Deklarata e kryeministrit Berisha në Vlorë gjatë festimeve të Pavarësisë nuk ka kaluar pa u komentuar edhe në mediat dhe politikën shqiptare. Ndërsa shumë prej analistëve dhe politologëve e shohin si një kartë që Berisha po e luan për të fituar votues në prag të zgjedhjeve të 2013-s, ish-shefja e diplomacisë shqiptare, deputetja socialiste, Arta Dade, e komenton këtë fakt si një lajthitje që mund të çojë në situata të pakëndshme në marrëdhëniet me fqinjët. Në një intervistë të botuar sot, ish-ministrja e Jashtme, Dade, shprehet se deklaratat e Berishës nuk mund të merren parasysh nga shqiptarët, pasi në njërën anë ai i fali kilometra të tërë hapësire detare Greqisë, ndërsa në anën tjetër kërkon kufi deri në Prevezë.
“Berisha mund ta kursente incidentin e ndodhur me palën greke, kur dihet jo vetëm në opinionin publik shqiptar, por edhe në atë ndërkombëtar se mes Shqipërisë dhe Greqisë qëndron pezull një çështje shumë serioze lidhur me delimitimin e kufirit detar në detin Jon mes Shqipërisë dhe Greqisë. Vetë Berisha si kryeministër ka firmosur përmes ministrit të tij të Jashtëm marrëveshjen bilaterale që cenonte rëndë integritetin territorial të Shqipërisë, duke i falur një hapësirë të madhe detare Greqisë”, tha Dade.
Sipas ish-ministres së Jashtme, deklaratat e Berishës janë bërë qartësisht për të fituar kapital politik.
