Në arkën e shtetit mungojnë 309 miliardë lekë. Të dhënat e Ministrisë së Financave për muajin prill 2013 dëshmojnë mungesë të theksuar në realizimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Nga ana tjetër, qeveria ka vendosur të mos kursejë asgjë, për të gjuajtur vota për 23 qershorin, duke thelluar defiçitin buxhetor. Ky i fundit ka arritur në prill një rekord të ri. Sipas pasqyrës fiskale të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga tatimet dhe doganat për muajin prill janë 7.3 përqind më pak se planifikimi në fillim të vitit. Duke krahasuar këto statistika me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (janar-prill 2012), rezulton se të ardhurat e mbledhura nga tatimet shqiptare janë rreth 1 miliardë lekë më pak. Vështirësitë që po kalon ekonomia e vendit, të përkthyera në rënien e investimeve private dhe publike, por edhe të xhiros nga ana e biznesit, kanë dhënë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Presioni mbi mbledhjen e taksave dhe tatimeve ka rënë, për shkak të shkrehjes së administratës sonë tatimore. Shkrehje që vihet re në çdo prag zgjedhjesh, por që kësaj here është shumë e dukshme. Honi i të hyrave buxhetore është i thellë. Në fillim të vitit 2013 në buxhetin e Shtetit të miratur në Kuvend, të ardhurat janë llogaritur të jenë në vlerën 360.6 miliardë lekë, shpenzimet në 409.5 miliardë lekë. Në tre muaj e parë të këtij viti, qeveria nuk ka mundur të realizojë të ardhurat e parashikuara, ndërkohë që ka trashëguar një mosrealizim edhe nga viti që lamë pas. Në tabelën e treguesve fiskalë të vitit të kaluar (2012), zëri me mosrealizimin më të lartë është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Në këtë zë mungojnë 2. 508 miliardë lekë. Ky tregues pasqyron, jo vetëm mungesën e të ardhurave në buxhet, por uljen e fuqisë blerëse në vend. Shqiptaret nuk kanë para për të shpenzuar. Mjaftohen me shpenzimet sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Ata që kanë para, i ruajnë për ditë më të këqija. Një tjetër tregues negativ është ai i tatimit mbi të ardhurat personale, i cili pasqyron me një mosrealizim në masën 139 milionë lekë. Gjatë vitit 2012, të ardhurat personale të shqiptareve kanë pësuar rënie dhe ky fakt është pasqyruar edhe në mbledhjen e më pak të ardhurave nga ky tatim. Pushteti vendor vijon të pasqyrojë performancë të dobët në mbledhjen e të ardhurave. Ky zë regjistron rezultate negative dhe për pasojë në buxhetin e Shtetit mungojnë 214 milionë lekë. Një tjetër tregues negativ i pasqyrës së treguesve fiskalë të Buxhetit të Shtetit për vitin 2012 është edhe zëri i Sigurimeve Shoqërore. Në këtë llogari janë arkëtuar 1 miliardë lekë më pak së planifikimi. Qeveria shqiptare përveç paaftësisë për të siguruar të ardhurat nuk ka kryer as edhe të gjitha pagesat që ka miratuar në fillim të vitit. Pra, nuk është se qeveria nuk paguan vetëm bizneset që kanë bërë punë për të. Ajo i ka aq shumë xhepat e shpuar sa nuk mund të japë para as edhe për sigurimet shoqërore, që garantojnë pensionet e mbi 640 mijë shqiptarëve. Nuk do të jetë e largët dita kur me këtë ritëm do të detyrohemi të marrim borxhe për të paguar pensionet. Ndërkohë qeveria nuk paguan edhe kategori të tjera. Kështu, në zërin fondi i kompensimit të pronarëve qeveria ka “kursyer” 212 milionë lekë, duke mos i kaluar ato në llogaritë e përfituesve. Në tërësi, mungesa e të ardhurave buxhetore ka diktuar rritjen galopante të borxhit publik, i cili ka kaluar edhe kufirin e mëparshëm ligjor të përcaktuar në masën 60 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Borxhi për vitin 2012 llogaritet të shkuar deri në 60. 2 për qind të GDP-së, kurse në këto pesë muajt e parë të këtij viti është mbi 62 përqind. Vetë Ministria jonë e Financave pranon faktin se borxhi publik rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Kur e pranon këtë edhe dikasteri që me shifrat është treguar gjithnjë “rozë”, ç’duhet të mendojnë dhe parashikojnë qytetarët e thjeshtë?

Si te mbrojme pjeserisht voten.
Nese dikush ju kercenon per voten ose kerkon tua bleje, mund te veproni keshtu:
1) Nese u kerkojne qe te fotografoni fleten e votimit, beni nje foto me voten ne kuadratin qe ata duan.
Pastaj vendosni kryqe edhe ne disa kuti te tjera. Keshtu vota juaj do te anullohet.
2) Nese u japin nje flete te plotesuar e u kerkojne ate qe do te merrni ne vendin e votimit bosh. Perseri vendosni ne fleten qe u kane dhene disa kryqe ne disa kuti. Keshtu vota juaj do te anullohet, dhe i dergoni fleten bosh pucistave.
Kush deshiron mund te shkruaje edhe dicka ne fleten e votimit. Psh. se cila parti e kercenoi apo e pagoi, dhe e detyroi qe te anullonte voten.