“Koçi më kishte ndaluar kategorikisht që asnjë informacion të mos u jepej ministrave dhe udhëheqësve të tjerë, por vetëm atij. Në veçanti ruhej nga Nako Spiro, Kiço Ngjela e Mehmet Shehu. Në rastin që takova Liri Gegën me Gilasin në Beograd më qortoi rëndë: ‘Ç’punë ka Liria me Gilasin!’”
(Vijon nga numri i kaluar)
Diplomati Nuri Huta, i pandehur si një nga 5 anëtarët e grupit armiqësor-trockist të kryesuar nga Koçi Xoxe, në vazhdim të deponimeve në seancën e 9 të gjyqit, sjell dëshmitë e aktivitetit armiqësor të tij si ‘korrier’ i Koçi Xoxes me Titon e vartësit e tij, bisedat e letërkëmbimet për çështjen e Kosovës e probleme të tjera.
“Unë i sillja Koçi Xoxes nga Beogradi udhëzimet e Titos, Rankoviçit
dhe udhëheqësve të tjerë jugosllavë. Koçi më kishte ndaluar kategorikisht që asnjë informacion të mos u jepej ministrave dhe udhëheqësve të tjerë, por vetëm atij. Në veçanti ruhej nga Nako Spiro, Kiço Ngjela e Mehmet Shehu. Në rastin që takova Liri Gegën me Gilasin në Beograd më qortoi rëndë: “Ç’punë ka Liria me Gilasin!” – pohon në këtë seancë i pandehuri Nuri Huta….
Prokurori: -Vazhdojmë seancën e 9 me pyetjen e të pandehurit Nuri Huta. I pandehuri Nuri Huta, a ke biseduar ti në Beograd për çështje që nuk të takonin?
Nuri Huta(I pandehur): -Kam marrë urdhër që të interesohesha vetëm për çështjen e grurit sepse ushtria kishte nevojë dhe jugosllavët po e zgjasnin. Më vonë, ata më thanë që grurin ta merrnim në një krahinë të largët të Kosovës dhe duhej që ta tërhiqnim me makinat tona. Por makinat tona ishin të vjetra, nuk tërhiqnin mirë, e këtë jugosllavët na e bënin me qëllim sabotimi që të vonohej furnizimi me grurë. Atëherë mora një letër personale nga Koçi Xoxe, që nënshkruhej prej tij dhe që nuk kishte asnjë vulë të Komitetit Central. Këtë letër ja dorëzova Rankoviçit dhe ja shtrova edhe me gojë çështjet që shtronte Koçi. Rankoviçi thirri Ministrin e Tregtisë së Jashtme, por me gjithë këtë, ardhja e grurit u vonua.
Prokurori: -Ke pasur takim tjetër me Rankoviçin?
Nuri Huta: -Po kam pasur… Në këtë takim, Rankoviçi më dha dhe rezolucionin, të cilin e përktheva unë dhe ja dërgova Koçi Xoxes. Rankoviçi, me këtë rast më vuri në dijeni edhe për disa çështje që u rilevuan në Kongres dhe sidomos për disa devijime që ishin bërë nga shokët e Kosovës. Si për shembull, atë të Salës (Dushanit) që kishte mbajtur qëndrim shovinist për sa i përket gjuhës serbe. Për të gjitha këto, unë i shkrova Koçi Xoxes…
Prokurori: -Po tjetër bisedë çfarë ke pasur, ti i pandehur, me Rankoviçin?
Nuri Huta: -Bisedim tjetër me Rankoviçin kam pasur në lidhje me nxënësit shqiptarë të Akademisë Ushtarake. Ai më tha se janë dërguar elementë të papërgatitur në Akademi. Për të gjitha këto, e kam vënë në dijeni Koçi Xoxen.
Prokurori: -Po me Gilasin, çfarë ke biseduar?
Nuri Huta: -Me Gilasin jam takuar edhe kam biseduar edhe për çështjen e mitingjeve, demonstratave, parullave si dhe për organizimin e Shkollës së Partisë. Për këto më kishte ngarkuar Koçi Xoxe. Gilasi më dha programin e shkollës dhe më dërgoi edhe në shkollë ku u mbajt edhe një referat. Atje u ndodh edhe një delegacion i gruas shqiptare në të cilin bënin pjesë edhe shoqet Liri Gega e Nexhmije Hoxha.
Prokurori: -Të ka shkruar gjë Koçi Xoxe për punën e Kosovës?
Nuri Huta: -Koçi Xoxe më dërgoi një letër në të cilën kërkonte të informohesha se si e shikonte Partia Jugosllave çështjen e Kosovës. Unë për këtë bisedova me Gilasin dhe ai më tha se kush pyet për këtë gjë. Unë i thashë se Koçi Xoxe më shkruante për këtë gjë. Ai m’u përgjigj se të gjithë ju shqiptarët jeni inatosur me Kosovën. Më tha se Kosova ishte shqiptare, se kosovarët janë autoktonë dhe se çështja është e zgjidhur. Ky bisedim ka qenë aty nga marsi i vitit 1945. Gilasi më tha që të shtrosh sot për sot çështjen e Kosovës, do të thotë sikur të shtrosh çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, gjë e cila ka rrezik se bashkohej reaksioni i Kosovës me reaksionin e Malësisë së Veriut të Shqipërisë dhe më tha se rruga për socializëm nuk bashkon vetëm Kosovën me Jugosllavinë, por dhe Shqipërinë me Jugosllavinë e anasjelltas.
Prokurori: -Pse ai nuk të tha se bashkoheshin dy popujt, por të tha për bashkimin e reaksionit?
Nuri Huta: (Mbledh supet, nuk jep përgjigje).
Prokurori: -Të kanë thënë gjë jugosllavët për çetat e Kosovës?
Nuri Huta: -Kristo Popivoda më ka vu në dijeni për çetat e Kosovës se si kishin një plan të përbashkët ndërmjet këtyre çetave me reaksionin e veriut.
Prokurori: -Çfarë të ka thënë gjenerali Trziçi për brigadat tona në Kosovë?
Nuri Huta: -Për brigadat tona në Kosovë, gjeneral Trziçi më tha se me qenë se nuk kishte mbaruar lufta në tokën jugosllave, për shkak të furnizimit me materiale në front, më tha se brigadat vona duhet të kishin lidhje direkt me Shtabin e Përgjithshëm dhe jo me Shtabin e Korp-Armatës. Të gjitha këto ja shkrova Koçi Xoxes, por përgjigje nuk më pruri.
Prokurori: -Për luftën në Kosovë, a të foli gjë gjenerali Trziç?
Nuri Huta: -Jo, për luftën në Kosovë, nuk më ka thënë gjë. Vetëm më tha për frontin e Sremit.
Prokurori: -Ke pasur takim tjetër me Gilasin?
Nuri Huta: -Kam pasur kur më shkroi Koçi Xoxe që ta pyesja atë mbi perspektivën e zhvillimit të Jugosllavisë. Koçi më shkruante me dorën e tij, por unë nuk i kam ruajtur. Koçi, këto letra, m’i shkruante me shkrimin e tij, por unë thashë se nuk i kam ruajtur. Për këto bisedova me Gilasin dhe ky më tha ato që kam thënë në procesin hetimor. Për çështjen e provokacioneve në kufirin tonë të Jugut, Gilasi më tha se nuk kemi lajme të mjaftueshme. Mbi të gjitha këto unë i shkrova Koçi Xoxes, i cili më dërgoi disa relacione që ja dhashë Gilasit. Një relacion, ja dhashë edhe ambasadës sovjetike. Pasi çështja ishte e ndeme (e komplikuar), unë me iniciativën time erdha në Tiranë, ku takova Kiço Ngjelën, tek i cili më dërgoi Koçi Xoxe. Kur ika,(për në Jugosllavi) më dhanë edhe një raport të cilin unë ja dhashë Gilasit. Në atë raport flitej edhe për çështjen e çamëve, edhe të minoritetit grek.
Prokurori: -Kur je takuar herë tjetër me Miladinin?
Nuri Huta: -Tjetër takim me Gilasin kam zhvilluar në maj të vitit 1945 dhe ka qenë takimi i fundit, para se unë të largohesha. Gilasi më ka folur për Sejfulla Malëshovën se është anti-marksist, se Shkollën e Partisë kërkon ta kthejë në katedër filozofie, se në shtyp janë grumbulluar njerëz jo komunistë si Petro Marko, se botohen më tepër deklarata të Çurçillit se sa të tyret(jugosllavëve). Të gjitha këto unë ja thashë Koçi Xoxes, i cili më porositi që këto të mos ja thosha Kiço Ngjelës.
Prokurori: -Ke biseduar tjetër gjë me Gilasin?
Nuri Huta: -Në Beograd, kur bëhej Kongresi i Rinisë Ballkanike, Koçi më kishte thënë të merrja programin dhe rendin e ditës. Unë për këtë gjë kam biseduar me Gilasin, i cili më tha se në Kongresin e Rinisë shqiptare ka pasur parulla avangardiste. Dhe më tha gjithashtu për delegacionin tonë në Kongresin e Rinisë Ballkanike se ka pasur tendenca avanguardiste. Më tha se çështja e Branës është zmadhuar qëllimisht. Brana ka qenë instruktore në Kongresin e Rinisë këtu, por unë nuk e dija këtë çështje.
Prokurori: -Gjatë qëndrimit tënd në Beograd, vazhdove të shkosh pranë gazetës ‘Borba’. A je takuar ti atje me Gilasin dhe çfarë ke biseduar?
Nuri Huta: -Unë shkoja herë pas here në redaksinë e ‘Borbas’ dhe aty vinte për herë edhe Gilasi e shtronte probleme. Dhe kjo vazhdoi për një muaj. Në Shkollën e Partisë, më propozoi Gilasi që të shkoj.
Prokurori: -Pse ky interesim direkt për ty dhe nuk kërkove leje nga Tirana për të vajtur tek Shkolla e Partisë
Nuri Huta: -Gilasi më propozoi dhe unë vajta. Unë e dija si Shkollë Partie, e jo trockiste, prandaj nuk mendova se duhej kërkuar leje. Gilasi më tha gjithashtu se Velimir Stojniçi i kishte thënë se portat e Partisë ishin të mbyllura në Tiranë dhe se ndaj ai ishte i mendimit që është e kotë të ketë përfaqësues anëtarë të Komiteteve Centrale në vendet tona. Të gjitha këto ja kam thënë Koçi Xoxes i cili dhe më ka kritikuar se përse e kisha dërguar Liri Gegën tek Gilasi duke më thënë: ”Ç’punë kishte Liria tek Gilasi!?” Por unë i thashë se ajo ishte anëtare e Komitetit Central dhe kërkoi të takohej, prandaj e dërgova.
Prokurori: -More eksperiencë nga gazeta ‘Borba’ ti?
Nuri Huta: -Me sa pata mundësi, mora eksperiencë tek gazeta ‘Borba’.
Prokurori: -Kishte besim Koçi Xoxe tek ti?
Nuri Huta:- Derisa më dërgoi me këtë mision, sigurisht që kishte besim.
Prokurori: -Pasi erdhe në Tiranë, ku u caktove me shërbim?
Nuri Huta: -Pasi erdha këtu, Koçi më tha të bisedoja me Kiço Ngjelën, i cili në prezencë edhe të shokut Nako Spiro, më pyeti se çfarë eksperience kisha fituar. Dhe me këtë rast, pasi informova, më tha se do të qëndroja si ndihmës në Komisionin e Axhit-Prop-it të Komitetit Central, ku pas 6 muajsh, u bëra anëtar i këtij Komisioni.
Prokurori: -Kur filloi aktiviteti yt me jugosllavët këtu?
Nuri Huta: -Ndonjë kontakt këtu nuk kam pasur me jugosllavët para se të bëhesha Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Kulturore Shqipëri-Jugosllavi, në dhjetor të vitit 1946.
Prokurori: -Me cilët jugosllavë ke pasur kontakte këtu?
Nuri Huta: -Kontakte me jugosllavët kam pasur këtu që kur u emërova me përgjegjësinë e politikës së jashtme të shtypit dhe pasi u caktova si Sekretar i Lidhjes Kulturore… Kam pasur kontakte me Marko Çukoviq që ishte atashe i shtypit, me Gjergjën që ishte Ministër në Tiranë si dhe me Drago Kosmerl që ishte atasheu kulturor pranë legatës…
Prokurori: -Me Safet Filipoviçin a je njohur?
Nuri Huta: -Jo, me këtë nuk jam njohur.
Prokurori: -Me Gjergjën kur je njohur dhe ç’lidhje ke pasur?
Nuri Huta: -Me Gjergjën jam njohur një herë kur na thirri për drekë gjithë këshillin e shoqërisë. Më vonë ky më kërkoi planin e punës, pasi unë i kërkova material për shoqërinë.
Prokurori: -Çfarë të tha Gjergja?
Nuri Huta: -Gjergja më tha për çështjen e aktivizimit të shoqërisë, më tha se nuk po e vinim në jetë eksperiencën jugosllave, më foli për sabotimin e Maliqit duke thënë se teknikët jugosllavë e kishin zbuluar këtë sabotim, ndërsa shqiptarët nuk e kishin parë… Domethënë, ky ngrinte teknikët jugosllavë…
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e të pandehurit Nuri Huta: Çfarë më thanë jugosllavët pas vetëvrasjes së Nako Spiros. Dhe pakënaqësia e tyre për Mehmet Shehun, i cili nuk i vlerësonte jugosllavët.
-Dëshmia e Fadil Paçramit: Nuri Huta ishte agjent i jugosllavëve, sulmonte në kulturë të gjithë intelektualët që nuk thurnin lavde për jugosllavët.
-Si vepronin anëtarët e grupit armiqësor-trockist për goditjen në fushën e arsimit, duke sjellë tekste shkollore nga Jugosllavia.

Po perafrohet ideja se jo vetem xhelal Staravecka nuk i donte jugosllavet,(ne librin e tij te sapobotuar ne Shqiperi flet qarte per vlerat e Enverit dhe Mehmetit,kete te fundit dhe e adhuronte per trimeri,)por dhe Mehmet Shehu nuk i ka dashur jugosllavet!…Kush i deshte ata ne fakt,pas zbulimit si spiun i tyre,pas Koci Xoxe dhe pse sot Saliu qe ka emer pseudonimin e Dushan Mugoshës(Saliu)…akuzohet hapur se eshtë agjent i tyre me pseudonimin “Penecilina”? Koha do zbardh dhe kete tragjedi shqiptare,ku natyrisht dhe Enver Hoxha,antijugosllav i deklaruar;ka pergjegjesi!Kush e morì drejtimin e agjentures serbe ne Tirane dhe kush e drejton ate sot(Milloshevici deklaroi se ne Ballkan ka 2 mije agjente qe i paguan,shumica ne Kosove, Shkoder dhe Tirane)Po kuptohet gjithnje e me mire perse Berisha gjendet i mbrojtur aty ku ndodhet!….
d