Socialistët e Kukësit shpresojnë të marrin tre mandate në këtë qark. Këtë pritshmëri ata e bazojnë, sipas tyre, në qeverisjen e dobët të mazhorancës aktuale, dështimin e saj në drejtim të përmirësimit të kushteve të jetesës për banorët e qarkut të Kukësit si dhe politikën aspak të qëndrueshme në drejtim të ndërhyrjes në arsim, shëndetësi, bujqësi e infrastrukturë. Këtë e ka bërë të ditur kreu i kësaj force politike në këtë qark, Skënder Ahmeti.
Partia Socialiste në Kukës në këto zgjedhje garon me 4 kandidatë, ku listën e kryeson Vexhi Mucmata pas të cilit vjen Lavdrim Elezi, Ram Hoxha dhe Adem Lama. Në programin “Për një Rilindje shqiptare” socialistët kanë vendosur si prioritet rimëkëmbjen e ekonomisë, shoqërisë, rivendosjen e demokracisë dhe ribashkimin me Europën.
