Partizani merr gjysmën e Prishtinës

anazapta

Drejtori i klubit të Partizanit, Eduard Prodani, ka kryesuar një delegacion të klubit të kuq në Prishtinë, për të studiuar dhe marrë futbollistë nga skuadra e kryeqytetit kosovar. Bashkë me Prodanin kanë qenë edhe trajneri Hasan Lika dhe konsulenti i klubit për merkaton, Altin Rraklli, njëherazi trajner i kombëtares së femrave. “Synimi i parë është vëzhgimi i disa lojtarëve, por përveç kësaj duam të arrijmë një marrëveshje me kampionin e Kosovës për mundësinë edhe të zhvillimit të ndeshjeve miqësore”, tha Prodani për gazetën “Zëri”, në pronësi të Remzi Ejupit, i cili është edhe president i Prishtinës. “Ne do të jemi edhe në ndeshjen finale të Kupës këtu në Prishtinë dhe besoj se aty edhe do të dihet saktë çfarë do të vendoset. Sa u përket emrave të lojtarëve, është trajneri ai që vendos”. Trajneri Lika tha se ai ka mbetur i kënaqur nga disa lojtarë që ka parë, por më parë Partizani do të merret vesh me drejtuesit e Prishtinës, pa bërë asgjë kundër vullnetit të tyre. Për presidentin Ejupi, kjo vizitë është në vazhdën e thellimit të bashkëpunimit me skuadrat shqiptare. “Gjysma e lojtarëve të Prishtinës do të kalojnë me Partizanin sezonin që vjen”, tha ai. “Do të kemi një marrëveshje të shpejtë me Partizanin për një bashkëpunim të ngushtë. Shqipëria nuk është e gatshme t’i pranojë dy klubet tona të luajnë atje, kështu që së paku futbollistët tanë të kenë mundësi të dalin dhe të luajnë”. Ejupi shtoi edhe se zyrtarët e Partizanit kanë mbetur të kënaqur me disa futbollistë, por u mbetët atyre të vendosin dhe të përcaktohen. “Të gjithë ata lojtarë të Prishtinës të cilët janë të interesuar të shkojnë, ne do t’i lirojmë pasi që ky është një kampionat i brishtë dhe çdo ditë po e humb edhe kuptimin dhe interesimin, kështu që ne nuk do t’i pengojmë”. Vlen të theksohet se Prishtina ka disa talente vërtet interesantë, dy prej të cilëve, Enis Gavazaj dhe Lorik Aliu, janë aktualisht në një turne ndërkombëtar U-19 me Borusian e Dortmundit, ndërsa dy javë më parë me ta ishte edhe Liridon Latifi.

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Bravo, Partizani. Gje e mrekullueshme. bashkimin qe nuk e ben dot politika me plot batakçinj e marifetçinj qe bertasin e ulurasin tribunave perpara njerezve me thirrje patriotike dhe bashkim kombetar, e ben futbolli. nje ide brilante qe duhet te pasohet edhe nga ekipe te tjera shqiptare duke afruar elementinkosovar ne ligen tone, per shkak se ata ende ndjehen te penalizuar nga strukturat nderkombetre sportive. Duke pasur brenda tyre lojtare nga kjo treve shqiptare mundet qe skuadrtat tona ti luajne aty edhe ndeshjet e kampionatit tone. partizani e ka kete shans tashme qe ti zhvilloj ndeshjet e tij edhe ne Prishtine, pasi nuk ka as edhe teren sportive, i vjedhur dhe i keqperdorur nga truste mafioze shqiptare ku ben pjese edhe dhenderi i saliut. Ky eshte nje realitet i dhimbshem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *