Dhurimi i gjakut, përfitimi është i dyfishtë

anazapta

Është tashmë fakt i njohur se ai që dhuron gjak mund të shpëtojë jetën e dikujt në nevojë. Por studimet e kohëve të fundit tregojnë se nga dhurimi i gjakut përfiton jo vetëm marrësi, por edhe vetë dhuruesi. Studimet e kohëve të fundit kanë dalë në përfundimin se për 473 mililitër gjak të dhuruar, ne djegim 650 kalori.

Por përfitimi lidhet edhe me përqendrimin e hekurit në gjak. Prania e hekurit në gjak përcakton trashësinë e tij, d.m.th. sa më i lartë niveli i hekurit, aq më i trashë gjaku. Niveli i lartë i hekurit në gjak mund të shkaktojë vështirësi në qarkullim, gjë që çon në sëmundjet kardiovaskulare.

Një sasi gjaku që dhurohet do të thotë gjithashtu ulje e nivelit të hekurit, gjë që luan një rol mbrojtës, pasi shkakton hollimin e gjakut.

Një tjetër studim i kryer kohët e fundit nga Shoqata e Mjekëve Amerikanë argumenton se personat e moshës 43-61 vjeç ulin rrezikun e atakut në zemër dhe atij në tru, nëse dhurojnë gjak një herë në gjashtë muaj.

Ndërsa sipas një studimi të ngjashëm të kryer në Finlandë me 2682 meshkuj, ata që dhuronin gjak rregullisht, e reduktonin rrezikun e këtyre sëmundjeve me 88 për qind në krahasim me ata që nuk kishin dhuruar asnjëherë.

Të dhurosh gjak ndihmon edhe në parandalimin e kancerit. Sipas një studimi të publikuar në Journal of National Cancer Institute, niveli i hekurit në gjak lidhet me rrezikun e lartë të kancerit dhe besohet se rrit shkallën e dëmtimit nga radikalet e lira.

Por, sidoqoftë, benefitet e një dhuruesi janë më të mëdha nëse dhurimi bëhet rregullisht.

Specialistët thonë se pas dhurimit të gjakut, trupi e zëvendëson volumin e humbur brenda 48 orëve, ndërsa rruazat e kuqe shkojnë në të njëjtin nivel 4-6 javë pas dhurimit.  / Gazmira Sokoli

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *