Gjykata e Lartë Greke do të vendosë sot për ekstradimin e Arben Frrokut, 44-vjeçarit të akuzuar nga prokuroria shqiptare për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Paçka se në të gjitha seancat e mëparshme drejtësia greke ka refuzuar të lejojë ekstradimin e shqiptarit të arrestuar me forca speciale në Selanik, ditën e sotme pritet që kolegji të votojë pro ose kundër. Referuar të dhënave konfidenciale që vijnë nga Athina, duke iu referuar jo vetëm kërkesës gjysmake të bërë nga autoritetet tona, por edhe mënyrës se si kanë precipetuar ngjarjet e pas arrestimit të klientit të tij, gjykata pritet të jetë në krah të të prangosurit.
Arrestimi i bujshëm duket se në vendin fqinj ka marrë ngjyra politike. Përfshirja e emrit të tij në listën për deputet, të gjitha lëvizjet e mëvonshme të policisë me familjen dhe me emrin e Arben Frrokut, kanë dhënë shkëndijat e një mundësie që ai të lërë qelitë e Selanikut dhe të dalë i lirë.
Pretendimet
Shoqërimi i vëllait të Arben Frrokut pak ditë më parë në policinë e Tiranës me shkakun e një telefonate anonime në polici, arrestimi i një personi që prokuroria dhe gjykata e konsiderojnë si autorin e vjedhjes së makinës me të cilën u krye atentati pasditen e 24 shkurtit, si dhe një sërë sulmesh të dokumentuara ndaj familjes Frroku, mësohet se janë arma e fortë në duart e mbrojtësit grek të Arben Frrokut për ta cilësuar çështjen si “politike”.
Familjarët e “grabitësit” të makinës, e cila u gjet 24 orë pas ngjarjes në Domje, kanë kontestuar ditën e gjyqit jo vetëm arrestimin e paligjshëm, por edhe dhunën e ushtruar sistematikisht në shtatë shoqërimet që janë kryer në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës të Ennver Stafukës.
Ndërkohë që zhvillimet në drejtim të zbardhjes së vrasjes së Dritan Lamajt duken se kanë mbetur vetëm në procesverbalet e vendit të ngjarjes. Policia, prokuroria dhe Gjykata për Krimet e Rënda vijojnë të pretendojnë se dy personat e arrestuar për grabitjen e makinës në Durrës fshehin të vërtetën e porositësit, që në dyshimet e tyre tashmë është vetëm një emër dhe ai është Arben Frroku.
