Bordi i Medias akuzon KQZ: E mori pa konsultim vendimin

redaktor

Anëtarët e Bordit të Monitorimit të Medias Adrian Thano, Dardan Malaj dhe Andi Kananaj konsiderojnë si surprizues lajmin për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me “Pasqyrimin e fushatës zgjedhore në Radio-Televizionet private, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 Qershor 2013”.

Duke qenë se është një vendim që lidhet drejtpërdrejtë me punën dhe aktivitetin e Bordit të Monitorimit të Medias do të ishte e drejtë që të kërkohej edhe mendimi i shtatë anëtarëve të Bordit përpara kalimit të aktit në mbledhjen e KQZ dhe hyrjes së tij në fuqi.

E ndjejmë të nevojshme, që në kushtet e mos pasjes së mundësisë për të dhënë vlerësimet paraprake mbi draftin e kthyer tanimë në vendim, konstatojmë sa më poshtë:

–          Nga pikëpamja parimore dhe ligjore (neni 23 i Kushtetutës, E drejta për Informim), qytetarët kanë të drejtën që të informohen në mënyrë profesionale nga mediat dhe punonjësit e mediave për zhvillimet reale të fushatës zgjedhore.

–          Po nga ana parimore, vet e drejta e gazetarit për të jetuar me punën e ndershme dhe të vlerësueshme nga ana profesionale cënohet. Gazetarët kthehen de fakto në telespektator të një shou të përgatitur, montuar dhe kuruar nga vet partitë politike.

–          E parë nga ana praktike, partitë politike e kanë minutazhin e tyre të përcaktuar në bazë të Kodit për tu paraqitur më mirë se sa janë realisht, pra përmes spoteve publicitare elektorale. Prandaj legjislatori përmes Kodit, e ka ndarë hapësirën e spoteve dhe reklamave elektorale, me atë të informimit të drejtë e profesional përmes edicioneve informative dhe debateve politike. Një ndarje e cila në gjykimin tonë është bërë pikërisht për të mbrojtur interesat e qytetarëve për tu informuar drejt, profesionalisht e në mënyrë të paanshme.

–          Sërish në anën praktike, Bordi i Monitorimit me vështirësitë që ka hasur deri më tani, e ka të parealizueshme vlerësimin e materialeve që do të refuzoheshin nga televizionet pasi kushtet teknike janë të tilla që po realizohet me vështirësi edhe monitorimi i vetëm minutazheve të spoteve, edicioneve dhe debateve. Vlerësimi nga ana cilësore i kasetave, aq më tepër investigimi nëse këto përkojnë me të vërtetën apo jo, është tej kapaciteteve teknike dhe funksionale të Bordit të Monitorimit të Medias.

–          Në vlerësimin tonë, materialet që subjektet politike mund ti dërgojnë operatorëve radioteleviziv mund të jenë plotësuese në realizimin e pasqyrimit të aktiviteteve por jo detyruese. Kujtojmë gjithashtu se vet televizionet e kanë detyrim ligjor të paraqesin në mënyrë profesionale dhe ligjore fushatën, në mënyrë të balancuar mes subjekteve politike. Mos respektimi i kësaj kohe çon në penalizimet që i përcakton Kodi Zgjedhor.

Anëtarët e Bordit të Monitorimit të Medias

Adrian Thano

Dardan Malaj

Andi Kananaj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *