Nënshkruhet në Kryeministri memorandumi i mirëkuptimit mes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës dhe Kroacisë për projektin e gazsjellësit TAP. Marrëveshja u firmos nga ministrat e jashtëm të katër shteteve, në praninë e kryeministrit Berisha, i cili shprehu besimin se TAP do të rezultojë projekti fitues për transportimin e gazit nga Azerbajxhani në Europë.
“Një vendim i madh merret gjatë javëve që vijnë nga konsorciumi Shah Deniz, lidhur me trajektoren e gazsjellësit. Prej vitesh konsorciumi i gazsjellësit TAP ka bërë një punë të shkëlqyer dhe faktikisht çdo njeri që hedh një vështrim në trajektoren e këtij gazsjellësi gjen pothuajse rrugën natyrale mbitokësore të gazit. Rajoni ynë është një rajon me dinamizëm dhe potencial real në vitet që vijnë. Memorandumi që firmosëm sot në mirëkuptim të plotë me qeverinë italiane dhe qeverinë greke mendoj se është dëshmi edhe e një urie edhe më të madhe për gaz në rajon. Besimi dhe shpresa ime është që TAP ka të gjitha shanset për të qenë projekti fitimtar. Krahasuar të dy projektet, çdo njeri gjen TAP-in një projekt qartësisht më fizibël dhe më të avancuar”- deklaroi kryeministri Berisha.
Më tej shefi i qeverisë shqiptare theksoi rëndësinë e ekuilibrit në shpërndarjen e burimeve të gazit në Europë.
“Urojmë dhe shpresojmë që vendimmarrësit të vendosin mbi bazën e kritereve të fizibilitetit më të madh, por ka dhe një moment fondamental në këtë mes, atë të vendosjes së një ekuilibri në shpërndarjen e burimeve të gazit në kontinentin tonë. Është e rëndësishme shpërndarja e ekuilibruar e energjisë dhe burimeve të saj. Ato i shërbejnë një zhvillimi më të harmonishëm dhe në njëfarë mënyre japin një kontribut për të kapërcyer disa dallime të pamohueshme veri-jug që ekzistojnë në kontinentin tonë. Ne besojmë se TAP i ka të gjitha shanset për tu preferuar në këtë garë jashtëzakonisht të rëndësishme.”- deklaroi Berisha.
Konsorciumi Shah Deniz ka planifikuar të marrë një vendim brenda muajit qershor për të përcaktuar itinerarin ku do të kalojë gazsjellësi që transporton gazin nga Azerbajxhani drejt Europës. Gazsjellësi Transadriatik do të fillojë ndërtimin në seksionin që kalon në Shqipëri në mesin e vitit 2015 dhe do të zgjasë afërsisht 3.5 vjet, i ndjekur nga fillimi i funksionimit gjatë vitit 2018. Kjo gjithmonë nëse TAP fiton përballë “Nabucco”.

Kur firmos Berisha projekte nuk realizohen .Ai nuk mendon per vendin por sa do ti hyne ne xhep .Degjoheni kur te deshtoje ky projekt me fimen e Berishes.