Telefonatat “e spiunuara” në SHBA

anazapta

Një nga agjencitë më të mëdha të telekomunikacionit amerikan,“Verizon”, i ka kaluar qeverisë amerikane informacione mbi lidhjet telefonike të miliona personave në SHBA. Zbulimi është bërë nga “The Guardian” në një artikull ekskluziv. Dy muaj më parë, administrata Obama, ishte akuzuar nga “Associated Press” se kishte “spiunuar” tabulatet e saj telefonike  

Mbrëmjen e së mërkurës, më 5 qershor, e përditshmja britanike publikoi një raport mbi ekzistencën e një programi të autorizuar nga administrata Obama për kontrollin e tabulateve telefonike të miliona qytetarëve amerikanë.

Agjensia për Sigurinë Kombëtare amerikane (NSA), po mbledh të dhëna të pjesshme nga telefonatat e miliona klientëve të operatorit të telefonisë “Verizon”. “The Guardian” ka pasur akses në urdhrin e gjykatës tepër sekret, të nxjerrë më 25 prill ndaj kësaj kompanie. Në të kërkohet që për tre muaj rresht, “Verizon” të dorëzojë listat e përditshme të telefonatave, brenda dhe jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara.

Dokumenti është firmosur 10 ditë pas atentatit të maratonës së Bostonit, i konsideruar si aksioni më i rëndë terrorist në Amerikë që pas 11 shtatorit të vitit 2001. Ai vërteton për herë të parë, se nën drejtimin administratës Obama, tabulatet e komunikimit të miliona amerikanëve janë mbledhur në masë dhe pa asnjë dallim, pavarësisht nëse ata ishin të dyshuar për ndonjë shkelje ligjore ose jo. Masa bazohet në ligjin federal amerikan, “Patriot Act”, të aprovuar pas atentateve të 11 shtatorit.

Informacioni që mbledh Agjencia e Sigurisë Kombëtare përfshin numrat telefonikë të atyre që ekzekutojnë dhe marrin telefonata, si dhe kohëzgjatjen e bisedave. Nuk kërkohen emra, adresa, të dhënat financiare të klientëve, apo përmbajtja e bisedave. Një grumbullim i tillë informacioni mbi miliona telefonata lejon kontrollin e skemave të komunikimit brenda dhe jashtë vendit.

Nuk dihet nëse “Verizon” është një rast i izoluar, pra e vetmja kompani që ka marrë urdhrin nga gjykata, edhe pse hetime të mëhershme tregojnë se NSA ka marrë të dhëna nga operatorë të tjerë të telefonisë.

Zbulimi duket se i jep përgjigje denoncimeve të dy senatorëve demokratë, Ron Uaiden dhe Mark Udal, të cilët për vite me radhë kanë paralajmëruar publikun mbi aktivitetin vëzhgues të vënë në veprim nga administrata Obama. “Qeveria amerikane mbështetet në ‘interpretime ligjore sekrete’ për të rritur kontrollin mbi publikun amerikan, i cili mbetet i befasuar duke zbuluar këtë tip “spiunazhi”, që drejtohet nga anëtarë të Komisionit të Inteligjencës ”, janë shprehur dy senatorët e sipërpërmendur.

Qeveria dhe FBI-ja nuk e komentuan lajmin, por as nuk e përgënjeshtruan dhe një burim i afërt me magjistraturën konfirmoi autenticitetin e urdhrit. “Do të përgjigjemi sapo të kemi mundësi”, komentoi një zëdhënëse e NSA-së.

Vetëm pak javë më parë ishte Departamenti i Drejtësisë amerikane përfundoi në qendër të një “stuhie” sepse kishte vënë nën kontroll tabulatet telefonike të “Associated Press”. Agjencia e lajmeve amerikane akuzoi administratën se e kishte “spiunuar pa pasur asnjë justifikim”./ D.Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *