Jup Hajnkes ka ngacmuar “perënditë e futbollit”, duke iu kujtuar se i kanë një borxh skuadrës së tij. Finalja e sotme do të jetë e treta në katër vitet e fundit për bavarezët, të cilët pësuan një humbje të hidhur vjet në shtëpinë e tyre, pasi Chelsea u mori trofeun me penallti, ndërkohë që për 120 minuta të zotët e shtëpisë dominuan. “Kam besim se do të fitojmë”, tha trajneri i Bajernit në konferencën e djeshme për shtyp. “Në finalen e vitit të kaluar luajtëm absolutisht më mirë, por mënyra se si e humbëm finalen do të thotë se perënditë e futbollit na kanë një borxh”. I pyetur për ndryshimin midis tij dhe kolegut të Dortmundit, Jyrgen Klop, Hajnkes u përgjigj: “Ndryshimi me të është mosha, çka do të thotë edhe përvoja”. Hajnkes luan finalen e tretë si trajner, ndërkohë që e ka fituar një herë Champions League me Realin, ndaj thotë se nuk është kjo ndeshja më e rëndësishme e karrierës së tij të gjatë. “E kam fituar një herë kupën me Realin si trajner, ndërsa si lojtar kam fituar botërorin dhe evropianin me kombëtaren. Sigurisht që kjo është një ndeshje tepër e rëndësishme, por për një si unë nuk është e vetmja. Ka shumë më tepër domethënie për qytetin dhe lojtarët, të cilët kanë punuar shumë pas zhgënjimit të vitit të kaluar”. Vjet Bajerni humbi me penallti dhe Hajnkes thotë se skuadra është përgatitur edhe për pikën e bardhë, por “penalltitë e stërvitjes janë të pakrahasueshme me ato të një ndeshjeje të vërtetë, nisur nga gjendja emocionale dhe fizike e lojtarëve”. “Gjithmonë kam besuar se mund ta fitojmë këtë trofe. Kemi një skuadër të jashtëzakonshme, e cila luan e bashkuar. Nëse bëjmë pikërisht këtë gjë në finale, do të fitojmë”.
