Berisha është i lodhur. Rama-Meta nuk po krijojnë ‘dallgën elektorale’

anazapta

“PD është prej vitesh pakicë që mbahet me miell hua. Deklarata e Nasip Naços, një bombë tymuese “lokale”. Kam përshtypjen se Rama dhe Meta e kanë zgjidhur mes tyre çeshtjen e kryeministrit”

 

Tri javë para zgjedhjeve të rëndësishme të 23 qershorit,  ne kete interviste ne DITA Skënder Minxhozi bën skanerin e fushatës së deritanishme, ndryshimet në raportin e forcave politike dhe pritshmëritë. Ai thotë se Kryeministri Berisha duket i lodhur, megjithëse  e kërkon me ngulm fitoren, ndërsa ministrat dhe deputetët në krah të tij bëjnë “gjoja”. Minxhozi analizon edhe vizitën dhe deklaratat e zyrtarit të Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore, gjatë vizitës së fundit në Tiranë. Ndërkaq Minxhozi thotë se deklarata e Nasip Naços për Metën Kryeministër pas 23 qershorit ishte një tymuese, pasi kjo çështje është zgjidhur më herët midis Ramës dhe Metës.

 

– Sondazhet e publikuara deri më tani, thuajse pa përjashtim, nxjerrin koalicionin e majtë fitues të zgjedhjeve më 23 qershor. Sa afër realitetit mendoni se janë këto sondazhe?

 

– Duhet thënë më së pari se kjo është një fushatë me pak sondazhe. Vetëm dy media elektronike kanë komisionuar deri tani sondazhe nga kompani të huaja, ndërkohë që siç e dimë, në vendin tonë mungojnë institutet e sondazhit. Këto pak referenca që kemi, nëse nuk tregojnë shifra të qarta rreth raportit të forcave, të paktën dëshmojnë një trend të caktuar në lidhje me preferencat e votuesve. Kjo tendencë tregon qartë se opozita e bashkuar del fituese, nëse zgjedhjet mbahen në momentin aktual.

Një fushatë është një proces i vazhdueshëm komunikimi dhe bindjeje i votuesve. Për pasojë, edhe sondazhet që kemi në duar, teorikisht mund të përmbysen në 23 qershor. Veçse diçka po konfirmohet pa mëdyshje këto orë, mendoj: aftësia e Berishës për të fituar pikë në fazën përmbyllëse të fushatës, duket e kompromentuar rëndë. Të paktën deri tani, me dinamikën elektorale që po shohim.

Kujtoj zgjedhjet e shkuara, kur në fillim të vitit 2009 opozita ndodhej, sipas sondazheve të kohës, diku tek 6 pikët përpara. Ky avantazh erdhi duke u ngushtuar me kalimin e muajve, derisa thuajse u bë zero në qershor të atij viti. Kam përshtypjen se kësaj radhe është ndryshe. Qeveria e ka të vështirë të jetë bindëse, kryeministri duket i lodhur dhe pa argumenta, ai ofron edhe një herë atë që ka ofruar më 2005 dhe 2009, realizimet e qeverisjes nuk përkojnë me fjalimet e oratorëve të saj dhe zgjedhësi ndjehet i ftohtë përballë mundësisë së një mandati të tretë të së djathtës. Shihet hapur se në fushatë ka vetëm një njeri që dëshiron me mish e me shpirt fitoren. Ky është kryeministri Berisha dhe në krah i qëndrojnë një tufë ministrash dhe deputetësh që bëjnë “gjoja”.

Nga ana tjetër, opozita e bashkuar në një front, për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme, që nga koha kur LSI nuk qe formuar ende, nuk po e krijon sipas meje, frymën  e pritshme, entuziazmin dhe dallgën elektorale të një rreshtimi që pret prej tetë vjetësh të marrë pushtetin. Ka gjasa të jetë një fitore numrash besoj, më shumë sesa një fitore e frymës dhe e parimeve.

 

– Berisha ose nuk i komenton ose i injoron sondazhet kësaj radhe. Mos është kjo shenjë e përgatitjes për humbjen?

 

– Berisha nuk anashkalon vetëm sondazhet. Nëse e vini re, ai që e ka provokuar direkt Ramën shumë herë në të shkuarën, për t’u ndeshur në debate televizive publike, kësaj radhe mbledh korrespondentët e rretheve (të cilët ndonjëherë i japin edhe fleta lavdërimi), duke refuzuar për vete dhe ministrat, thuajse çdo përballje mediatike, në lidhje me temat e fushatës. Për pasojë, po del një fushatë ku palët nuk po përplasen, ku secili kërkon të shesë mallin e tij, por pa e vënë përkrah produktit të konkurentit. Mendoj se kjo është një shenjë e qartë e vështirësisë në të cilën ndodhet qeveria, për të mbrojtur bilancin tetëvjeçar të qeverisjes së saj.

 

– Sa blu ju duket Partia Demokratike në këto zgjedhje, pas futjes në listat e kandidatëve për deputetë të emrave si Kastriot Islami, Xhuveli, Dogjani etj?

 

– Kam bindjen se prej shume kohësh PD nuk është më blu. Të paktën në aspektin ideologjik të kësaj ngjyre. Nuk janë vetëm tre deputetët e majtë të infiltruar nëpër listat e saj. Është fillimi dhe fundi i mandatit të dytë, pas vitit 2009, i cili ka qenë i gjithi nën “serumin” e majtë. Ju kujtoj se PD e nisi ditën e parë të punës, në verën e vitit 2009, me katër deputetë opozitarë, të cilët kaluan djathtas në minutën e fundit. Nuk qenë socialistë, por fushatën e bënë me moton “ne e nxjerrim në pension Sali Gërdecin”. Kështu pra, ky mandat që po mbyllet nisi dhe mbaroi me “miell hua”. Në fillim numrat u bënë me anë të LSI, tani në fund me tre mandatet e PS.

Nga ana tjetër, sot ka në treg një ofertë të djathtë alternative, që është ajo e FRD, e cila duket se mbledh një pjesë jo të vogël të atyre që janë zhgënjyer pikërisht nga fakti se PD nuk u duket më edhe aq “blu”.

 

– Mospranimi i AK-së për të bërë koalicion me asnjë palë dhe dalja si kandidatë të pavarur e Arben Malajt, Agron Dukës dhe ndonjë tjetri, mendoni do ta dëmtojë Aleancën e Majtë?

 

– Patjetër që do ta dëmtojë thellësinë e fitores, por ndoshta jo vetë fitoren. Të paktën ky është leximi i momentit, pasi siç e thashë, mund të ndodhë gjithçka deri në ditën e zgjedhjeve. Kam përshtypjen se Rama i ka dhënë një peshë dominuese aleancës me Metën, aq sa ka neglizhuar hapur disa nga lëvizjet e tjera që duheshin bërë, për të “kopsitur” më së miri negociatat për 23 qershorin. Me fjalë të tjera, është treguar shumë i aftë në fazën e negociimit të koalicionit, por jo edhe aq i zhdërvjellët kur ka qenë puna tek lista e kandidatëve. Ne ende nuk i dimë të gjitha arsyet që e kanë shtyrë të veprojë në një mënyrë të caktuar, edhe në rastin e koalicioneve, edhe në atë të listave. Por dimë se disa spostime, heqje apo edhe kandidime të minutës së fundit, sipas një opinioni të gjerë të opinionit publik, në vend që të krijojnë avantazh, do të kenë kosto në fushatë.

 

– Rama kishte mundësi të bënte një listë më të mirë të kandidatëve për deputetë?

 

– Gjithmonë mund të bëhet më mirë, është filozofia e jetës. Aq më tepër në një terren kaq të rrëshqitshëm sa ç’janë interesat dhe marrëdhëniet në një ambjent si ai politik. E thashë dhe më lart, nuk dimë ende të gjithë listën e forcave lëvizëse dhe të interesave që janë mbështjellë rreth listave. Dimë që opozita mund të kishte evituar disa kosto njerëzore që krijoi në momentin e paraqitjes së listave dhe që mund të kenë një peshë të caktuar në realitetet lokale ku do të votohet. Këtë do ta tregojë më së miri 23 qershori, duhet të kemi vetëm tre javë durim.

 

– Gjatë kësaj fushate ndërkombëtarët duken më të tërhequr se herët e tjera. Pse ky qëndrim nga ata? Si e shihni qëndrimin e Jonathan Moore gjatë vizitës në Tiranë?

 

– Nuk mendoj se ka heshtje nga ana e ndërkombëtarëve. Duke filluar nga paralajmërimet e panumërta të Bashkimit Europian dhe institucioneve të tjera europiane për zgjedhjet, nga thirrja e fortë e Hilari Klintonit kur vizitoi Tiranën, nga diplomatët e huaj në Tiranë, të cilët kanë muaj që merren praktikisht vetëm me 23 qershorin – gjithçka flet për një interesim të dukshëm të bashkësisë ndërkombëtare për votimet e përgjithshme në Shqipëri. Ajo që duket se mungon është i njëjti reagim nga klasa jonë politike. Kam përshtypjen se jemi bërë të pandjeshëm ndaj fjalëve të të huajve, ndaj kërkesave apo edhe ultimatumeve të tyre. Shumë shpesh, në harkun e 22 vjetëve, politikanët tanë, më i pari ndër ta Sali Berisha, i kanë shpërfillur qëndrimet e ndërkombëtarëve, kur s’u kanë ardhur për shtat. Kjo po ndodh edhe tani. Kryeministri përbetohet gjithë ditën se do të mbajë zgjedhjet më të mira, por nga ana tjetër i bën thirrje administratës të rreshtohet politikisht në anën e tij.

Sa për vizitën e Jonathan Moore, është i drejtë dyzimi që ekziston sot në opinionin publik rreth qëllimit të saj. Nëse zoti Moore mori një udhëtim aq të gjatë, që në fund të tij të deklaronte se kriza e KQZ mund të zgjidhet, por ndoshta edhe s’mund të zgjidhet, kjo është njëra anë. Në këtë rast do të duhej të shprehnim keqardhjen për një mision të dështuar diplomatik. Por nëse erdhi pikërisht për të hedhur pak tym mbi krizën elektorale në Shqipëri, kjo hap më pas një debat shumë të gjerë dhe të koklavitur se vetë vizita.

 

– Afrimi i Metës me Ramën duket se ka rritur mjaft peshën e LSI-së në spektrin politik shqiptar dhe e kanë bërë atë faktorizuese për qeverisjen e ardhshme. A ishte një lapsus deklarata e Nasip Naços për Metën Kryeministër?

 

– Deklarata e Nasip Naços ishte një bombë tymuese “lokale”. E keni dëgjuar ta hedhë idenë e Metës kryeministër ndonjë kandidat tjetër i LSI në qarqet e tjera? Aspak! Madje Lefter Koka la të kuptohet, për shembull, pak orë pas daljes së Naços, se posti i kryeministri i takonte PS. Asnjë nga eksponentët e tjerë të LSI në fushatë nuk e ka hedhur këtë ide.

Natyrshëm Ilir Meta e ka obsesion ngjitjen edhe një herë në poltronin e kryeministrit. Nuk është e tepër të thuhet se ai e ka krijuar partinë e tij në vitin 2004, mbi aureolën dhe lavdinë e kohës kur drejtonte qeverinë. Kam përshtypjen se Rama dhe Meta e kanë zgjidhur mes tyre çeshtjen e kryeministrit. Por natyrisht, një zgjerim i dukshëm i LSI, do të krijonte premisat për një rritje të peshës së saj në qeverisje pas zgjedhjeve.

Intervistoi  Xhevdet Shehu –

Share This Article
3 Comments
  • Deputeti i LSI Nasip Naco ne Berat u shpreh ‘me ze e figure’:-“META K/Minister i Ardheshem i Shqiperise!” Ilir FLORIRI, ne te djathte te Nacos, BUZEQESHI (?!) “Te pa BESIT nuk i zihet BESE” thote nje fjale e Urte popullore.

  • FRD do te jete surpriza e zgjedhjeve.
    Kush nuk eshte dakort qe HAJDUTI Ilir Meta te vije ne Qeveri dhe politikani i papjekur Edi Rama te vazhdoje te beje GAFA te tjera si Kryeministri i ardheshem i Shqiperise,duhet te votoje FRD e Bamirit dhe Oketes.
    FRD eshte zgjidhja me e mire ,eshte Pari e QENDRES

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *