Çfarë e pret Edi Ramën

anazapta

Cilado qeveri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti do të përballet me një ekonomi të frikshme të vendit. Dhe e frikshme jo sic rëndom përdoret në zhargonin e adoleshentëve që është “frikshmërisht e bukur”, por frikë në kuptimin e saj primar, frikë me atë çfarë do gjejë në fundin e “kazanit buxhetor”.

 

Këta që janë në pushtet e dinë që kanë një arkë bosh dhe një vend të mbytur në borxhe, por e frikshme do të jetë për atë ekip qeverisës që do tentojë të bëjë diçka pozitive me financat shqiptare. Do jetë mision prej Sizifi, siç e tregon kopertina jonë e sotme: treguesit mikro dhe makro të ekonomisë tonë janë në ditë të hallit; ekonomia shqiptare ndodhet në ditët e saja më të vështira që pas marsit të vitit 1997. Kushdo që do të qeverisë financat shqiptare pas 23 qershorit do ta ketë shumë të vështirë për të përcaktuar kush është prioritare, kush duhet likujduar, si duhet të procedohet në emergjencë etj. Në fund të tunelit buxhetor është një errësirë me borxh të rritur. Më poshtë, një përmbledhje e problemeve kryesore me të cilat do duhet të përballet qeveria e re e pas 23 Qershorit:

 

 

 

 

 

1- Buxheti (i redaktuar disa herë pa u nisur ende)

 

Çdo ekzekutiv në fund të çdo viti parashikon buxhetin e tij: pritshmëritë e mbledhjes së të ardhurave. Dhe mbi këtë bazë harton shpenzimet e vitit pasardhës. Ndoshta kujtesa afatshkurtër ka bërë që të harrohet se çfarë ndodhi në fillim të vitit me pagat e administratës, të cilat u morën thuajse me dy muaj vonesë. Ra në heshtje kjo dhe tashmë punonjësit e administratës nuk flasin më pasi jemi në fushatë zgjedhjesh. Por vonesa të tilla janë përsëritur sërish. Një pjesë e administratës edhe sot që shkruajmë nuk e ka marrë pagën e muajit të kaluar. Sipas kontratës së nënshkruar me punëdhënësin ata duhej ta kishin marrë që në datën 3 të këtij muaji.

 

Ky është një tregues i rëndë i buxhetit të shtetit, i cili u hartua në fund të vitit të kaluar, u dërozua nxitimthi dhe tej limiteve në Kuvend dhe u ndryshua ende pa u bërë efektiv. Madje këtij buxheti ju shtua dhe një akt normativ i rëndë, heqja e tavanit të borxhit, duke e rritur këtë borxh që në muajt e parë të vitit në afër 63 për qind. Shtojmë këtu edhe që në gjithë këtë amulli buxhetore, qeveria vijon gjatë gjithë kohës të flaës e të marrë vendime për ulje taksash dhe heqje taksash. Në mënyrë krejt të pastudiuar dhe thjesht për fushatë. Do jenë edhe këto një kosto e lartë pas 23 qershorit.

 

 

 

2 – Çfarë ka ndodhur në këta muaj të parë të vitit.

 

Të ardhurat e grumbulluara në tre muajt e parë të këtij viti, sipas vetë Ministrisë së Financave, mezi kapen shifrën 75.5 miliardë lekë, nga 79.6 miliardë lekë që ishin planifikuar. Me një mosrealizim të thekshëm prej 4.2 miliardë lekësh ose më shumë se 30 milionë euro. Duhet patur parasysh se është vetëm tremujori i parë i vitit. Kur mosrealizmi i buxhetit rezulton të jetë i lartë në këto muaj të parë, është e sigurt që shifra do të ngrihet edhe më shumë gjatë muajve të verës, kur aktiviteti i biznesit ngadalësohet disi.

 

Mosrealizimi i të ardhurave buxhetore ka dhënë efektet zinxhir në të gjithë treguesit e tjerë buxhetorë që e kanë mbyllur tremujorin në nivele shumë më të ulëta se parashikimet. Dhe nuk ka mbaruar humnera as në këtë pikë. Sepse halleve të këtij buxheti do tu shtohen edhe pasojat e lehtësirave fiskale që qeveria ka miratuar ditët e fundit për qëllime thjesht dhe vetëm zgjedhore. Do të vijë shumë shpejt dita kur këto pasoja do të ndihen fort.

 

Vetëm pasojat e lehtësirave të fundit fiskale të lëshuara nga Berisha për fushatë mund të bëjnë që për 9 muajt e tjerë të këtij viti t’i mungojnë buxhetit mbi 130 milionë euro.

 

 

 

 

 

3 – Fondi i emergjencave bosh

 

Zot na ruaj nga ndonjë fatkeqësi natyrore nga sot e tutje, përfshirë pas 23 Qershorin. Ky shtet nuk do të ketë mundësi të hedhë as një grusht dhe apo një bot ujë për të mbuluar flakët, apo një pirg gurë për të ndalur vërshimin e ujrave. Fondi i emergjencës nuk i ka më as ata 20 milionë lekë që i kishte të parashikuara në buxhet.

 

Kjo “falë” vendimit më të fundit të Ministrisë së Financave (që qarkulloi si një vendim i brendshëm). Bëhet fjalë për vlerën prej 40 milionë lekësh që iu dha për lobim fushate për qeverinë aktuale, lobuesve në Uashington. Sic është bërë tashmë e ditur nga DITA në 11 maj dhe nga televizioni TCH tri ditë më pas, këto para bosdhatisën fondin e emergjencës (pjesa tjetër u mor nga buxheti i partive politike).

 

Fondi i emergjencës i pas 23 qershorit është bosh. Asgjë nuk ka mbetur, veç lutjes drejt të Madhit lart që të mos “na lëshojë më shumë se sa mbajmë” pas 23 Qershorit.

 

 

 

4 – Pagat, rënie për të pestin tremujor radhazi

 

Një tjetër tregues i rëndësishëm i ekonomisë së një vendi është niveli i pagave. Statistikat më të fundit të dala nga Banka Qëndrore flasin për tregues negativ në uljen e pagave për të pestin tremujor me radhë.

 

Vrojtimet e biznesit të kryera nga Banka Qendrore kanë treguar vijimësinë e prirjes rënëse të pagave, që ka nisur që në fillim të vitit 2012. Llogaritjet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e katërt 2012 treguesi i pagës mesatare në ekonomi ka vazhduar të ndjekë trendin rënës të nisur në fillim të vitit, kur ajo u tkurr për herë të parë që nga fundi i vitit 2006.

 

Megjithëse në sektorin shtetëror, paga mesatare u rrit me 4.8 për qind në terma realë vjetorë dhe megjithëse ritmi i tkurrjes së pagave ka ardhur duke u ngadalësuar, e deflatuar me indeksin e çmimeve të konsumit, paga mesatare në ekonomi ka regjistruar rënie vjetore reale me 6.5 për qind.

 

 

 

 

 

5- Mungesë likujditeti për biznesin

 

Prania e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit, (e justifikuar me mosfunksionimin e skemës së thesarit për vitet 2010-2011- por që në fakt është thjesht pasojë e mungesës së fondeve për të paguar faturat e investimeve publike), i jep një hije akoma edhe më të rëndë situatës së pas 23 Qershorit. Realiteti tashmë është kokëfortë: Biznesi nuk likujdohet për punët e bëra publike dhe ky është një ndër problemet më të rënda në ekonominë shqiptare që prêt zgjidhje nga qeveria e re.

 

Nuk duhet të harrojmë se sipërmarrja punëson rreth 80 për qind të njerëzve të aftë për punë dhe qarku i mbyllur që i ka krijuar qeveria aktuale sipërmarrjes e ka kthyer atë në një kreditore me probleme, në mungesë investimesh, në tkurrje punësimi dhe në mos likujditet pagash për punonjësit. Kjo situatë gjithashtu ka çuar në rritje të kredive me probleme, duke i çuar kompanitë në prag falimentimi.

 

 

 

6 – Kreditë me probleme dhe “malli me mall”

 

Çfarë është më e rëndësishme, sipërmarrësit po i rrisin kreditë me probleme, sepse ju drejtohen bankave, tashmë jo për të zgjeruar aktivitetin e tyre, por për kapital qarkullues, pra për nevoja emergjente. Përballë gjejnë forcimin e kushteve të bankave të nivelit të dytë për të kredituar biznesin.

 

Kjo krizë likujditeti dhe kredish me probleme reflektohet në shifra: Totali i kredive me probleme është 23 për qind, kurse për kreditë mbi biznesin ato janë edhe më të larta se 26 për qind. Praktikisht më shumë se një në katër biznese ka kredi me probleme me bankat. Kundrejt vitit 2008, vit kur u shfaqën shenjat e para të ndikimit të krizës, kreditë me probleme janë rritur rreth 4 herë. Kjo është një shpejtësi shumë e lartë.

 

Indekset e besimit të bizneseve dhe konsumatoreve kanë rënë ndjeshëm. Privatizimet qeveritare, ku biznesi kishte “varur” shpresën se mund të merrte ndonjë kacidhe për punët e kryera, kanë dështuar. Që nga Albpetrol që ishte dështimi më i bujshëm i qeveritar, CEZ në Ceki që tashmë ka nisur gjyqin me Shqipërinë, HEC-et që po shiten për dy grosh dhe paratë për to që po merren me pikatore, janë dështimet e njëpasnjëshme të ndodhura këto vitet e fundit që në një lidhje logjike e kanë çuar biznesin shqiptar në krizë të thellë, si pasojë konsumatorin me tkurrje në blerje, e të gjithë ekonominë shqiptare në një rreth vicioz ku malli po shkëmbehet me mall.

 

 

 

 

 

7 – Rritja e borxhit publik

 

Efektet e krizës po ndihen fort, por do ndihen shumë më fort pas 23 qershorit. Në kushtet kur bizneset tona janë duke vuajtur ulje të likuiditetit, importet kanë pësuar rënie, të ardhurat nga tatimet kanë rënë, shpenzimet qeveritare po ashtu dhe kreditë e këqija në sistemin bankar janë rritur ndjeshëm, ndërsa kreditimi i sektorit privat është nën potencialin e tij – u rrit presioni ndaj qeverisë për një rritje të borxhit publik. Ky presion do jetë present edhe pas 23 qershorit. Aktualisht, rritja e kufirit të borxhit publik në 62.6 përqind (nga 54 përqind në vitin 2005 në 62.5 përqind në 2013-ën) është shumë më tepër, sepse rritja e Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo sjell pasoja të rënda të financave publike, por do të thotë edhe vazhdim i tkurrjes ekonomike, me pasoja të papërballueshme sociale dhe në punësim.

 

 

 

Një takim me biznesmenët

 

Jo rastësisht, në një takim të fundit që lideri i opozitës Edi Rama kishte me sipërmarrës vendas pasi e pyetën (dhe e kontestuan shumë) kur fliste për taksën progressive, ai u shpreh: “Unë nuk mundem në këtë moment të marr përsipër të flas me detaje se çfarë do të bëjmë pas 23 qershorit, si do të jetë kjo taksë apo taksa të tjera që janë menduar prej nesh të reduktohen. Pasi nuk e di se çfarë arke buxheti më pret. Asnjë hap konkret nuk mund të ndërmarr pas kësaj dite pa bërë një analizë të hollësishme të asaj ç’ka gjejmë dhe si mund të bashkëpunojmë me ju”. Biznesmenët e pranishëm për herë të parë e pranuan hapur para Ramës se gjendeshin në momente të vështira dhe nuk kanë asnjë siguri për të ardhmen e tyre.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *