Fëmijët shqiptarë në kthetrat e obezitetit

anazapta

Mbipesha dhe obeziteti krahas të rriturve, po rrezikojnë në masë edhe shëndetin e fëmijëve. Në një studim të kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, hidhet alarmi se stili i jetesës që kanë përqafuar shqiptarët gjatë viteve të fundit, (ku po rendet drejt ushqimeve të konservuara, fastfudeve, teksa mungojnë dhe aktivitetet fizike, po mbart pasoje ta renda edhe tek fëmijët e vegjël. Konkretisht studimi i OBSH-së vë në dukje se 21.6 për qind e fëmijëve shqiptarë vuajnë nga mbipesha dhe obeziteti. Shifra këto, të cilat po shfaqin gjithnjë e më shumë tendenca drejt rritjes. Kështu, nëse nuk merren masat për të ndryshuar këtë situatë, atëherë pasojat me të cilat vendi ynë do të përballet në një të ardhme të afërt do të jenë problematike, pasi mbipesha dhe obeziteti janë një rrezik i madh që ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve të tjera, duke favorizuar veçanërisht sëmundjet e zemrës, diabetit, et.j

Duke iu referuar të dhënave të detajuara të studimit të OBSH-së thuhet se 21.6 për qind e fëmijëve 7 deri në 10 vjeç janë në mbipeshë dhe 7.7 për qind janë obezë. Autorja e këtij raporti Jolanda Hyska në prezantimin e detajuar ka
deklaruar se: “Niveli i mbipeshës tek fëmijët 7 deri në 10 vjeç, në nivel kombëtar rezultoi 14.4 për qind, ku 3.3 për qind e këtyre fëmijëve mbipeshë ishin obezë, rreth 1.6 për qind ishin fëmijë nën peshë, si dhe 84 për qind rreth peshës
normale. Çunat në përgjithësi janë më pak nënpeshë, por janë më shumë mbipeshë ose obezë.

Me rritjen e moshës vërehet një lloj përmirësimi i parametrave sa i takon obezitetit. Konkretisht, tek fëmijët e moshave 7-8 vjeç, mbipesha e obeziteti janë në vlera më të larta, ndërsa me rritjen e kësaj moshe vihet re një lloj rënie”. Po sipas raportit, obeziteti shihet më i lartë në grupmoshën e fëmijëve 8 dhe 9 vjeç, kategori për të cilën duhet treguar shumë kujdes, veçanërisht në drejtim të ushqimit. Sipas Hyskës, këto probleme shfaqen në raporte më të larta tek fëmijët që jetojnë në zonat urbane se sa në zonat rurale. Shkak për këtë gjë bëhet fakti se kontrolli i prindërve mbi format se si ushqehen fëmijët e tyre është shumë i pakët. Një tjetër faktor që ndikon në shfaqjen e shifrave të larta të obezitetit është edhe fakti se në shumë raste neglizhohet ngrënia e mëngjesit. Referuar këtyre të dhënave shqetësuese bluzat e bardha u bëjnë thirrje prindërve që të jenë të kujdesshëm në ushqimin që u servirin fëmijëve të tyre. Ndërkohë që rekomandojnë konsumin e mëngjesit me çdo kusht, në përmbajtje të cilit nuk duhet të mungojnë karbohidratet dhe proteinat që merren përmes qumështit, vezëve apo dhe frutave.

Duke qenë se fëmijët e këtyre moshave kalojnë një pjesë të madhe të kohës në shkolla dhe kopshte, kërkohet që pranë tyre të zbatohen programe të posaçme për ndjekjen e stilit të ushqyerjes së shëndetshme, pasi në të kundërt nëse një fëmijë preket nga obeziteti, ai mbetet i tillë edhe kur të rritet (duke lejuar të zhvillohen në organizmin e tij sëmundje nga më të rëndat, të cilat më pas çojnë në reduktimin e cilësisë dhe jetëgjatësisë”.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *