Paskal Andoni: Të burgosurve u morëm dëshmi nën torturë për Mehmet Shehun, Spiro Kolekën e Gago Tashkon

anazapta

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes, seanca e 9. Dëshmia e oficerit të Sigurimit Paskal Andoni për marrjen e dëshmive kompromentuese nga të dënuarit me vdekje para ekzekutimit për Mehmet Shehun, Spiro Kolekën e Gago Tashkon, si dhe arrestimet masive në rrethet veriore të vendit.

 

Vango Mitrojorgji: Pasi bisedoi dhe Vaska me Koçi Xoxen, vendosëm arrestimet në masë. Dhe të nesërmen arrestuam e torturuam: Në Shkodër 15 vetë, në Koplik 15 vetë, në Kukës 10 vetë, në Shkodër-Rreth 15 vetë, në Dukagjin 15 vetë, në Mirditë 10 vetë, etj. Numri arrinte në 95 vetë!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Në vazhdim të seancës së 9 të gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij, i pandehuri Vango Mitrojorgji vihet përballë dëshmitarit Paskal Andoni, ish-oficer i lartë në Sigurim. “Të burgosurve u morëm dëshmi nën torturë për Mehmet Shehun, Spiro Kolekën e Gago Tashkon. Pasi bisedoi dhe Vaska me Koçi Xoxen, vendosëm arrestimet në masë. Dhe të nesërmen arrestuam e torturuam: Në Shkodër 15 vetë, në Koplik 15 vetë, në Kukës 10 vetë, në Shkodër-Rreth 15 vetë, në Dukagjin 15 vetë, në Mirditë 10 vetë, etj. Numri arrinte në 95 vetë”, dëshmohet mes të tjerave në këtë seancë…

 

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Hapim seancën e 9 të gjyqit me pyetjen e të pandehurve…

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë me pyetjen e të pandehurit Vango Mitrojorgji. A ke dhënë urdhër ti i pandehur të merren në pyetje të burgosur të dënuar me vdekje?

 

Vango Mitrojorgji: -Unë i propozova Vaskës që të merren rishtazi në pyetje të dënuarit A. Konomi dhe A. Xega për të na sqaruar disa çështje të organizatës dhe pastaj, duke u nisur nga Plenumi i 8-të i thashë Vaskës ta pyesim Xegën edhe për shokun Nako Spiro… Dhe e porosita Paskal Andonin ta pyeste Xegën për Nakon se çfarë dinte. Kurse për Anthim Konomin nuk i përcaktova gjë se përse ta pyeste.

 

Prokurori: -A di ti që të jenë pyetur pas dënimit edhe të tjerë të dënuar me vdekje?

 

Vango Mitrojorgji: -Unë di që janë pyetur edhe deputetë pas dënimit me vdekje. Dhe kur erdha nga Bashkimi Sovjetik pashë deklarata për Spiro Moisiun, Gaqo Tashkon, Spiro Kolekën. Por unë këto gjëra nuk i besova. Kur m’i solli Paskal Andoni këto deklarata, unë ja ktheva duke i thënë se janë gënjeshtra. Por Paskali më tha se Anthim Konomi insistonte në  të tijën…

 

(Mbi këtë shoku Prokuror lexon një deklaratë të Paskal Andonit, në të cilën, ndër të tjera, përshkruan se si i pandehuri Vango Mitrojorgji e ka porositur që në pyetjen e të burgosurit Ihsan Qereshniku të nxirrte diçka për gjeneral Mehmet Shehun. Gjithashtu, edhe për të burgosurit A. Xega dhe Anthim Konomi, të cilëve t’u merrte deklarata për Spiro Kolekën, Medar Shtyllën, Gaqo Tashkon dhe se si Vango Mitrojorgji ka insistuar që të merreshin këto deklarata prej këtyre, edhe pasi dënoheshin me vdekje).

 

Vango Mitrojorgji(I pandehur): -Këto nuk janë të vërteta.

 

Prokurori: -Po a nuk propozove ti që të mos ekzekutoheshin A. Xega dhe A. Konomi, me qëllim që të nxirren prej tyre fakte?

 

Vango Mitrojorgji: -Unë propozova që të mos ekzekutoheshin për të nxjerrë ndonjë informatë, por nuk kam insistuar që të merren prej tyre deklarata për shokët Spiro Koleka, Medar Shtylla e Gaqo Tashko.

 

Prokurori: -Po ti kishe parë dosje në Sigurim për këta shokë dhe nga ana tjetër, informata të tjera erdhën. Ç’të shtyu pra që të mos i besoje ato?

 

Vango Mitrojorgji: -Unë dosjet në Sigurim për këta i kisha parë, por deklaratat që më solli Paskal Andoni nuk i besova.

 

Prokurori: -A di gjë ti për të burgosurin Riza Alizoti, për cilin kishte treguar ky?

 

Vango Mitrojorgji: -Riza Alizoti bënte pjesë në organizatën tekniko-intelektuale dhe ky kishte treguar për Sejfulla Malëshovën dhe për Lefter Konomin.

 

Prokurori: -Dosjet e hapura në Sigurim për udhëheqësit dhe që u treguan këtu, a i ke parë ti?

 

Vango Mitrojorgji: -Po, dosjet e udhëheqësve që u treguan këtu, i kisha parë në Sigurim. Ato dosje i mora në dorëzim prej Vaskë Kolecit se ky i kishte më parë.

 

Prokurori: -Prej vetë faktit që për këta ndodheshin dosje në Sigurim, a është e mundur që ti të mos u thoshe vartësve tuaj të mos hetonin për të grumbulluar material për këta? S’ka dyshim, se kur çelen dosje dhe për ata, thuhet se janë në rrugë armiqësore, pa tjetër se do të ndiqeshin deri në fund, a është kështu?

 

Vango Mitrojorgji: -Unë informatat e dosjeve i kam parë, por ato i shkonin Vaskës, ky ja jepte Ministrit dhe pastaj, me ndërmjetësinë e Vaskës, më ktheheshin përsëri mua për t’i vendosur në dosje. Unë, bile i kisha thënë Vaskës t’i hiqnim ato dosje dhe po të gjendej ndonjë fakt, e shihnim.

 

Prokurori: -Ti doje heqjen e dosjeve, por nga ana tjetër ke dashur që t’u vije nga një njeri pas këtyre udhëheqësve që t’i ndiqte?

 

Vango Mitrojorgji: -Vaska më tha se dosjet mirë i heqim, por atyre t’u vëmë nga një njeri afër.

 

Prokurori: -A ishin njerëz të dyshimtë këta që kishin dosje?

 

Vango Mitrojorgji: -Po, që ishin të dyshimtë këta, unë e kam ditur.

 

Prokurori: -Po për arrestimet në minoritet, çfarë di ti, a janë bërë arrestime në masë?

 

Vango Mitrojorgji: -Ky ishte orientimi. Më vonë mora vesh se këto arrestime nuk ishin të faktuara. Por Jashar Kasimati urdhërohej të vepronte në atë mënyrë nga Koçi Xoxe. Këto arrestime kanë pasur si konsekuencë arratisje të minoritetit në Greqi si dhe shkaktim pakënaqësie. Di që janë arrestuar një numër i madh, por se sa ka qenë numri saktësisht, nuk e di.

 

Prokurori: -Po në veri, janë bërë arrestime të tilla në masë?

 

Vango Mitrojorgji: -Po, në veri janë bërë arrestime në masë dhe ka qenë vetë Vaska atje. Në Peshkopi janë vrarë 10 vetë pa gjyq. Di gjithashtu se pas rezolucionit të Inform-Byrosë në Veri ishin arratisur disa persona dhe kjo është shkaktuar me qëllim. Me këtë rast, seksionet kërkonin marrjen e masave. Unë ja referova këtë Vaskës dhe ky bisedoi me të pandehurin Koçi Xoxe. Dhe të nesërmen u vendos që të bëheshin këto arrestime: Në Shkodër 15 vetë, në Koplik 15 vetë, në Kukës 10 vetë, në Shkodër-Rreth 15 vetë, në Dukagjin 15 vetë, në Mirditë 10 vetë. Numri arrinte në 95 vetë.

Unë i thashë Vaskës se po bëhen shumë arrestime duke thënë se nuk është mirë t’u lihet dorë e lirë seksioneve e pastaj të veprohet në arrestime. Por Vaska kundërshtoi se zgjatej koha sa të vinte materiali që andej. Numri i arrestimeve u tejkalua nga seksionet, sidomos në Shkodër ku u arrestuan pothuaj dyfishi. Këto arrestime kanë shkaktuar panik dhe kanë përgatitur terrenin e agjentëve jugosllavë duke shkaktuar arratisje në masë.

 

Prokurori: -Kush është përgjegjës për këto vepra?

 

Vango Mitrojorgji: -Për këto, përgjegjës në radhë të parë është i pandehuri Koçi Xoxe, pastaj i pandehuri Vaskë Koleci. Kurse për veten time nuk më vjen përgjegjësi se unë nuk mora ndonjë vendim.

 

Prokurori: -A kishe ti për detyrë si anëtar partie të mbroje vijën e Partisë dhe a bëre ndonjë rezistencë ti për këtë punë?

 

Vango Mitrojorgji: -Unë e pashë se ky ishte një veprim i padrejtë. Unë kam liruar një pjesë me kokën time.

 

Prokurori: -Domethënë, ti kishe në dorë të liroje të burgosurit.

 

Vaskë Koleci: -Vango Mitrojorgji shkoi atje në lidhje me situatën e krijuar për shkak të arratisjeve. Kur u bënë këto arrestime ky nuk ka kundërshtuar aspak. Bile ky paraqiti një relacion që kërkonte arrestimet dhe unë këtë relacion ja parashtrova Ministrit.

 

Prokurori: -Ke torturuar ti me dorën tënde, i pandehuri Vango?

 

Vango Mitrojorgji: -Unë kam torturuar Syrja Selfon.

 

Prokurori: -Në ç’mënyrë e ke torturuar?

 

Vango Mitrojorgji: -Kam përdorur drurin, telefonin, telin, duke e lënë pa bukë, lidhur me litar e me tel.

 

Prokurori: -A ke përgjegjësi për këto?

 

Vango Mitrojorgji: -Për torturat kam përgjegjësi dhe gjithashtu pranoj përgjegjësinë për sabotimin e vijës, që torturat u bënë sistem pune.

 

Prokurori: -Për sabotimet që bënin jugosllavët, çfarë masash janë marrë?

 

Vango Mitrojorgji: -Për sabotimet që më janë referuar, unë ja kam dërguar ministrit dhe Nënministrit e pasi përktheheshin, i jepeshin Safetit.

 

(Mbi këtë Prokurori lexoi një raport që i ka qenë drejtuar Drejtorisë së Sigurimit në të cilin tregohen disa vepra arbitrare të jugosllavëve dhe që poshtë këtij raporti, figuron një anëshkrim me dorën e të pandehurit Koçi Xoxe në të cilën thotë se Botorja e Tregtia kanë të bëjnë me këto gjëra. Ju tregua Koçi Xoxes ky shkrim dhe ai tha se është i tij).

 

Koçi Xoxe: -Janë marrë masa kundër atyre që përmenden në raport. Unë, Koçi Xoxe, kurrë nuk kam qenë agjent i huaj.

 

Prokurori: -Unë e njoh prej kohësh banditin Koçi Xoxe dhe trupi gjykues, e njohu mirë prej 10 ditësh këtu. Ne nuk mund të bazohemi në fjalët e tua. Ne gjendemi përpara fakteve të kundërshtueshme. Megjithëse ndodhet para sabotimeve banditi Koçi Xoxe shkruan me dorën e tij se me këto ka të bëj Botorja dhe Tregtia.

 

Prokurori: -Kur ke parë sabotime të tilla, përse nuk ke ngritur zërin, ti i pandehuri Vango?

 

Vango Mitrojorgji: -Ka pasur raste sabotimesh plot që kanë bërë jugosllavët dhe nuk janë marr masa. Rastet që janë vërtetuar gjatë kohës time, ja kam referuar Ministrit. Koçi Xoxe nuk ka urdhëruar të merren masa kundër jugosllavëve sepse ai ata i mbronte. Edhe unë kam faj se nuk e kam ngritur zërin me forcë.

 

Prokurori: -Domethënë, ti nuk ke ndonjë përgjegjësi në lidhje me këtë punë?

 

Vango Mitrojorgji: -Puna ime ka shpënë ujë në mullirin e Koçi Xoxes. Në punën time mbështetej Koçi Xoxe, por unë nuk kam vepruar me koshiencë.

 

Prokurori: -A u revoltua ndonjëherë koshienca jote karshi këtyre veprave?

 

Vango Mitrojorgji: -Koshienca ime nuk u revoltua ndonjë herë se nuk dyshoja që këto bëheshin me qëllim.

 

Prokurori: -Po me gjithë këto poshtërsi që bëheshin në organet e Sigurimit, po të ishte ndonjë tjetër, ose do të kishte vrarë Koçi Xoxen, ose do të rrëmbente armën e do të arratisej në mal. Ti e sheh që je para një tradhtie dhe vazhdon në rrugën e banditit Koçi Xoxe.

 

Vango Mitrojorgji: -Nuk dyshoja që Koçi Xoxe i bënte qëllimisht këto vepra kriminale. Pata besim tek ai.

 

Prokurori: -A nuk i bëre vetes ndonjëherë pyetjen se cili është ky Koçi Xoxe, ku ka luftuar, çfarë ushtrie ka organizuar, çfarë repartesh ka drejtuar?

 

Vango Mitrojorgji: (Hesht, nuk përgjigjet…)

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e të pandehurit Vango Mitrojorgji: Me urdhër të Koçi Xoxes, në vitin 1946, provokuam Myslym Pezën me një femër me qëllim presioni e pasurim të dosjes së shantazhit.

-Dëshminë e të pandehurit Nuri Huta në seancën e nëntë të gjyqit: Çfarë detyrash më ngarkoi Koçi Xoxe në vitin 1945 kur më dërgoi me mision ushtarak në Beograd.

-Dëshmia e të pandehurit Huta: Takimi im i parë në Jugosllavi me Gilasin, letra e Koçi Xoxes për të dhe biseda që bëmë së bashku.

Share This Article
3 Comments
  • GJYQE KOMUNISTESH…………..PHFFFFFFFFFFF,,,,,,,,,,,”GJELLE QENSH”,,,,,,TE GJITHE NE SHERBIM TE “DULLES”,,,,,,,NJEHERE JANE BASHKELUFTETARE PASTAJ KUR NUK I SHERBENIN ME “DULLES” SHPALLESHIN ARMIQ TE POPULLIT,,,,,MJERE POPPULLI I SHKRETE C;KA DURUAR,,,,,,,,LOJA E DULLES,( SHOKE NE FILLIM, PROKURE PASTAJ, ME PAS EDHE PROKURORET BEHEN ARMIQ,,,,,,SI NE KETE RAST “BEDRI SPAHIU” PROKUROR EDHE ME PAS DO TE SHPALLEJ ARMIK I POPULLIT),,,,,,,,,DOKUMENTE TE ARKIVAVE QE NUK KANE ASNJE PIKE VLERE PER MUA , POR EDHE PER SHUME TE TJRE BESOJ,,,,,,O REDAKTORI I “DITES” BOTO NOI LAJM ME TERHEQES SEPSE ARKIVAT E SHTETIT KANE DOKUMENTE ME “PIKANTE” SE SA KY,,,,,,,,,!!!!!!!!!!!

  • O ti skeptik, e ke pra nje lajm shume domethenes sot ne kete gazete: “Shqipëria ka vdekshmërinë foshnjore më të lartë në Europë”.

    Ne kohen e dulles sic e quan ti, kishim vdekshmerine me te ulet ne europe, bile dhe me mire se vendet skandinave.

    Do gje tjeter te vertete per kohem e “dulles” qe u dullofshi ishalla e u ngurofshi.

    Kafshe qe ju beri njerez dhe nuk ja dini. Poe ska gje se jeni kthyer prape ne origjine: kafshe me bisht

  • Po prokurori pse i drejtohet K. Xoxes me fjalen: “Bandit” e jo sic duhet ” I pandehur” . Kishte te drejte Xoxja qe e quante gjyq formal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *