Luanin bixhoz në lokalin pranë shkollës, vritet 15-vjeçari

anazapta

Valentino Roçi është qëlluar me thikë në zemër ndërsa luante me një nxënës tjetër, duke humbur jetën. Policia arrestoi autorin, ndërsa u bë e ditur se të dy fëmijët rriteshin nga gjyshërit pasi prindërit i kishin të divorcuar

Ervin Sanja

Fëmijë që rriteshin nga gjyshërit për shkak se prindërit i kishin të divorcuar dhe të varfëruar mjaftueshëm, por kanë përfunduar duke luajtur bixhoz që në moshë të vogël dhe në një sherr të tillë njëri prej tyre ka qëlluar tjetrin me thikë në zemër, duke i shkaktuar vdekjen.

Ngjarja e dhimbshme ndodhi dje rreth orës 10:15 në lagjen e Fermës në Cërrik në lokalin ngjitur me shkollën “7 Marsi”. Viktima është 15-vjeçari Valentino Roçi, ndërsa si autor është prangosur 16-vjecari E.F.

Dëshmitarët

Sipas dëshmitarëve dhe nxënësve të  shkollës, dy adoleshentët kanë qenë duke luajtur me letra në lokalin ngjitur me shkollën kur më pas janë grindur mes tyre. Askush nuk ka pritur që 16-vjeçari do të merrte një thikë dhe ngjarja e rëndë ka ndodhur në pak sekonda pa mundur të ndërhyjë njeri. Nga të dhënat e para 15-vjeçari ka qenë duke luajtur me letra në momentin kur autori i është afruar dhe e ka goditur menjëherë në pjesën e zemrës. Me gjithë ndihmën e dhënë, Valentino Roçi humbi jetën gjatë transportit për në spital. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, policia ka ndaluar 16-vjeçarin E.F. dhe shoqëroi dëshmitarët okularë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Sipas dëshmive, dy djemtë kishin pasur një konflikt të mëparshëm pasi autori kishte ngacmuar kushërirën e Roçit, por ndërkohë mësohet se edhe loja me letra me para ka qenë një shkak për zënkat mes tyre.

Mësohet se 15-vjeçari kishte tre ditë që s’shkonte në shkollë dhe mësuesja kujdestare kishte njoftuar familjen, por askush s’ishte interesuar për rastin.

Familjet

Nga hetimet e para rezulton se dy të rinjtë janë nga familje me prindër të divorcuar dhe rriteshin nga gjyshërit e tyre. kështu, rezulton se viktima 15-vjeçar jetonte me gjyshin. Ishte fëmija i gjashtë i një çifti të divorcuar.

Ndërkohë, autori i krimit gjithashtu jetonte me gjyshërit për shkak se edhe prindërit e tij ishin të divorcuar. Por ndryshe nga viktima, për të cilin shokët e klasës dhe mësuesit thanë se ishte djalë i urtë dhe i qetë, 16-vjeçari njihej si problematik dhe nuk shkonte në shkollë. Sipas dëshmisë së nxënësve, ai sillej keq, ishte i dhunshëm dhe hynte në shkollë vetëm për t’u kërkuar para nxënësve që të luante bixhoz. Sipas tyre, ai kishte probleme psikike dhe për këtë arsye nuk vazhdonte shkollën. Faktin që autori ishte problematik, e kanë konfirmuar edhe banorët e lagjes. Ata kanë pohuar se adoleshenti që goditi me thikë bashkëmoshatarin e tij, ka shfaqur dhe herë të tjera shenja dhune duke hyrë me forcë në shkollën 9-vjeçare, edhe pse nuk ishte nxënës i saj.

Dëshmitë

Ngjarja ka tronditur thellë nxënësit dhe prindërit e tyre. Pasi kanë mësuar se çfarë ka ndodhur ata kanë nxituar për në shkollë për të shoqëruar fëmijët. Mësimi është ndërprerë dhe të gjithë i kanë pasur sytë nga lokali ku ndodhi ngjarja. Në atë moment ka qenë vetëm një grua që nuk ka pasur asnjë mundësi të ndërhynte kur ka ndodhur vrasja. Mësuesit dhe drejtori i shkollës janë marrë në pyetje nga policia për të shpjeguar çfarë kishte ndodhur me 15-vjeçarin Roçi, i cili duhet të ishte në shkollë. Gjithashtu dëshmohet se në vend të rojës së shkollës, aty qëndron bashkëshortja. Nuk dihet se pse drejtuesit e lejojnë një gjë të tillë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *