Aktualisht pranë maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë po vijon trajnimi i personelit mjekësor për lindjet e fëmijëve dhe menaxhimin e rasteve urgjente (që shfaqen në çastet e para të lindjes së bebeve). “Ne flasim për minutën e parë të jetës së foshnjës që mund të përcaktojë të ardhmen e këtij fëmije si në drejtim të jetës dhe të zhvillimit të fëmijës. Për këtë arsye i vihet rëndësi momenteve të para dhe kjo kërkon njerëz që kanë njohuri, por dhe aftësi të veprojnë”, ka deklaruar gjatë këtij takimi shefi i Shërbimit të Neonatologjisë, Eduart Tushe.
Më tej, Tushe theksoi se në shumicën dërrmuese të rasteve, rreth 90 për qind e fëmijëve lindin mirë dhe nuk kanë nevojë për ndonjë ndihme, janë në gjendje vetë të bëjnë kalimin nga barku i nënës në mjedisin e jashtëm. Ndërkohë që 10% të bebeve u duhet ofruar ndihmë që të marrin frymë, e për të mos rrezikuar jetën e tyre ofrimi i kësaj ndihme duhet bërë nga njerëz shumë të kualifikuar.
“Ndaj ne i japim rëndësi të madhe trajnimit të personelit shëndetësor. Çdo person që pret lindje duhet të kalojë një trajnim të kësaj natyre dhe të certifikohet si i aftë për të pritur lindje për të marrë pjesë në të. Çdo person që pret lindje duhet të kalojë një trajnim të kësaj natyre dhe të certifikohet si i aftë për të pritur lindje për të marrë pjesë në të”, theksoi Tushe, sipas të cilit, është propozuar që kjo pjesë të jetë në edukimin e vazhdueshëm mjekësor.
I pranishëm në këtë takim ishte dhe ministri Halim Kosova, ku ka garantuar kujdes shëndetësor të kualifikuar pranë çdo nëne kudo që ndodhet. Ministri Kosova ka vënë theksin tek rajonalizimi i kujdesit shëndetësor afër çdo nëne dhe fëmije. “Çdo rast urgjent kërkon kualifikim maksimal. Mjekësia nuk është thjesht pajisje, por së pari produkt human. Çdo aparaturë pa anën profesionale është e kotësi. Unë jam këtu si ministër Shëndetësie jo për t’i fshehur problemet, por se e njoh dhe di shumë mirë cilat janë këto probleme”, tha Kosova.
