Bogdani paralajmëron për një Norvegji “të nxehtë”

anazapta

Erjon Bogdani paralajmëron për një ndeshje më të vështirë se ajo në Oslo, kur Shqipëria e Norvegjia të dalin në fushën e “Qemal Stafës” më 7 qershor. Sulmuesi veteran i kuqezinjve thotë se skuadra e De Biazit nuk është më e panjohur për nordikët, të cilët tani do të përgatiten më fort. “Kjo ndeshje është shumë më e vështirë se ajo që luajtëm në Oslo”, tha dje Bogdani në konferencën për shtyp në kompleksin “Tropikal”. “Norvegjia këtë herë do të vijë me ide të qarta, pasi e njeh mirë forcën tonë. Ata u befasuan nga ndeshja e parë, duke na nënvlerësuar, prandaj dhe humbën. Unë kam bindjen se norvegjezët do të  përgatiten për një ndeshje të madhe kundër nesh. Në këto kushte, ne duhet të bëjmë më shumë se sa bëmë në takimin e shkuar. Duhet të jemi më të organizuar dhe më të përqendruar në fushë, duke dhënë maksimumin gjatë 90 minutave”, tha autori i 19 golave me kombëtaren.

 

Lilaj

Përkrah Bogdanit, në konferencën për shtyp u paraqit mesfushori Sabien Lilaj, i cili shprehur besimin se skuadra mund të marrë përsëri një rezultat pozitiv kundër norvegjezëve. “Kemi treguar se kemi një skuadër të mirë, e cila kohët e fundit ka bërë paraqitje dinjitoze dhe ka marrë rezultate pozitive. Me këtë formë që po ka ekipi, kam besim se do t’ia dalim edhe këtë radhë ndaj Norvegjisë”, tha mesfushori i Skënderbeut. Edhe Lilaj ndan të njëjtin mendim me Bogdanin se Norvegjia do të jetë më e vështirë se më 22 mars në Oslo. “Jemi të ndërgjegjshëm se përballë do të kemi një kundërshtar më të përqendruar se ai që pamë në Oslo, prandaj edhe ne duhet të bëjmë më shumë se sa bëmë në ndeshjen e vajtjes për të siguruar një rezultat pozitiv”.

 

Mungesat

Të dy lojtarët pranuan vështirësitë që sjellin mungesat në skuadër, megjithatë kjo nuk duhet parë si alibi. “Mungesat nuk janë justifikim, ato janë gjëra që ndodhin dhe një skuadër e përgatitur di si t’ia dalë edhe në të tilla raste”, tha Bogdani. Lilaj pranoi se nuk ndihet mirë duke pasur parasysh që mungojnë lojtarë të rëndësishëm, por shprehur besimin tek ata që do të zëvendësojnë Canën, Lilën e Roshin. “Kemi disa mungesa të rëndësishme dhe në këtë pikë nuk është se ndihemi mirë, gjithsesi kemi besim të plotë tek të gjithë lojtarët që janë pjesë e ekipit kombëtar se do të futen në fushë me qëllimin për të dhënë maksimumin e tyre dhe për të ndihmuar skuadrën të hedh një hap drejt qëllimit të saj, që është ëndrra drejt Brazilit”.

 

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *