Shqiptari në kërkim për rrëmbimin e të miturës

anazapta

Policia greke ka shpallur në kërkim një shqiptar si rrëmbyes të një 13-vjeçareje, e cila u gjet katër ditë pas zhdukjes. Marion Ajazi, 23 vjeç, është denoncuar nga vetë e mitura, e cila është marrë në pyetje në prani të psikologut. Vajza ka treguar për bisedat e shpeshta që bënte me 23-vjeçarin në “facebook”. Pas kësaj dëshmie policia greke e futi emrin e shqiptarit në listën e shumë të kërkuarve.

13-vjeçarja ishte shpallur e zhdukur të dielën e kaluar, kur ishte larguar nga shtëpia e gjyshes me të cilën banonte, në fshatin Spata pranë Athinës. Menjëherë apelet për gjetjen e vajzës dhe fotografia e saj ishin publikuar nga “Amber Alert” në gjithë mediat elektronike greke.

Në këtë mesjavë, qytetarë në Kavala, në veri të Greqisë, kishin sinjalizuar policinë se e kishin parë të miturën bashkë me 23-vjeçarin shqiptar në një zonë rurale, ku ky banonte.

Përfundimisht, e mitura u gjet të enjten pasdite në afërsi të një zone pyjore pranë Kavalas dhe gjendja e saj shëndetësore është e mirë, ndërkohë që nuk është thënë nëse kanë rezultuar prova për keqtrajtimin seksual të saj.

Pas hetimeve, rezultoi se 23-vjeçari kishte muajt e fundit kontakte të shpeshta me të miturën në rrjetin social “facebook” dhe se në njerën apo tjetrën mënyrë ai implikohet në atë që policia vazhdimisht e ka cilësuar si “rrëmbim”. Prandaj u kërkua nga prokuroria të lejohet publikimi i gjeneraliteteve dhe fotografive të shqiptarit 23-vjeçar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *