Durdaj dhe Hazizaj i drejtohen sërish Strasburgut

anazapta

Të plagosurit rëndë nga shpërthimi i Gërdecit i drejtohen përsëri Gjykatës të së Drejtave të Njeriut në Strasburg. Sipas tyre, përfshirja në amnisti e ish-ministrit të Mbrojtjes, z.Famir Mediu, ka çuar në shkelje të qarta të një numri të të drejtave të garantuara nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) – në veçanti të neneve 2, 8, dhe 13 lidhur me nenet 2 dhe 8.

Aplikantët Durdaj dhe Hazizaj i referuan historikun e gjykimit të tyre që pati fillesë në  një procedim penal ndaj Fatmir Mediut në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes më 18.11.2009 dy muaj pas pushimit të çështjes ndaj tij më dt.14 shtator 2009.

Historiku i gjatë i përpjekjeve fillon pikërisht me Gjykatën e Lartë, e cila në atë kohë, pas aplikimit të Durdajt dhe Hazizajt e mori në shqyrtim këtë çështje dhe, pasi dështuan përpjekjet për pajtim të detyrueshëm për t’u kryer sipas nenit 338 të Kodit të Procedurës Penale, më 01.03.2010 vendosi të pushojë gjykimin. Arsyet e pushimit ishin që nuk gjendeshin arsye apo prova të mjaftueshme për të nisur procedimin penal ndaj të akuzuarit Fatmir Mediu.

Në këto kushte, Durdaj dhe Hazizaj iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar se ishte shkelur e drejta për një proces të rregullt ligjor, bazuar në nenin 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 27 dt. 09.05.2012 vendosi të rikthejë çështjen në Gjykatën e Lartë, duke e konsideruar praktikën e ndjekur në shkelje të procesit të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese arsyetoi që Gjykata e Lartë duhej të kërkonte së pari të hiqte imunitetin e të pandehurit, të niste hetimin gjyqësor dhe më pas të shprehej për fajësinë ose jo të të pandehurit vetëm pas një hetimi të plotë e të gjithanshëm.

Gjykata e Lartë e nisi me vonesë  rifillimin e gjykimit, pasi pati vështirësi në formimin e trupit gjykues, pas dorëheqjes së disa gjyqtarëve që u binte shorti. Më në fund, në shtator 2012 Gjykata e Lartë formoi trupin gjykues me 5 gjyqtarë të tjerë.

Më 07.11.2012 Kuvendi miratoi një  amnisti të përgjithshme me rastin festiv të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Drafti ishte i paqartë për publikun se cilat vepra penale prekte dhe cilat përjashtonte, ndaj Gjykata e Lartë vijoi me gjykimin e çështjes në disa seanca në nëntor 2012. Më 28.12.2012 amnistia u publikua dhe hyri në fuqi.

Gjykata e Lartë më 10.12.2012 vendosi pushimin e çështjes për shkak të amnistisë, duke ndërprerë përfundimisht çdo procedurë që ishte në kryerje e sipër, siç ishte nxjerrja e një ekstrakti të provave shkresore nga dosja gjyqësore e Vendimit nr. 6 dt. 14.09.2009 për të njëjtin të pandehur, thirrja e dëshmitarëve dhe ekspertëve.

Pas pushimit të çështjes bazuar në amnistinë e hyrë në fuqi më 28.12.2012, aplikantët nuk patën asnjë mjet efektiv tjetër për të realizuar të drejtën e tyre.

Në këto kushte mundësia e vetme për të siguruar mbrojtje për Durdaj dhe Hazizaj mbetet ankimi në  Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilës ata iu drejtuan dhe një herë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *