Financat publike drejt kolapsit të plotë

anazapta

Financat publike në Shqipëri janë tashmë të rrezikuara dhe të tronditura thellë. Kjo jo vetëm për shkak të situatës së vështirë ekonomike  e financiare që vendi po kalon këto dy-tre vitet e fundit, të gjeneruar nga kriza në Eurozonë, por edhe për përgjigjen shumë miope e të pabusull të qeverisë. Ekonomia vazhdon të përshpejtojë rënien drejt nivelit zero të rritjes ekonomike, kontrolli mbi borxhin dhe defiçitin ka humbur, kërkesa e brendshme konsumatore vazhdon të ulet. Nga ana tjetër, ritmet e kreditimit të ekonomisë nga sistemi bankar po bien, ndërsa kreditë e këqia po asfiksojnë likuiditetin.

Po ashtu, dërgesat e emigrantëve vazhdojnë të bien, papunësia dhe varfëria po rritet, klima e biznesit po përkeqësohet, edhe pse qeveritarët tanë betohen për të kundërtën.. Ekonomia nuk  po e kthen kokën nga politikat e reja të zhvillimit, por vazhdon të jetë “peng” i politikave të rritjes së borxhit publik, të nxitura nga një interes meskin dhe dritëshkurtër i fitimit me çdo kusht të votave nëpërmjet investimeve zgjedhore. Gjysma e borxhit tonë publik si shtet është me afat njëvjeçar dhe shlyerja e tij do të marrë një pjesë të mirë të të ardhurave buxhetore në gjysmën e dytë të vitit, duke kufizuar mundësitë e përdorimit në sektorët e tjerë, në arsim, shëndetësi etj. Qeveria ka muaj tashmë që (keq)përdor në mënyrë populiste elektorale financat publike (shpenzimet buxhetore) në këtë vit elektoral. Rritja e borxhit është dhe mbetet një kërcënim në rritje. Po t’i shtojmë kësaj edhe faktin se ndikimi i krizës së eurozonës vazhdon dhe ashpërsimi i “luftës politike” vjen duke u rritur në këtë prag zgjedhjesh, ndikimi i saj në zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë është me efekt asgjesues.

Kolapsi po i avitet ekonomisë sonë si një ortek fatal. Kemi pasiguri në investime, pritshmëri të ulët për konsumin, ulje të ndjeshme të kapacitetit prodhues të biznesit, papunësi dhe kthim tronditës të emigrantëve nga Greqia e Italia-rreth 180 mijë vetë deri tani. 2013-a jo vetëm është një vit elektoral i vështirë, por më tepër një vit shumë i vështirë dhe kërcënues ekonomik, financiar e social. Kjo kryesisht për shkak të papërgjegjësisë qeveritare për të paraprirë dhe zbutur faktorët e riskut. Vështirësitë në rritje ekonomike e buxhetore të vendit, me gjithë kërkesat e drejta të komunitetit të biznesit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj tyre, nuk duket të jetë e lehtë të shlyhen.

Edhe ky fenomen lindi dhe u zhvillua pikërisht nga përdorimi dhe administrimi populist dhe elektoral i shpenzimeve buxhetore në plotësim të një ambicieje të tepruar për investime, duke kerkuar shume me teper nga sa mund te jepnin te ardhurat buxhetore sot. Edhe politika e “marrjes borxh për të shlyer borxhet “ tashmë nuk funksionon më. Kështu , ndërsa vështirësia e shlyerjes së tyre vjen e rritet, shumë nga projektet e investimeve me të cilat janë të lidhura këto detyrime do të mbeten në mes të rrugës, të pakryera e të papërfunduara. Kjo e komplikon më shumë situatën e marrëdhëniet dhe klimën qeveri-biznes.

Nga ana tjeter, heqja e tatimit mbi të ardhurat personale prej 10 % për pagat nën 30 mijë lekë te reja, më tepër një nismë populiste dhe elektorale se sa programore, më tepër afatshkurtër se sa afatgjatë, jo vetëm që bën një vrimë të madhe në të ardhurat buxhetore, por me fjalë dhe me vepra pranon dështimin dhe i jep dërrmën taksës së sheshtë dhe gjithë propogandes qeveritare për të. Së paku, në zbatimin e saj për taksimin e të ardhurave personale. Kjo sepse, tani me këtë variant, nuk kemi më një shkallë tarife, 10 përqind taksë e sheshtë, por dy, njëra 0 përqind dhe tjetra 10 përqind. Megjithë pseudolajmet rozë dhe optimizmin fals qeveritar, kriza financiare e sektorit energjetik ka përfshirë tashmë edhe bizneset që kanë ndërtuar hidrocentrale të reja me koncesion. Prej shumë kohësh, koncesionarët nuk po paguhen për energjinë që i shesin Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Borxhi ndaj tyre ka arritur në 11 milionë dollarë dhe po rritet nga muaji në muaj.

Në gjashtë vitet e fundit qeveria ka dhënë rreth 100 kontrata koncesionare që parashikonin ndërtimin e 300 hidrocentraleve, kryesisht të vogla dhe të mesme. Për të nxitur ndërtimin e tyre, si një nga sfidat më të mëdha politike të saj, qeveria ka dhënë disa garanci duke premtuar mes të tjerash edhe blerjen e çdo sasie energjie që këto HEC-e do të prodhonin me çmime relativisht të larta përmes KESH. Por për shkak të krizës që ka përfshirë sektorin, rreziqet po rriten edhe për këto investime, pavarësisht garancive në letër të qeverisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *