Ka studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, më pas në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Ka ndjekur studimet Master në Politika Agrare. Trajnime të shumta, brenda dhe jashtë vendit në fushën e qeverisjes lokale, rolin e gruas. Prej 1995, anëtare e partisë Socialiste dhe nga viti 2011 anëtare e Asamblesë Kombëtare. Aktualisht, kandidate për deputete e Partisë Socialiste, në Qarkun e Fierit.
Kush e di sa kohë duan fëmijët e vegjël, të shqiptojnë emrin e qytetit tënd të lindjes, Roskovecin?
– Është e vërtetë që zgjat goxha, por janë shumë të lezetshëm ndërsa përpiqen ta thonë mirë.
Për çfarë njihet Roskoveci?
– Për pazarin e tij, më shumë.
Nëse PS do t’i fitojë zgjedhjet në rrethin e Fierit, pas sa kohësh do të ndihet se ka ndryshuar qeveria?
– Meqënëse e njoh shumë mirë pjesën rurale dhe problematikat në veçanti të fermerëve, brenda një viti do të ketë një sistem vaditje dhe kullimi bashkëkohor që do t’i mundësojë çdo fermeri të mbjellë atë që do. E dyta, çmimi i naftës në bujqësi do të ulet dukshëm, dhe kjo për t’i garantuar mundësinë e përballimit të konkurrencës me vendet e rajonit. E treta, do të mundësohet garantimi i tregjeve që të mund të fitojë çdo fermer, dhe jo të kalben prodhimet në fushë.
Mbase e kam të lehtë të flas, pasi ende nuk kam shtetësinë shqiptare dhe nuk do të votoj, por pse mos t’i besohet kësaj qeverie edhe 4 vite të tjera?
– Kur në 8 vite nuk tregoi vullnetin minimal për të bërë atë që premtoi, pse duhet besuar edhe 4 të tilla?! Që nga kthesa e Patosit deri te kthesa e Poshtnjës, rruga nacionale që lidh Fierin me Beratin, Skrapar, Lushnjë, Kuçovë, rrugët sot që po flasin janë bërë gangrenë për udhëtarët. Këto janë rrugë nacionale, të mos flasim për rrugët që lidhin fshatrat.
Kjo pamundësi, çfarë sjell te familjet e këtyre zonave?
– Nxit emigrimin e burrave drejt Greqisë, për punësim sezonal në bujqësi.
Çfarë shkakton ky emigrim, te gruaja rurale?
– Një ngarkesë të trefishtë, pasi ajo duhet të merret me atë copë tokë që ka, me blegtori dhe me edukimin e fëmijëve, pra me çdo gjë e vetme.
Emigrimi sezonal, a sjell një lloj dembelizmi në zonat rurale?
– Shumica e kanë kuptuar që nuk është një zgjidhje përfundimtare ky emigrim, pasi të ardhurat e 3 muajve përsëri nuk mbulojnë shpenzimet apo nevojat e familjeve. Të gjithë dëshirojnë të punojnë në tokën e tyre, të kenë siguri që do të vlerësohet mundi i tyre dhe të jenë pranë fëmijëve.
A mund të ketë gra në qarkun e Fierit, që asnjëherë nuk e kanë parë me sy Tiranën?
– Me keqardhje e them se po. Ndërsa në bëjmë ç’është e mundur të shtojmë gratë në vendimmarrje në pushtetin lokal dhe qendror, ky ekstrem është një e vërtetë e hidhur që duhet ta pranojmë.
Pas 23 vitesh, si shpjegohet?!
– Sepse ka zona dhe familje në to, që jetojnë në skamje deri në mjerim. Krahas kësaj, rrugët janë krejtësisht të shkatërruara p.sh. në fshatin Shabanaj të Komunës së Kujanit, nuk mund të shkosh me automjet dhe kjo vështirësi pengon lëvizjen e njerëzeve.
Përfshirja e gruas në vendimmarrje, a duhet filluar që nga këshillat e komunave dhe më pas mund të vijë natyrshëm në të gjitha institucionet?
– Patjetër. Demokratizimi i një shoqërie nis në bazë, dhe thelbi është veçse ky. Ne vërtetë mund të arrijmë cilësitë më të mira të gruas në parlament, por pa u përfshirë i gjithë komuniteti, dhe veçanërisht gruaja në vendimmarrjet lokale, në të vërtetë nuk kemi bërë asgjë.
Si mund të bëhet kjo, më së miri?
– Ka bashki dhe komuna që kanë përfshirë në proçesin e buxhetimit vjetor, të gjithë komunitetin. Përparësitë e investimeve që do të kryhen me të ardhurat e taksave, përcaktohen edhe nga ai. Kur gruaja është bërë pjesë sadopak në këtë proçes, ato komuna kanë qenë shumë herë më të suksesshme se sa të tjerat.
Dy mikesha të ngushta, a mund të bëhen armike të betuara, për shkak të bindjeve të ndryshme politike?
– Me kalimin e viteve them se kjo ka ndryshuar. Tashmë gratë, në të gjitha nivelet, kanë një qëndrueshmëri në gjykimet e tyre, me argumente bindëse merren vesh më mirë se më parë.
Gratë në parlament, për çfarë arsye mund të bashkohen?
– Kanë shumë arsye, por më e rëndësishmja është barazia gjinore dhe problematikat e gruas. Ne kemi shembullin më të mirë në Kosovë, pasi në të gjitha nivelet, madje edhe në Konsullata dhe Ambasada, është arritur pjesëmarrja gruas në kuotën 30%.
Çfarë mendoni për gruan kosovare në Fier?
– Gruaja kosovare ashtu si ajo çame është e integruar plotësisht. Janë pjesë e të tërës. Janë pasuri për Fierin. Me traditat e ruajtura mjaft mire, na shtojnë të gjithëve krenarinë e të qenurit shqiptar.
Një grua shtatëzanë në fshatrat e thella, në çfarë kushtesh lind fëmijën e saj?
– Në shumicën e rasteve, gjenden gra të cilat kanë përvojë për të ndihmuar në një lindje normale. Por ka mjaft raste kur nevojitet ndërhyrje e specializuar mjekësore. Në këto raste, rrugët mjerane e trefishojnë kohën e mbërritjes nga fshati te mjeku i qëndrës së komunës.
Nëse do ti fitoni zgjedhjet, për sa minuta do të zgjasë udhëtimi nga qendra e Fierit në Apolloni?
– Jo vetëm në Apolloni, por edhe në Bylis, pse jo edhe në një kishë të vjetër në Kujan që kurrë nuk është rikonstruktuar, do të shkohet në kohën më të shkurtër. Do të vizitohen këto pasuri të trashëgimisë kulturore të kombit tonë, në kushte krejt të tjera, ndryshe nga sot.
