Një plagë e hapur në mes të Europës

editor

Në zemër të Europës së Bashkuar është një shtet që po luan paturpësisht me demokracinë si macja me miun. Hungaria e sotme, pas reformave kushtetuese të 11 marsit, shfaqet si një pikëpyetje e madhe, si një formë hibride midis demokracisë perëndimore dhe diktaturës kryeministrore të fqinjëve lindorë. Që prej fitores së thellë të 2010-tës (52% të votave por 2/3-tat e mandateve parlamentare), kryeministri i djathtë Viktor Orban është orvatur në mënyrë konstante të përqëndrojë gjithë pushtetin në duart e veta. Përpjekja “putiniste” e Orbanit u kurorëzua me sukses dy muaj më parë nëpërmjet 44 amendamenteve kushtetuese që në disa aspekte të lënë thjesht pa fjalë.

 

Tani e tutje Gjykata kushtetuese nuk mund të vlerësojë ligjet themeltare për sa i përket përmbajtjes, por mund ti shfuqizojë vetëm nëse paraqesin mangësi formale, pra vetëm të meta proceduriale. Liria e shtypit pëson një goditje vdekjeprurëse sepse kushtetuta e re pranon censurën nëse “cënohet dinjiteti i kombit hungarez”.  Fjala “dinjitet” është aq e përgjithshme saqë organet e ekzekutivit gëzojnë arbitraritet të plotë në shënjestrimin e mediave opozitare. Mesazhet elektorale dhe debatet politike ndalohen në televizionet private ndërkohë që, nëse i ashtuquajturi Komisioni i Vigjilancës (presidenti i së cilit është përfaqësues direkt i kryeministrit me mandat 9-vjeçar) gjykon mosrespektimin e “ekuilibrit politik”, mund të vendosi gjoba deri në 700 mijë euro. Praktikisht qeveria ka në dorë jetën dhe vdekjen e mediave private, pasi ka shtrënguar mirë prej fyti radiotelevizionin publik.

 

Të varfërit pa shtëpi nuk mund të qëndrojnë në hapësira publike (nëse nuk ke shtëpi ku mund të qëndrosh tjetër?!) përndryshe do pësojnë burg (nuk është parë dhe dëgjuar askund që një nen i tillë të parashikohet në Kushtetutë!). Studentët që kanë përfituar një bursë në universitet nuk kanë të drejtë të dalin jashtë shtetit për aq vjet sa zgjati bursa, përndryshe do detyrohen të ripaguajnë gjithçka me para në dorë. Emërtimin “familje” do mund ta ketë vetëm një çift i martuar me fëmijë. Nëse martohesh por nuk lind fëmijë nuk je “familje” gjithashtu nëse lind fëmijë por nuk je i martuar  nuk e meriton fjalën e “shenjtë”. Të mos qënit “familje”, lejon shtetin, në bazë të kushtetutës, të të përjashtojë nga ndimesat dhe lehtësimet ekonomike. Mosha e pensionit të gjykatësve ulet menjëhere nga 70 në 62 vjeç duke nxjerrë me një lëvizje të vetme rreth 300 gjykatës nga puna (11% të totalit) me synim “rifreskimin” e pushtetit gjyqësor me elemente pro-qeveritare. Sikur të mos mjaftonte kjo, ministri i drejtësisë do ketë mundësinë të spostojë proceset nga një gjykatë tek tjetra sipas dëshirës dhe interesave të veta politike.

 

Por si mund të justifikohet një lajthitje e tillë ditën me diell? Kryeministri Orban, së paku nuk e fsheh atë që mendon dhe ka deklaruar se Hungaria ka nevojë për një “sistem të ri në vend të demokracisë, sepse populli hungarez, gjysëm aziatik, kupton vetëm gjuhën e forcës”. Apo akoma “popullit nuk i intereson kushtetuta por faturat që duhen paguar”. Aq pak konsideratë ka për popullin e vet Viktor Orban, saqë nuk pati as dëshiren (apo guximin) për ti kërkuar vulën mbi kushtetutën e re e cila nuk u ratifikua nëpërmjet referendumit.

 

Akoma më e habitshme është sjellja e Bashkimit Europian i cili ka shprehur “shqetësim” ndërkohë që një anëtar i vet po shkel me të dyja këmbët parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe demokracisë bazuar në ndarjen e pushteteve. Orban, sfidues në kufirin e përçmimit, deklaroi se reformat e tij “respektojnë vlerat e asaj që ne konsiderojmë Europë”. Sikur BE-ja të ishte një supermarket vlerash ku autokrati i radhës mund të zgjidhte ato që dëshiron. Por si mund të lejojë një regjim të tillë Europa e Bashkuar? Nëse nuk zbatohet tani neni 7 i Traktatit mbi Bashkimin Europian (nen i cili parashikon “ngrirjen” e së drejtës së votës të një Shteti që shkel parimet themelore) atëhere çfarë mund të presim më tej nga BE-ja?

 

Në mënyrë mjaft cinike, një drejtues i lartë i së djathtës hungareze u shpreh se “nuk duhet ta varrosim kaq thellë demokracinë tonë, sepse në të ardhmen, kur do na nevojitet, nuk do të mundim më ta varrosim akoma më thellë”. Nëse edhe BE-ja do tolerojë këtë funeral, atëhere, bashkë me demokracinë e një shteti, do vdesi edhe ëndrra e një Europe të lirë.

 

 

*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Rubrika “Europa”, çdo të shtunë në DITA. Shkruajini autorit në [email protected]

Share This Article
2 Comments
  • Shume shqetesim…megjithate them se nje pushtet qe nuk jep drejtesi per njerezit dhe gezon besimin e tyre, nuk qendron dot me mjete artificiale…
    Dicka mesohet nga kjo eksperience, sistemi zgjedhor qe kemi nuk duhet permbysur; sistemi proporcional nuk do te lejoje krijimin artificial te shumicave te frikshme me mundesi te tilla ndaj pushteteve…

  • PASKA SHOKE STALINISTI YNE ,EVROPA TALLET ME NE TURP VENDET E LINDJES KANE MENDESITE KOMUNIZMIT ,.IKEN TE VJETRIT LANE RACEN TYRRE KUR EUROPA NUK FUT DOT NE VIJE HUNGARINE MEDET C BEHET ME NE O ZOT KU PO SHKOJME

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *