Sportelet e biletave janë hapur vetëm për pak minuta dje, duke shkaktuar pakënaqësi te tifozët e shumtë që duan të shohin ndeshjen kundër Norvegjisë. Përkrahësit kuqezi pritën me padurim që në mëngjesin e djeshëm të blinin bileta, por shitja filloi vetëm në orën 1 pasdreke dhe zgjati fare pak, ndërkohë që biletat ishin vetëm për pjesën prapa portave. Nga FSHF është bërë e ditur pardje se biletat do të qëndrojnë pak në treg, për të shmangur falsifikimet e mundshme dhe tregun e zi, por disa minuta janë jashtëzakonisht pak për t’i shitur ato. Fakt është që pjesa më e madhe e tyre, rreth 10 mijë, është shitur pa dalë në sportele, për shkak të kërkesave të shumta, ndërsa pjesën e luanit në tribunën VIP e kanë marrë administrata shtetërore dhe politikanë. Pritja e djeshme, e pasuar nga pamundësia për të blerë bileta, ka ngjallur shumë zemërim te tifozët e Shqipërisë, mjaft prej të cilëve të ardhur nga qytete të tjera, si dhe nga jashtë kufijve të vendit, kryesisht nga Kosova.
