Mosvotimi?!

anazapta

Se kush duhet votuar, është vendim i mëvetësishëm, individual, por është me rëndësi të jashtëzakonshme të nënvizohet, kush nuk guxon të rizgjidhet. Nëpërmjet votës njeriu tregon botëkuptimin e vet dhe inteligjencën, dhe aftësitë e tija mendore dhe gjykuese. Edhe bindjet qytetare, edhe kulturën. Ai që voton një parti fashiste për shembull, mund të merret me mend pse  bënë këtë. Edhe parapëlqimet tjera politike dëftojnë karakterin e një njeriu dhe orientimin.

Mosvotimi është moskokëçarje dhe mund t’u falet popujve që kanë pak probleme; pak papunësi dhe ku krimi, tradhtia dhe makiavelizmi, nuk kanë mundësi të depërtojnë apo mbijetojnë në politikë. Shkurt, ai komoditet i mosvotimit, ajo protestë pasive, depresive, që nuk sjellë asnjë të mirë, mund t’ i falet një populli me një shtet ligjor, me një shtet social, që ka fuqi edhe ekonomike, për ta mbrojtur dinjitetin e njeriut. Qytetari me votën e vet, shpërblen ose ndëshkon politikanin. Me mosvotim shpërblehet pala e inkriminuar, ajo që ka zaptuar pushtetin. Politikanit nuk i intereson sa veta votuan, por sa për qind fitoi. Një shoqëri ka një demokraci të ankoruar mirë, kur politikani me votë dënohet, jo kur  i falen edhe krimet. Nëse shkarja e parë e rëndë shpërfillet, pasojnë edhe krimet. Këto zgjedhje, janë shansi i fundit për ta shpëtuar demokracinë në Shqipëri, dhe, kjo demokraci, mund të shpëtohet, vetëm me votë plebishitare.

 

Një qytetar që adhuron shtetin ligjor, nuk mund të votojë kurrë një njeri, që është marrë me kontrabandë. Me kontrabandën e naftës për shembull. Al Capone qe marrë me alkool dhe përfundoi në burg. “Mas Carpone” jonë, nga presidenca, kaloi në kryeministri. U shpërblye. Nëse ne votojmë atë, domethënë se pajtohemi me veprën penale, me shkeljen e ligjit. Nëse pajtohemi, atëherë jemi pak kriminel edhe vetë, ose mbështesim kriminalitetin e tjerëve nga oportunizmi. Në demokracinë perëndimore, një qytetar që merret me kontrabandë, përfundon karrierën politike. Procedime të ngjashme ndodhin në vendet me të ashtuquajtura vlera europiane dhe shtete ligjore, domethënë me botëkuptime, gjykime dhe bindje europiane. Qytetari europian nuk toleron që zyra e kryeministrit apo kryetarit, të zezohet aq shumë, sa të ulet brenda edhe njerëz të sojit të Toto Riinas. Kjo është arsyeja pse sot në Europë nuk ka asnjë kryeministër, që është marrë me kontrabandë, por nuk mund të përjashtohet mundësia të jetë ndonjë qytetarë në arrati. Me votë njeriu mund të dëshmojë një distancim cilësor nga kriminaliteti, ose të shkrihet në të duke e votuar.

“GFI” Global Financial Integrity në dhjetor të vitit të kaluar, pat bërë të ditur se nga Shqipëria, janë transferuar ilegalisht 1.3 miliard dollarë në pesë vitet e fundit. A i ka bërë këto Saliu? Nuk dihet, por ai paguhet për ta pamundësuar atë transferim. Nëse rivotohet, në katër vitet e ardhshme, avullohen edhe një miliard dollarë.

 

Një qytetar nuk duhet të votojë një njeri që me ligj ka duruar dhe stimuluar ngritjen e piramidave financiare, që kanë çuar tek rrënimi i shtetit. Nuk duhet ta bëjë këtë një votues sepse me këtë akt, ai dëshmon apati ndaj vendit, jo si më lart vetëm ndaj kombit jashtë kufirit, por edhe ndaj vetw shtetit shqiptar si garantues i paqes dhe mirëqenies së popullit.

Përveç kësaj, nëse qytetari voton një njeri të atij kallëpi, atëherë, ai i falë rrënimin e shtetit dhe pajtohet edhe me krijimin e mundësisë për t’ u vrarë mbi 2000 shqiptarë. Në Europë nuk mund të gjendet askund një politikan, që ka rrënuar shtetin e vet dhe tani të jetë aq i pafytyrë, sa të kandidohet përsëri. Shteti ligjor është i detyruar të hetojë dhe zbulojë dhe dënojë njerëzit që çuan me qëllim apo nga neglizhenca, deri tek ajo tragjedi. Në Europë, një njeri i tillë, nuk mund të kandidohet, sepse për vrasjen e 2000 vetave dhe rrënimin e shtetit, burgoset dhe nuk i lejohet të bëjë fushatë nga qelia. Votuesi dëshmohet si njeri i ndriçuar dhe emancipuar, nëse nuk voton atë që është marrë me kontrabandë e naftës dhe atë që nga pozita e kryetarit, nuk ka penguar shembjen e shtetit.

 

Një shqiptar nuk duhet  ta votojë një njeri që UÇK-n e pat quajtur marksiste-leniniste dhe terroriste. Terroriste për t’ i pëlqyer Serbisë, marksiste-leniniste për ta trishtuar Perëndimin. Dhe, ai shqiptar që voton apo admiron atë njeri, ai shqiptar gjykon dhe mbështet vlerësimin serb mbi UÇK-në. Tek një komb me vetëdije të lartë kombëtare dhe shtetndërtuese, karriera e një specie ekuivalente, do të kishte përfunduar pas kësaj deklarate. Ata që falin një stigmatizim të tillë, ata njerëz pajtohen në mënyrë eksplicite dhe në heshtje me atë vlerësim. Me votë mirëpo, dënohet gjykimi i barasvlershëm me atë serb, natyrisht nëse qytetari ka këtë mundësi kognitive, diferencuese. Nëse ndjehet “ qengj që hanë barë, me një zile në qafë varë!”, atëherë edhe e adhuron.

 

Nëse një votuesi nuk i mjaftojnë ato fatkeqësi – në Europë qytetarit do t’ i kishte mjaftuar vetëm një argument i përmendur, për ta kuptuar arrivistin dhe batakçiun- atëherë, ai nuk duhet të votojë një njeri që mundësoi një tragjedi të madhe në Gërdec, në të cilat përfitime ishte përfshirë edhe i biri.  Njeriu nuk duhet ta votojë sepse njerëzit mendojnë se votuesi pajtohet me vrasjen e 26 vetave dhe plagosjen e dhjetave. Në një demokraci të vërtetë, pas atij shpërthimi, do ta kishin përfunduar karrierën politike kryeministri, ministri i mbrojtjes dhe dikush tjetër, sepse Europa është e bindur se brenda popullit, ka shumë njerëz të tjerë, që dinë të punojnë më mirë se oportunistët, e jo të shpërblehen me pozita të reja. Mirëpo, nëse qytetari i padijshëm, ose urren vendin e vet, atëherë ai voton pikërisht atë dhe mburret me zgjedhjen. Kjo bëhet ndoshta nga frika, ndoshta nga dobia, ndoshta nga konformizmi.

 

Një qytetar që voton një njeri i cili është zënë duke shitur një pjesë të detit, duke dëmtuar integritetin territorial, atëherë, me votën e tij sot, i jep mundësi në legjislacionin e ardhshëm, ta përmbarojë marrëveshjen. Saliu nuk është penduar kurrë për nënshkrimin e tij. Kjo është arsyeja pse Greqia tani hesht. Në Europë, nuk mund të mbijetojë një politikan as 24 orë pasi të jetë kuptuar se ka cenuar sovranitetin me firmë. Nuk është e mundur të mbetet më në politikë, sepse qytetari europian këtë e konsideron tradhti të madhe ndaj vendit dhe një person i tillë, do të përfundonte në burg dhe natyrisht, siç iu tha edhe më lartë, nga qelia, nuk i lejohet të bëjë fushatë, edhe nëse populli është duduk nga perceptimi dhe gjykimi. Nëse nuk votohet një njeri i tillë, atëherë tregohet epërsi mendore, se votuesi nuk pajtohet me tradhtinë në politikën shqiptare. Votuesi eventual, duhet të dëshmojë se edhe vet nuk është tradhtar.

 

Nëse ato vepra nuk mjaftojnë për ta dënuar me votë një njeri, atëherë kundër votimit flet vrasja e katër protestuesve. Asnjë kryeministër europian nuk ka vrarë qytetarë të vet, por sikur ta kishte bërë, nuk do të kishte pasur mundësi të kandidohet nga burgu, sepse në Europë, njerëzve të gjykuar, u ndalohet kandidimi. Dhe, nëse votohet një njeri, që ka vrarë shqiptarë të partisë opozitare, atëherë  votuesi pajohet me ato vrasje dhe është krenar dhe mbështet krimin. Nëse i falet, ai do të halitet dhe është në pyetje koha se kur do të vrasë edhe të vetët. Në Europë nuk durohet një kryeministër i tillë. Pra, një qytetar me vetëdije nacionale dhe politike, nuk i falë vrasjen politikanit. Në demokraci ato nuk falen, në diktaturë diktatori ka imunitet dhe mund të vrasë qytetarë, por, procedohet pas rrënimit të saj, nëse fiton shteti ligjor. Shqiptari tregon pjekuri politike dhe i bashkëngjitet mendësisë europiane, kur del në protestë kundër vrasjes së njeriut dhe kërkon drejtësi. Dhe kur pengon shkarangjitjen e mizantropëve në pushtet.

 

Nëse voton një njeri që shan nënën, motrën, gruan dhe që  i quan mjeran, dështak kundërshtarët, se u a prishë fytyrën, atëherë votuesi pajtohet që vendi të qeveriset nga një rrugaç. Nga një kryerrugaç. Nëse një kryeministër shanë si një rrugaç, atëherë të gjithë rrugaçët na duken intelektual. Madje nuk mund të kuptojmë cili është kryeministri, cili rrugaçi. Kjo dukuri na dëmton perceptimin e drejtë. Gjykimin. Përligjjen. Përzihen vlerat. Pastaj, duke sharë gratë e kundërshtarëve politik, ndikoi në rritjen e keqtrajtimit të grave dhe vrasjen e tyre, madje edhe në vrasjen e embrioneve femërore.

Në Perëndim një njeri që shan ashtu, nuk ka shanse në politikë, sepse kryeministri është pasqyra e vendit dhe shëmbëlltyra e kombit.

Çfarë mendoni se mendon bota për ne, kur takon kryeministrin tonë, që ka marrë aq shumë jetë shqiptarësh në qafë dhe që posedon surrat të kandidohet përsëri? Çfarë mendoni se ata mendojnë për ne, kur shohin njerëzit të veshur hollë, si vishet njeriu në pikë të verës, por kryeministri, i veshur si vishte njeriu në pikë të dimrit? Pse ky njeri ka frikë nga populli i vet? Pse paska bërë aq mirë? Pse ndërtoi rrugë e shkolla? Pse ato rrugë dhe ato shkolla mbarojnë punën pikërisht tani? Çfarë mendoni se mendon bota për popullin shqiptar, kur votojmë kontrabandistë, vrasës, sharës, shitës të detit, transferues të dollarëve jashtë, dhe ata që shpallim tradhtarët heronj?

Pse sillen muxhahedinët pikërisht tani? Për ta blerë heshtjen amerikane? Çfarë mendoni se mendon bota për ne, kur lexojnë se mund të hetohet për shpërdorim detyre Ina Rama, por nuk hetohen njerëzit për vrasje? Shantazhi ndaj saj bëhen nga mizogjinia, për t’ i larguar gratë nga politika. Gratë, ato që po na zbardhin fytyrën neve ditën, që e kanë nxirë burrat natën. Çfarë mendoni se mendon bota për shqiptarët, kur ata, për të shprehur dashurinë ndaj demokracisë, votojnë stalinistin?

 

Nuk mund të thuhet se i keq ishte vetëm Millosheviçi, por të trashë dhe për të ardhur keq, ishin njerëzit rreth tij dhe pastaj, populli i trishtuar, që duronte të trajtohej si bagëti. Populli i një vendi europian, nuk do të kishte duruar kurrë një kryeministër të bartë një foltore në rimorkio dhe të ndalet në mes të rrugëve, ku t’ i teket, kur t’ i teket, për të mbajtur fjalime, duke penguar edhe komunikacionin, për të bërtitur se rrugët janë të miat, se kam shtruar aq shumë, sa të shkohet deri në Tokio. Se, nëse më votoni, do ta ndërtojë autostradën deri në SHBA. Në Europë, në demokracitë e shëndosha, kryeministri nuk përuron kurrë rrugët, urat e shkollat, por këtë e bëjnë politikanët lokal. Nuk mund ta bëjnë sepse ato investime, nuk i bën kryeministri apo kryetari, por taksapaguesi. Inaugurime të tilla në Gjermani, nuk bën kurrë kancelari. Në Republikën Demokratike të Gjermanisë Honekeri i bënte, sot i bën Kim Jong-un në Koren Veriore dhe Raul Castro Ruz, në Kubë. Në Gjermani nuk shihet kurrë një kandidat nëpër shkolla duke u fotografuar me pionierë, por kjo shihet në Kubë, Koren Veriore dhe kryesisht në Shqipëri. Në shtetet europiane ndalohet abuzimi me fëmijë.

Xhaxhi Sali ishte 21 vite anëtar i PP, demokracinë nuk e njeh, e ndërton në bazë të asaj që ka dëgjuar. Partinë e tij ka ndërtuar si Al Capone organizatën, të bazuar në frikë dhe dominim.

Nuk duhet votuar një njeri i cili tek gazeta e vet “Rilindja Demokratike” shkruan këtë titull: “Bajern fitoi, Saliu i solli fat.” Kjo nuk flet vetëm për shkruesin, vetëm rekomanduesin e fjalisë, por kjo flet shumë edhe për popullin që po ia shërben pa kokërr turpi. Pa kokërr droje. Ai popull, nuk ofendohet vetëm pse është shkruar ky mendim, por pse është paragjykuar, se ai mund ta besojë. Mund të kuptohet një analfabet që voton një njeri të tillë, por nuk mund t’ i falet kurrë një njeriu që ka më shumë se katër vite shkollë.

 

Fundi i fundit, një mësues në moshën e Saliut pensionohet, sepse nuk është në gjendje të udhëheqë si duhet një klasë apo edhe shtëpinë e vet, por t’ i dorëzohet në duar gati gjysma e kombit gjyshit, që trishtohet nga populli i vet, është mungesë përgjegjësie. Atëherë, nuk do t’ i ketë fajet vetëm Saliu, por populli i pandriçuar, i molisur, i hutuar, që duron njerëz të tillë në politikë.

Në demokracinë perëndimore një politikan nuk votohet nëse gënjen. I joni rren sapo ta hapë gojën. Me qëndrim europian nuk mund ta konsiderojë veten asnjë njeri, që voton Sali Berishën. Europiani nuk i fal asnjë vepër kundërligjore politikanit.

Për popullin shqiptar është me rëndësi të ndëshkohet kryeministri i sotshëm. Instalimi i demokracisë së vërtetë në Shqipëri, do të mundësonte korrigjimin e politikës fisnore në Kosovë e Maqedoni. Demokracia shqiptare mund të shpëtohet me 23 qershor, nëse jo, atëherë, dekadat e ardhshme, do të jetë e rëndë çrrënjosja e salizmit nga mendësia dhe administrata shqiptare. Dhe, do të kushtojë shumë.

Share This Article
24 Comments
  • Njerzit duhet te votojne. Nuk ka arsye per tmos e bere kete, ndryshe sdo quhen qytetar. Duhet te shkojne te qendrat e votimit, pastaj pun tjeter ke shenojn ne fleten e votimit.mund ta len edhe te bardhe.

    • Ka shume njerez qe thone se mosvotimi eshte shprehje e revoltes kunder qeverise dhe politikaneve, por fatkeqesisht per shqiperine, mosvotimi do te thote lenia e hapsirave boshe per manipulime nga pushtetaret. Prandaj nese je ne moshe per te votuar, VOTO dhe vendos per te ardhmen tende.

      • VINI RE VINI RE
        I bej thirrje te gjithe votuesve te cilet (ashtu si puna ime) votojne per here te pare, ne kemi mundesine qe te ndryshojme historine e vendit tone ne 23 qeshor. Votoni ne 23 qeshor, vota jauj vlen, votoni qe te largojme berishen dhe korrupsionin nga politika Shqiptare.
        VOTA JUAJ VLEN

  • Mosvotimi eshte tama sikur te dorezosh Shqiperine ne doren e nje pakice njerezish, vetem duke votuar ne mund te vendosim per te ardhmjen tone.

  • te mos votosh do te thote te mohosh te drejten e fituar me aq mund te drejten qe ta jep kushtetuta e vendit nje te drejte per te cilen kane luftuar shume dhe jane vrare shume perpara nesh. me pak fjale te mos votosh do te thote te hedhesh posht gjithe mundimin e atyre qe kane luftuar per te drejten e votes

  • E drejta e votes eshte e shenjte ne shume vende te botes luftohet akoma per kete te drejte kurse ne e veme ne dyshim nese duhet ta perdorim apo jo. Eshte gjynaf qe ne kte gjendje qe e kemi vendin mos te japim kontributin tone per te rregulluar gjendjen…

  • Nese ti nuk voton, do te thote se i jep mundesine kesaj qeverie qe ka vene ne dispozicion makinerine zgjedhore per te vjedhur zgjedhjet, te mbushe fleten tende te votimit si do, domethene per PD, domethene ti bie dakort qe kjo qeveri te vazhdoje te jete ne pushtet, dmth ti bie dakort qe kjo qeveri qe ka vjedhur, ka vrare, ka dhunuar te vazhdoje te beje te njejtat gjera dhe askush te mos e ndeshkoje!

  • Vota eshte shume e rendesishme, se ne kete menyre ti shpreh pajtueshmerine ose jo me menyren e qeverisjes apo keq qeverisjes. Ti shpreh vullnetin tend se kujt do t’ia besosh te ardhmen tende, kujt do t’ia besosh vendin tend se do kesh bindjen se do ta ndertoje apo transformoje ashtu si ti do.
    Sigurohu qe vota jote do shkoje aty ku duhet. Sigurohu qe do votosh liderin qe ka prioritet qytetaret.

  • Te gjithe duhet dhe do te votojme sepse te gjithe jemi te zhgenjyer nga kjo qeveri dhe te gjithe do te votojme per ti thene stop kesaj qeverie te korruptuar qe dita dites po e shkatrron kete vend.

  • NASER ALIU,SHKRIM I PËRKRYER.SIÇ E THUA EDHE VETË,MJAFTON VETËM NJERA NGA BËMAT E S.RAM BERISHËS DO TA BËNTE ATË FYTYRËN MË TË NDYRË TË NJË KOMBI TË QYTETËRUAR.MEGJITHËATË UNË KËTYRE GJËMAVE DO T’JU SHTOJA EDHE KËTO:…HEDHJEN PËR HERË TË PARË NË QARKULLIM TË IDESË ANTIKOMBËTARE TË PERSEKUTIMIT NGA REGJIMI KOMUNIST TË DIALEKTIT GEG,DUKE NDËRSYER SAHANLËPIRËSIT(ANTIKOMBËTARËT E KAMUFLUAR PAS LUFTËS POLITIKE) NË TENTATIVËN E TYRE PËR SHKATËRRIMIN E GJUHËS STANDARTE….NDARJEN DHE PËRÇARJEN VERI-JUG,AQ TË DËSHIRUAR NGA ARMIQTË E KËTIJ VENDI…,…

  • Drejt! Shkrim inteligjent! Detyrimisht bie ideja e prof. Sh. Rama mbi “voten e bardhe!”.Duhet votuar!Aty kuptohet demokracia reale!…Nese nuk vidhet dhe manipulohet! Me tej,demokracia perditëson vetveten duke parë si realizohen premtimet!..Shkrim per të vepruar!

  • perkundrazi shqiptaret duhet te votojne e te thone fjalen e tyre ne keto zgjedhje sepe duke mos votuar indirekt mbeshtesin qeverine dhe vetem me vote mund te ndeshkojne qeverine nga keqqeverisja……

  • shqiptaret duhet te votojne qe te tregojne s ejane nje popull me kulture te larte politike dhe qe e duan ndryshimin dhe qe nuk durojne shtypjen dhe diktatorin e kjo esht ee vetmja mundesi per ta thene kete verdikt

  • nqs nje shqipatr nuk voton ai i thote slaiut qe mir na e ke bere qe ke vene diktature dh emebshtesin regjimin qe eshte ne vend por vota kudner eshte ajo qe te jep ty te drejten te zgjedhesh

  • thirrja me e madhe qe i duhet bere ketij popullit eshte te shkoje te votoje dhe pastaj te zgjehde vete se ke do votoje ndaj shqipatret duhet te ngrihen e te thone verdiktn etyre se kush meriton ti qeverise ata….

  • shqiptaret duhet t ethone verdiktin e tyre duhet t ebeje zgjehdjet e tyre dhe mos t errine en shtepi e duke mos votuar bejne gabimin me te madh spe pajtohen me te keqen pranojen shtupjen e qeverise…..

  • ndaj ne 23 qerhsor ngrihuni ne zgjedhje ndaj shkoni e votoni edi ramen dhe alternativen e majte ne 23 qershor votoni partine socialiste votoni numrin 29 sepse ky eshte viti i ndryshimit

  • Pergezime Naser!
    Shkrimi i mire dhe real. Te mos votosh do te thot ti heqesh vetes atributet e te qenit qytetar. Te mos votos do te thot ta privosh veten nga liria me themelore. Nuk e di por, aq me teper ne shqiperi vota eshte jetike. Duhet te vendosi populli per zallamahit qe po ndodhin ne vend.

  • zoti naser ju lumte dora llogjika juaj e mbrehte eshte per tu admiruar .c fare nuk permban artikulli intelegjencen e rafinuar dashurine per kombin per njerzit ,falemindeit…z naser .qe te besh koment shkrimit tuaj eshte njesoj ,sikur bakllavase me 100 pete ti hedhesh kripe mbi te edhe nje here naser faleminderit kjo duhet te jete pena nje buri te mencur suksese naser

  • Do votojme posi porjo per djalin e bllokut qe na lane me buke thate dhe na kishin mbyllur ne thes, dhe kanalet e TV na i hiqnin, per makina e tjera mos e pyet fare, edhe gojen ne a kishin mbyllur, po e hape shkon ne burg ti dhe fisi ne internim. Shqiperia duhet te ndjeke kursin perendimor dhe jo te udhehiqet nga bijte e nipcet e bllokut te cilet nuk i tradhetojne idealet e eterve te tyre packa se bejne sikur jane modernizuar, me veprimet e tyre e kane treguar se nuk duan qe te hyjme ne Europen kapitaliste. Rinia shqipetare do perendimin, ate te cilin na e ndaluan per 55 vjet prinderit dhe shume anetare te PS. Per PS do te votojne vetem xhaketat e vjetra dhe familiaret e tyre deri tek nipcet, qe kane humbur privilegjet ne demokracine perendimore.

  • Eshte e drejta e kujtdo qe te votoje per ke t’i doje kokrra e qejfit, rendesi ka qe te qerohet nga politika shqiptare banditi me antiplumb qe po pergjak Shqiperine. Pastaj Evropen ketu e kemi se nuk na iken. Na ikin vetem miljardat qe po i vjedhin e po i mbyllin jashte shtetit, duke lene ne borxhe fantastike edhe femijet qe akoma s’kane lindur. Percarja e rende kombetare dhe fetare qe solli ky bastard. Keto duhen gjykuar e s’duhen lejuar. Pastaj, ajo puna e bllokut dhe e PS eshte e drejte e kujtdo qe te vendos ne do e votoje apo jo. Rendesi ka qe te qerohet kjo mjurtaje dhe te mos lejohet te na pllakos tjetra. Prandaj jane 74 parti politike.

  • Nen porosine direkte te rrevolucionarit te revoltuar Fatos Lubonja ,ne nuk duhet te shkojme ne votime ose i bejme kryqin fletes.Nje tentative e peshtire per ti dfhene dhe nje mandat tjeter Berishes e kompani dhe thjeshte pasi ai ka ne dore letrat e Lubonjes per Ramiz Aline kur ishte ne burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *