshëm të vendit. Dhe unë mendoj se koalicioni me PD-në, pas zgjedhjeve të vitit 2009 ishte një përgjegjësi, ishte një kosto, ishte thyerja e një tabuje por ishte zgjidhja e vetme për ato momente, e cila ndoshta nuk u kuptua shumë dhe nga mbështetësit tanë fillimisht, por që më pas pati një mirëkuptim sepse sidoqoftë solli një stabilitet, solli një qetësi, solli liberalizim e vizave, pavarësisht nga vështirësitë e tjera.

Ka një ministri aktuale që ka qenë shumë direkte me sulmet apo në deklarimin e aferave korruptive nga drejtimi i LSI nga MSH, e kam fjalën për ministrin Kosova. Ju si e vlerësoni dhe si i gjykoni komentet e tij?

Unë këtë nuk e vlerësoj fare si shqetësim,  sepse e di që ai ka pasur një problem personal me ish ministrin, dhe janë të dy të një fushe, në fushën e mjekësisë kështu që nuk ja vlen të hyjmë në këto çështje. Është personale, fare banale.

S’ka të bëjë me një qëndrim të PD ndaj LSI?

Absolutisht. PD i ka të gjitha letrat aty. Ka prokurorinë, i ka gjykatat, i ka të tëra. Ne në momentin që kemi marrë një vendim politik, mendojmë se i shërbyem vendit në radhë të parë. Nuk kemi pasur asnjë shqetësim dhe nuk kemi asnjë shqetësim nga institucioni  i SHIK, i prokurorisë i të gjithëve, nuk kemi asnjë shqetësim.

Z. Meta si është të kalosh nga qeveria në opozitë brenda natës?

Unë nuk mendoj se për një politikan me një përvojë, jo të pakët si puna ime dhe në funksione të ndryshme, kjo përbën ndonjë ngjarje të rëndësishme. Absolutisht. E rëndësishme është kudo që je të japësh kontribut pozitiv dhe ti shërbesh perspektivës kryesore që duhet të ketë vendi. Dhe besoj se fakti që ne kemi menduar dhe kemi gjykuar që me këtë vendim ne i bëjmë një shërbim pozitiv vendit veç se na bën të ndihemi më mirë.

Si e komentoni deklaratën e z. Berisha që thotë se ju  një ditë silleni si qeveritar, një ditë si opozitar?

Kjo natyrisht që është një gjetje interesante, sepse ndërkohë gjërat janë bardh e zi, dhe të luftohet për vdekje unë mendoj që Shqipëria e ka kaluar këtë fazë, Shqipëria është në një fazë tjetër, shumë më të emancipuar të politikës dhe roli i LSI është i tillë që ti shërbejë këtë emancipimi. Gurë-gurë bëhet murë, por gurë- gurë bëhet dhe urë, dhe ne kemi qenë dhe jemi për ura bashkëpunimi. Ndoshta doktori e ka të vështirë që të kuptojë qëndrimet tona, të cilat një ditë i duken kritike, një ditë i duken si konstruktive, por ajo që dua të them unë është që nuk është kjo çështja kryesore e shqiptarëve, se çfarë thotë Meta sot e çfarë thotë Meta nesër. Problemi është që unë nuk po arrij të kuptoj kryeministrin Berisha, i cili për një kohë të gjatë është angazhuar për miratimin e tre ligjeve, dhe tani që LSI-ja dhe unë personalisht kemi propozuar një kompromis që këto tre ligje të miratohen tani pa u mbyllur ky sesion parlamentar, dhe të hyjnë në fuqi në shtator, bën sikur nuk e dëgjon këtë dhe thotë o më votoni kështu siç dua unë, ose hajde të bëjmë referendum në shtator. Kur këtu kemi të bëjmë më një çështje madhore për vendin, nuk është se kemi të bëjmë me një raport personal ose një debat të karakterit të ngushtë partiak.

Ju thatë që mbaroi marrëveshja, ndërsa Berisha deklaroi sot se u ndërpre marrëveshja nga LSI-ja.

Nuk ka as prishje, as ndërprerje, por ka përfundim të një marrëveshje.

Për të shkaktuar qeveri teknike? Për të shkuar në zgjedhje me një qeveri teknike? Për të rrëzuar qeverinë?

Kjo është hera e parë që kemi një qëndrim të tillë nga ana e kryeministrit Berisha, që në fakt nuk është në koherencë me qëndrimet e mëparshme. Sepse edhe përpara se të mbyllej kjo marrëveshje, në një konferencë shtypi ku është pyetur për LSI-në, Berisha  ka thënë se ajo është në interesin e tyre më të mirë se si do të vendosin, dhe unë i mirëkuptoj për këtë gjë. Dhe ky ka qenë një qëndrim shumë parimor dhe i arsyeshëm. Lidhur me momentin e përfundimit të kësaj marrëveshje, unë ja kam bërë të qarta z. Berisha të gjitha arsyet pse e konsideroj të përfunduar, sepse ne duhet të merrnim pozicion për zgjedhjet e ardhshme. Ashtu sikurse  i kam bërë të qartë që ne nuk synonim që të votojmë kundër qeverisë së z. Berisha, për arsye sepse nuk shkonte që për një kohë kaq të shkurtër të ishim në qeveri dhe nuk ka qenë asnjëherë ky synimi i LSI-së, por e vërteta është se nuk ka qenë asnjëherë as synimi i z. Rama, dhe ai asnjëherë nuk ka kërkuar këtë gjë. Përkundrazi, qëllimi ynë ka qenë të përfundojmë një marrëveshje, të dalim në opozitë, dhe të vazhdojmë përpara me qëllim që të ecim më shpejt. Njëkohësisht, ne ishim të vendosur për të vazhduar bashkëpunimin në nivelin vendor siç ka qenë, dhe e kemi respektuar këtë marrëveshje deri në një ditë përpara se të hiqej në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme anëtari i KQZ-së që ishte propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Pra nuk kemi pasur asnjë qëllim destruktiv, aq më tepër nuk kemi ideuar asnjë lloj komploti të cilin z. Berisha e shpartalloi.

A ishte parimore që ju të merrnit anëtarin në KQZ duke qenë pjesë e mazhorancës dhe pastaj të braktisnit mazhorancën në kohën që ishte formatuar KQZ?

Së pari nuk kemi kërkuar asnjëherë ne që të jemi anëtarë në KQZ. Ka qenë vetë z. Berisha i cili më ka thirrur dhe më ka thënë që anëtari në KQZ ju takon juve për tu propozuar. Ne duhet të kemi parasysh që anëtarët e KQZ-së vërtet propozohen nga partitë por propozohen me disa kushte të qarta në mënyrë që ata të garantojnë një funksionim të pavarur dhe me integritet. Pra nuk janë përfaqësues partish. Absolutisht që nëse z. Berisha do më kishte thënë mua në takimin e 1 prillit që kjo çëhstje prish balancën kjo mund të ishte zgjidhur në një mënyrë më njerëzore, pa qenë e nevojshme të krijohej kjo gjullurdi. Unë kam mendimin që edhe z. Berisha nuk e ka pasur këtë ide për këtë veprim që bëri por më pas natyrisht elementë jo shumë konstruktiv pranë tij e kanë nxitur për të treguar këtë forcë që “ne e ndryshojmë KQZ-në”, për të demonstruar një forcë të panevojshme e cila natyrisht ka sjellë pasoja tepër negative për besueshmërinë e KQZ-së.

Ka elementë destruktivë që e ndikojnë z. Berisha?

Mendoj se ai ka qenë i përmbajtur dhe i mirëkuptuar për të gjitha zhvillimet dhe absolutisht mendoj se trauma që krijoi me KQZ-në ishte e panevojshme. Unë nuk e kuptoj se çfarë do t’i bënte opozita këtij në rast se do të ishte raporti 4 me 3. Si mund t’i marrë zgjedhjet opozita në tavolinë.

Ata dyshonin se këtu ka një puç nga ana juaj me aleancën me PS-në?

Këtu ka një paragjykim. Aleanca me Partinë Socialiste është vendosur në ditët e fundit të marsit. Varianti ynë kryesor ka qenë për të krijuar një pol të tretë dhe për të vijuar qëndrimin në qeveri deri në zgjedhje. Por për arsye të ndryshme, edhe të mosgjetjes së gatishmërive të disa faktorëve për ta krijuar këtë pol, vendosëm që kjo ishte zgjidhja më e mira. Mendoj se ka qenë edhe zgjidhja më e drejtë dhe më e moralshme.

 

Share This Article
2 Comments
  • Me 200 mije vota teper besoj se Meta i nxjerr nja 120 depudete.E them kete se kur ishte Kryeminister ne zgjedhjet e 2001 Meta ne Dushk te Lushnjes dolen fiks 13 depudete.Ajo zone nuk besoj se kishte mbi 20 mije zgjelles dhe ne vend te nxirrte 1 depudet nxorri 13.
    Ky duhet degjuar ka Dhene prova per nxjerrje te dhjamit nga pleshti dhe leke nga pushteti.
    Po foli per keto dy gjera si nxirren depudet sa te duash dhe si perfitohen leke nga pushteti
    besoje se dine Meta me mire se cdo politikan tjeter

  • nje pyetje e drejteperdrejte A do te ishit dakort qe KZAZ te ishin 5 me 2 ne favor te pozites dhe KQZ 4 me 3 ne favor te opozites nese po dil dhe propozoje publikisht nese jo zbatoni kodin zgjedhor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *