Zhoze Murinjo e mbylli me fitore aventurën trevjeçare me Realin, por të njëjtën gjë bëri edhe Barcelona më pas, duke barazuar rekordin e vjetshëm të madrilenëve. Tifozët në “Bernabeu” u ndanë përgjysmë, pasi një pjesë e përshëndeti dhe të tjerët e vërshëllyen në prag të takimit me Osasunën, mbyllur 4-2. Në “Camp Nou”, misioni i vetëm i Barcelonës ishte të barazonte rekordin e vjetshëm të Realit, dhe ia arriti me fitoren 4-1 kundër Malagës. Kampionët u ngjitën në kuotën e 100 pikëve, po aq sa Reali vjet. I vetmi ndryshim është diferenca me vendin e dytë. Vjet Barcelona ishte nëntë pikë poshtë Realit, ndërsa tani e mbylli kampionatit me 15 pikë më tepër.
