Nga data 6 deri më 9 qershor në Watford të Anglisë do të zhvillohet konferenca me të ftuar personalitetet më të pushtetshme nga Evropa dhe Amerika e Veriut. Për 59 vjet me radhë takimi vjetor i grupit Bilderberg ka qenë i rrethuar nga misteri, ndërsa risia e këtij viti është pikërisht transparenca e tij nëpërmjet formimit të një zyre shtypi që do të informojë publikun
Konsiderohet si simboli i pushtetit, armik kryesor i komplotistëve e konspiracionistëve në të gjithë botën, të cilët e akuzojnë se shkatërron rendin botëror, e megjithatë këtë vit Grupi Bilderberg duket se ka zgjedhur t’i japë fund mitit të sekretit që e mbështjell. Faqja e internetit “Bilderberg 2013” shpjegon se për herë të parë në 59 vitet e organizmit të konferencës do të ketë një zyrë shtypi, që do ta bëjë edhe më të thjeshtë punën e mediave në mbulimin e ngjarjes që për tri ditë rresht do të mbledhë faktorët më me ndikim në botën politike, ekonomike dhe të informacionit. Tema që do të trajtohen do të jenë ato mbi punësimin, rritjen ekonomike, nacionalizmin e populizmin, por edhe mbi Lindjen e Mesme, sfidat e Afrikës dhe “krimin kibernetik”.
Konferenca e parë u mbajt më 29 maj të vitit 1954 në “Hotel Bilderberg”, në Arnhem të Hollandës, (prej nga mori dhe emrin). Një nismë e tillë angazhoi shumë persona, midis të cilëve spikati politikani polak Jozef Retinger, i shqetësuar për rritjen e antiamerikanizmit në Evropën perëndimore. Qëllimi i saj ishte favorizimi i kooperimit midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara në fushën politike e ekonomike, si dhe në optikën e mbrojtjes. Lista e të ftuarve ishte përpiluar me nga dy të ftuar për çdo komb (18 gjithsej) një nga ana e liberalëve dhe tjetra nga pala kundërshtare e konservatorëve.
Për këtë vit selia e konferencës do të jetë “Grove Hotel” në Watford, në periferi të Londrës. “The Guardian” shkruan se do të marrin pjesë një numër i madh politikanësh, drejtues bankash, administratorë të deleguar, miliarderë dhe fisnikëria europiane”. Midis personaliteteve të ftuar do të jenë përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë, mbretër, presidentë dhe kryeministra të shteteve europiane, drejtues të BE-së si Manuel Barroso, drejtoresha e FMN-së Kristinë Lagard, gjithsej rreth 150 të ftuar. Gjithçka rreth hotelit londinez do të kontrollohet nga forcat e rendit, aq sa edhe vetë banorët e zonës do të tregojnë dokumentat e identifikimit për të kaluar.
Nëse në faqen zyrtare nënvizohet se Grupi Bilderberg ka si qëllim të favorizojë dialogun midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, nuk mungojnë ata që e përshkruajnë si një “konspiracion antidemokratik të liderëve të kapitalizmit perëmndimor për të mbajtur pushtetin vetjak edhe jashtë fushës së kontrollit të publikut”, shkruan e përditshmja britanike. Por këtë vit do të ketë një transparencë më të madhe. Presioni i gazetarëve dhe aktivistëve pati sukses: për herë të parë do të ketë një zyrë shtypi, e përbërë nga vullnetarë. Mijëra aktivistë do të priten në Watford bashkë me fotografë dhe gazetarë nga e gjithë bota. Sa i përket kostove është qartësuar se kush do të paguajë për konferencën treditore në Mbretërinë e Bashkuar do të jetë enti bamirës i regjistruar zyrtarisht si shoqata “Bilderberg”. Përgatiti: Dorina Gjuzi

per saktesi eshte mbledhur ne OOSTERBERG, president I Bilderberg eshte james Callahan, dhe asistent I tij eshte ex sekretari gjenaral I nato-s lord Carrington,(Arnhem me Bilderberg nuk ka asnje lidhje znj.dorina gjuzi),,,,tung……………!!!!!!!!!!!!