Një vit nga tragjedia e Himarës, nëna e viktimës: Refuzova dëmshpërblimin, ishte qesharak

anazapta

Sot shënohet 1-vjetori i tragjedisë së Himarës, aksidentit ku humbën jetën 13 persona, 11 prej të cilave studente të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.

Një vit pas aksidentit tragjik, vajzat e mbijetuara nuk janë dëmshpërblyer ende nga kompania e sigurimeve.

Pritet që sot viktimat të përkujtohen përmes vizitave në familjet e tyre, ndërsa homazhe do të zhvillohen para universitetit ku ato studiuan. Gjithashtu, universiteti ka organizuar një  marshim drejt Himarës, ku pritet të vendoset një obelisk, për të kujtuar 11 vajzat dhe dy meshkujt (shoferi i autobusit dhe i fejuari i njërës prej vajzave) që humbën jetën një vit më parë.

Në një intervistë  për “Gazetën Shqiptare”, nëna e njërës prej viktimave shprehet e zhgënjyer me kompaninë e sigurimeve, e cila u ka ofruar shpërblime qesharake.

Shqepe Molla, nëna e Aurorës, akuzon edhe qeverinë, e cila sipas saj ka qëndruar indiferente.

“Solidarizohem me protestën e vajzave të mbijetuara. Ato kanë nevojë për ilaçe, u duhet ajo ndihmë financiare. Por kompania tallet me ne, familjet e viktimave, edhe me to. Pak ditë më parë na morën në telefon nga kompania e sigurimeve dhe na afruan afro 3 milionë lek të reja, por i refuzuam. Paratë nuk mund të ma zhbëjnë dëmin, dhe aq më pak një shumë e tillë qesharake. Kjo është një tallje që bën kompania me ne. Ne do i drejtohemi gjykatës dhe do kërkojmë dëmshpërblimin që na takon, se më vranë vajzën në moshën më të bukur”, thotë nëna e vajzës.

Dyert për ne janë të mbyllura. Qeveria gjoja reagoi tri ditët e para të tragjedisë dhe më pas heshti. Gënjeshtra pa fund dhe ne ja ku jemi. Me borxhe dhe me vështirësi të mëdha, dhe për më tepër, pa vajzën time. Drejtësia, një vit më parë në Shqipëri nuk bëri një njeri përgjegjës për vdekjen e 13 personave, por bëri fajtor shoferin që vdiq. Kjo është drejtësia?!”, shprehet ajo.

 

Share This Article
1 Comment
  • Mjere ato qe iken.Nuk ka shtet se po te kishte minimalja qe mund te bente do te ishte 1 demshperblim sic u takon dhe sherbim falas i vazhdueshem mjeksor deri sa te rikuperohen plotesisht

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *