Forcat e regjimit kanë rimarrë kontrollin e qytetit Qusayr, ndërsa drejtuesi i rebelëve, Selim Idris, pranoi tërheqjen dhe deklaroi se luftëtarët e Hezbollahu janë faktor vendimtar që qytete si Damask, Idlib dhe Alepo po i rikthehen ushtrisë së Asadit. Britani e Madhe dhe Franca deklarojnë se kanë prova që “regjimi përdor gazin sarin” kundër civilëve. Takimi SHBA-Rusi-OKB në Gjenevë
Rebelët sirianë pranuan të mërkurën se ishin tërhequr nga qyeteti i Qusayrit, në Sirinë qendrore, pas sulmit të dhunshëm të ushtrisë së presidentit Bashar al Asad në bashkëpunim me luftëtarët e Hezbollahut në Damask, i cili shkaktoi vdekjen e qindra civilëve. I cituar nga mediat arabe, gjenerali i regjimit, Yahya Sulayman, u shpreh se “kushdo që kontrollon Qusayrin, kontrollon qendrën e vendit dhe si rrjedhojë të gjithë Sirinë”.
“Hezbollahu i ka dhënë një shtysë të madhe ushtrisë së regjimit. Luftëtarë të këtij grupi po zaptojnë Sirinë. Një numër i madh i tyre janë vendosur në Qusayr, Idlib, Alepo, Damask. Nëse do të vazhdojnë dhe autoritetet libaneze nuk bëjnë asgjë për t’i ndaluar, do të detyrohemi ta luftojmë Hezbollahun brenda territorit të Libanit”, tha shefi i ushtrisë siriane anti-Asad, Selim Idris për “BBC”-në, duke mohur se rebelët po e humbin luftën. Akuza e tyre drejtohet edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar që nuk ka furnizuar me asnjë ndihmë humanitare civilët e bllokuar në qytetet. “Kjo botë hipokrite nuk arriti as të hapte korridore humanitare për të plagosurit e zënë në kurth në qytetet siriane ku u zhvilluan betejat”, shkruhet në komunikatën e komiteteve të aktivistëve anti-regjim në Qusayr.
Franca dhe Britania akuza për përdorimin e gazit tosik
Britania e Madhe dhe Franca deklarojnë se kanë prova “fiziologjike” të përdorimit të gazit sarin nga ana e regjimit të Bashar al Asad për të shtypur revoltat. “Materiali i marrë për ekzaminim rezultoi pozitiv ndaj testit të sarinit dhe ka një sërë të dhënash bindëse që vërtetojnë se regjimi ka përdorur dhe vazhdon të përdorë armë kimike”, u shpreh një zëdhënës i qeverisë britanike. Në një intervistë për kanalin “France 2”, ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha: “Ose vendosim të mos reagojmë ose reagojmë, dhe në mënyrë të armatosur aty ku prodhohet dhe ruhet gazi”. Shtetet e Bashkuara përmes fjalëve të Barak Obamës e kishin përkufizuar hipotezën e përdorimit të gazit toksik si një “kufi i cili nuk duhej kaluar”. Megjithatë ende nuk është specifikuar se në ç’zona është përdorur gazi.
Takimi tripalësh SHBA-Rusi-OKB në Gjenevë
Në Gjenevë nisi takimi tripalësh SHBA-Rusi-OKB si pjesë e përgatitjve për zhvillimin e Konferencës ndërkombëtare mbi Sirinë që thuhet se do të zhvillohet në korrik, pa u përcaktuar ende një datë e saktë. Nënkryetari i SHBA-së për çështjet politike, Ëendy Sherman dhe zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov, do të drejtojnë delegacionet përkatëse, ndërsa ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara dhe i Legës arabe, Lakhdar Brahimi, shoqërohet nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Jeff Feltman. Mbledhja e cila nisi paraditen e së mërkurës në selinë e OKB-së në Gjenevë synon të parapërgatisë pikat që do t’i japin fund luftës në Siri dhe do të rivendosin paqen./D.Gjuzi

Luani ,o vende qe e keni kolonizuar dikur veriun e afrikes ose te ashtuquajturin MAGREB ,taninveproni nen siglen e NEOKOLONIALIZMIT ,kuptohet nen ombrellen e MADHE TE DAJ-SAMIT !!