Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, teksa ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së njohur si Rrapi i Treshit në Tiranë, ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka dështuar me procesin e legalizimeve. Xhafaj tha se kjo qeveri e gjeti Shqipërinë me rreth 200 mijë ndërtime pa leje dhe po e le me 400 mijë, prej të cilave ka legalizuar në 8 vjet vetëm 8% të tyre.
“Çfarë thonë sot këta? Kane dalë rrugëve dhe thonë: “bëjini shpejt e shpejt dokumentet dhe hajeni shpejt e shpejt t’i merrni se do vijë qeveria socialiste dhe nuk do t’ua njohë më legalizimet”. Gënjejnë! Por, këta jo vetëm ju kanë gënjyer për tetë vjet rresht, por duan t’ju gënjejnë edhe në grahmën e tyre të fundit. Këta duan të ikin sërish nga pushteti si gënjeshtarë, si mashtrues.
Pse janë duke gënjyer? Sepse këtë ligj për here të parë e kemi miratuar ne. Kështu që, qeveria socialiste nuk i ikën këtij ligji. Do ta përmirësojë këtë ligj dhe do ta mbyllë gjithë procesin e legalizimeve. Kjo është një deklaratë publike që e ka bërë në mënyrë shumë të përgjegjshme kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama, dhe qeveria socialiste do t’i qëndrojë deri në fund këtij premtimi publik”, tha Xhafa.
Ai sqaroi se me ritmet e procesit të legalizimeve që ka kryer deri tani qeveria e Berishës, do të duhen 165 vjet që të legalizohen të gjitha ndërtimet pa leje.
“Në çdo fushatë elektorale Sali Berisha dhe të tijët thonë: “Do t’i legalizojmë të gjitha shtëpitë”. Në 2005-ën ka Saliu ka thënë “Në fund të vitit 2006 të gjitha ndërtimet pa leje do jenë të legalizuara”. Iku 2006 erdhi 2007-a. Ne fushatën e vitit 2007 ka thënë: “Në fund të vitit 2008 të gjitha ndërtimet pa leje do jenë të legalizuara”. Iku dhe 2008-a. Tani thotë t’i legalizojmë të gjitha brenda këtij muaji. Gënjen siç ka gënjyer çdo herë dhe asgjë s’ka bërë. Shifrat e gjeti Shqipërinë me rreth 200 mijë ndërtime pa leje dhe po e le me 400 mijë ndërtime pa leje dhe ka legalizuar vetëm 8%. Me këtë ritëm duhen 165 vjet që të legalizohen të gjitha ndërtimet pa leje në vend”, tha Xhafaj.
Ai u shpreh se humbja e Berishës në këto zgjedhje është e pashmangshme. Sipas Xhafajt, Berisha nuk i ka fituar asnjëherë zgjedhjet në Shqipëri, por i ka vjedhur.
