Pas triumfit përpara disa javësh ndaj SkyPetroleum, shoqërisë nga Teksasi që kërkonte 1 miliard USD për zgjidhje të pretenduar të pavlefshme të kontratës nga qeveria shqiptare, Republika e Shqipërisë koleksionon një sukses të ri në
Arbitrazh Ndërkombëtar. Këtë radhë bëhej fjalë për një shoqëri shqiptare EagleGamessh.a. dhe një shoqëri italiane Burimi Srl të cilat pretendonin se Qeveria shqiptare kishte cënuar investimin e tyre në vendin tonë.
Në vitin 2004, Eaglegames ishte pajisur me licensë 10-vjeçare për organizim llotarie. Paditësit pretendonin qe autoritetet shqiptare kishin cënuar investimin e tyre, në veçanti, duke revokuar licensën e Eaglegames. Ligji i ri i miratuar në maj 2007 për lojrat e fatit parashikonte një liçensë të vetme për ushtrimin e “llotarisë kombëtare”. Ky ligj revokoi të gjithë
liçensat e dhëna më parë duke parashikuar edhe kompensimin e subjekteve të liçensuar. Nga sa më sipër, paditësit kërkonin nga Gjykata të shpallte Republikën e Shqipërisë fajtore për shkelje të Traktatit për nxitjen dhe mbrojtjen e
investimeve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të ligjit shqiptar për Investimet e huaja dhe të normave zakonore ndërkombëtare.
Përfundimisht, paditësit pretendonin një dëmshpërblim prej 10,2 milionë USD. Të gjitha kërkimet e paditësve u rrëzuan nga Gjykata dhe pala shqiptare fitoi të drejtën t’i rimbursohen shpenzimet në masën 420 mijë euro.
