PUNA është pa dyshim nevoja më e madhe që ka aktualisht familja dhe rinia shqiptare. Në fund të vitit 2012, niveli i papunësisë në shkalle vendi për shumë organizata serioze të shoqërisë civile që ndjekin nga afër gjendjen ekonomike, rezultoi të ishte 41 përqind dhe jo 13 përqind sa raporton INSTAT. Por edhe të dhënat e statistikave zyrtare të bilancit të forcave të punës në 5 vitet e fundit tregojnë se shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ka rënë me gati 5 pikë përqindje, duke rritur numrin e të papunëve afatgjatë me 14 pwr qind. Ndonëse sot nuk kemi asnjë informacion mbi gjendjen e varfërisë të familjeve shqiptare, vëmë re se të gjithë treguesit, si për varfërinë relative ashtu dhe atë absolute janë të përkeqësuar. Sektori privat dominohet nga ndërmarrjet e vogla, të cilat së fundi kanë hasur shumë vështirësi për të funksionuar dhe për të gjeneruar punësimin. Ndërsa ndërmarrjet e mëdha që arrijnë të punësojnë pjesën më të madhe të forcës së punës në sektorin privat janë zënë në ngërçin e krizës së likuiditeteve, gjetjes së tregut dhe mungesës së investimeve. Gjithashtu edhe prezenca e investimeve të huaja direkte (FDI) në Shqipëri këto tre vitet e fundit ka ardhur duke u ulur dhe ka vështirësuar gjenerimin e punësimit. Nga ana tjetër, qeveria ka bërë realisht shumë pak në këto vite për të përmirësuar aftësitë profesionale të punëmarrësve shqiptarë. Skemat e riaftësimit profesional janë shumë të brishta dhe tregu i punës e ka të vështirë të ofrojë për bizneset lokale punëtorë të kualifikuar. Kjo mungesë serioze investimesh në këtë sektor pa dyshim që krijon vështirësi që vendi të arrijë shpejtësinë e globalizmit. Shqipëria duhet të jetë një treg i hapur mallrash, shërbimesh dhe punësimi duke ofruar aftësi profesionale të ngjashme me ato të vendeve të tjera konkurruese në botë. Por nuk është. Kriteret e marrjes në punë, që nuk kanë për bazë aspak meritokracinë por nepotizmin dhe qasjen ndaj grupit politik, prishin cilësinë e nëpunësit civil në vend. Sot, kur vendi kërkon të marrë përsipër detyra të reja, siç është integrimi evropian, cilësia jonë e nëpunësit civil lë shumë për të dëshiruar. Ai është bërë thjesht një rob partiak, një kontigjent mbushës i mitingjeve të partisë në fuqi. Nuk ka si ta ketë mendjen tek puna e vet. Prandaj dhe cilësia e shërbimit ndaj qytetarit është përkeqësuar në sektorët që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të, si arsimi, shëndetësia etj. Duke u nisur nga situata aktuale, ku dëshmohet se ekonomia po ecën me ritme shumë të ngadalta, gati ka stopuar, sektorët e rëndësishëm të katër viteve më parë e kanë humbur tërësisht peshën e tyre. Përshtypja që të krijohet është ajo e një krize të gjatë. Ekonomia informale, e cila fillimisht luajti rolin e një kamerdareje, tani është kthyer në një pengese për të vendosur normalitet në sistemin fiskal dhe pengesë në ndërmarrjen e reformave. Qeveria po bën gjithcka me dorën e saj për të përkeqësuar treguesit kryesorë makro dhe mikroekonomikë të vendit, me shpenzime të papërgjegjshme dhe me një nivel skandaloz të mbledhjes së të ardhurave fiskale. Borxhi i jashtëm ka thithur gjithë rritjen ekonomike të brendshme, duke sjellë kështu pengesa buxhetore në rritjen e investimeve kapitale. Por, nga ana tjetër, duket që edhe kriza rajonale, sidomos e vendeve fqinje Evropiane do të vijojë të peshojë mbi ekonominë tonë. Si përfundim, edhe pse tek ne papunësia zyrtarisht mbahet abuzivisht diku afwr 13 përqind, në disa raporte institucionesh ndërkombëtare flitet për një shifër shumë të madhe se kaq, rreth 40 përqind. Abuzohet me popullsinë dhe papunësinë në fshat, e cila është kthyer në kronike dhe zor se mund të mbulohet më. Lufta kundër papunësisë është e vështirë, por nëse arrihet të kombinohen politikat e nxitjes së investimeve vendase dhe të huaja me politikat publike, monetare, kreditore dhe fiskale të qeverisë së shtatorit 2013, atëhere ka dritë në fund të tunelit. Mund të arrihet një nivel i pranueshëm papunësie që shërben si nxitje për forcat e punës dhe për ekonominë në pëgjithësi.
Po c’thotë INSTAT për papunësinë, kur ekonomia është në ulje?
Paradoksi i ekonomisë shqiptare shtohet kur institucionet zyrtare flasin për shifra të tjera të papunësisë në raport me atë cfarë konkretisht arohet sot në treg. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, shkalla e papunësisë për tremujorin e parë të këtij viti ishte 12.8 për qind, po aq sa në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Madje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkalla e papunësisë në ekonomi ka rënë me 0.3 pikë përqindjeje. Nëse shkojmë më larg në vitin 2009, atëherë kur ritmet e rritjes ekonomia nisën të bien poshtë potencialit, shkalla e papunësië ka rënë me 0.8 pikë përqindje. Me logjikë ekonomike, duket paradoksale që, sa më pak rritet ekonomia, aq më shumë ulet shkalla e papunësisë dhe aq më shumë rritet punësimi. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti numri total i të punësuarve ishte 967 mijë, tre mijë më shumë krahasuar me fundin e vitit 2012. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i të punësuarve është rritur me mbi 18 mijë vetë apo afërsisht 2 për qind . Sipas INSTAT, i gjithë kontributi në rritjen e punësimit në tremujorin e parë të këtij viti, ashtu, si gjatë vitit të kaluar, ka ardhur nga sektori privat jobujqësor. Vitin e kaluar ekonomia shqiptare u rrit me 1.6 për qind, rritja më e ulët e 15 viteve të fundit dhe kriza duket se ka prekur shumicën e sektorëve të ekonomisë.
