Ministria e Punëve të Jashtme ka sqaruar qëndrimin e saj shpjeguar qëndrimin dhe votën e saj kundër rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme për Palestinën, pas deklaratës së djeshme të ambasadorit palestinez, i cili u shpreh se vendi i tij shpresonte në votën pro të Shqipërisë. Përmes një deklaratë të bërë publike në faqen e saj zyrtare, MPJ thekson se me abstenimin e saj Shqipëria iu përmbajt pikëpamjes se vazhdimi i procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës dhe pranimit nga palët i ekzistencës së dy shteteve, të cilët jetojnë në paqe dhe siguri me njëri-tjetrin është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.
“Dje Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë votash një rezolutë me anë të së cilës i njeh Palestinës statusin e Shtetit Vëzhgues Jo Anëtar të kësaj organizate. Shqipëria abstenoi së bashku me 40 vende të tjera rajonit, Evropës e më gjerë. Si një vend që e ka njohur Shtetin e Palestinës dhe mbështetur të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje, me qëndrimin e saj Shqipëria iu përmbajt pikëpamjes se vazhdimi i procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës dhe pranimit nga palët i ekzistencës së dy shteteve, të cilët jetojnë në paqe dhe siguri me njëri-tjetrin, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranueshme”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Palestina: Shpresonim në mbështetjen e qeverisë shqiptare
Ambasada palestineze në Tiranë reagon ndaj abstenimit të Shqipërisë në votimin e djeshëm të OKB-së. Ambasadori palestinez në Tiranë, Issam Massalha, tha sot se vendi i tij shpresonte në votën pro të Shqipërisë për marrjen e statusit të vëzhguesit në OKB nga ana e Palestinës.
“Ne shpresonim në mbështetjen e qeverisës shqiptare. Shpresonim që Shqipëria të radhitej me ata që votuan pro”, tha Massalaha.
“Nuk jemi të zhgënjyer nga pozicioni i Shqipërisë. Populli mik shqiptar qëndron krah palestinezëve, për Palestinën kjo do të thotë një fitore e madhe”, shtoi ambasadori.
Palestina u anëtarësua dje në OKB me statusin e vendit vëzhgues. 138 shtete votuan pro, 41 abstenim dhe vetëm 9 kundër. Mes shteteve abstenuese ishte edhe Shqipëria.
