60 kg marijuanë janë sekuestruar nga policia e Gjirokastrës, ndërsa dy transportuesit janë shpallur në kërkim. Operacioni i policisë është kryer në orët e para të mëngjesit në afërsi të Ujit të Ftohtë, ku dy persona janë konstatuar duke transportuar në shpinë çanta me marijuanë. Sipas policisë, shtetasit që po transportonin drogën janë dy adoleshentë 17 e 18 vjeç, nga Hormova I.M dhe D.A, të cilët janë shpallur në kërkim. Lëndën narkotike e kishte blerë në Lazarat një shtetas nga Tepelena dhe nga Lazarati deri në afërsi të postbllokut të Policisë në Ujin e Ftohtë Tepelenë e ka transportuar me automjet, për t’ua dorëzuar më pas dy të rinjve, të cilët do ta transportonin me krahë, me qëllim shmangien e postbllokut të policisë dhe në afërsi të fshatit Luzat do ta merrte përsëri shtetasi nga Tepelena. Destinacioni përfundimtar i drogës ishte Italia.
