Ardhja e stinës së nxehtë e bën të domosdoshëm përdorimin e kremit kundër diellit. Por pavarësisht ndërgjegjësimit për ta aplikuar si një masë mbrojtëse për mbrojtjen e lëkurës, janë disa “sekrete” të vogla që duhet t’i dini rreth kremit kundër diellit, për të mos gabuar në përdorimin e tij. Dy mjekë dermatologë dhe profesorë në Universitetin e Yale-s në SHBA shpjegojnë se cilat janë tetë gabimet që zakonisht bëhen në përdorimin e kremit kundër diellit.
Përdorimi i të njëjtës kuti kremi për 2-3 vite me radhë
Kur është fjala për kremin kundër diellit, data e skadencës ka një rëndësi thelbësore. Përbërësit e tij degjenerojnë me kalimin e kohës, çka do të thotë mbrojtje jo efektive. Për më tepër, një kuti e hapur prej kohësh ka më shumë mundësi të kontaminohet nga bakteret, ndërsa kimikatet ruajtëse humbasin efektivitetin.
Besimi se një krem pudër me SPF mund t’u mbrojë
Një krem pudër me faktor mbrojtës në përbërje të tij nuk ka të njëjtin efekt si kremi i krijuar posaçërisht për atë qëllim. Një tjetër disavantazh i fondatintës është fakti që nuk ka prakticitetin e kremit, i cili aplikohet lehtësisht çdo katër orë.
Të lyhesh vetëm njëherë në mëngjes
Kremi mund të mbrojë për dy orë ose pak më shumë, kjo në varësi të markave. Lëkura e përthith përbërësin mbrojtës dhe brenda pak orësh, efekti i tij ka mbaruar, çka e bën të domosdoshëm një aplikim tjetër. Në rastin e plazhit, kremit i duhet të përballet edhe me djersën dhe larjet në det. Uji e largon përfundimisht nga lëkura dhe lyerja gjatë ditës duhet bërë disa herë, sidomos kur sapo kemi dalë nga deti.
Mospërdorimi i kremit kur nuk ka diell
Një ditë me re nuk do të thotë aspak mbrojtje natyrale nga dielli. Rrezet ultraviolet kalojnë përmes reve dhe mjegullës dhe mund të dëmtojë pothuajse njësoj.
Një faktor i madh mbrojtës nuk është dyfish më efektiv
Ekspertët thonë se për t’u mbrojtur nga dielli, kremi që përdorim duhet të ketë një SPF të paktën 30. Por një krem me SPF 60 nuk garanton mbrojtje dyfishe. Dermatologët thonë se pavarësisht faktorit mbrojtës, rrezet UVB nuk mund të bllokohen 100 për qind. Por gjithsesi, sipas tyre, një krem me faktor mbrojtës 30 i përdorur në mënyrën e duhur bllokon 96 për qind nga djegia e lëkurës.
Mbrojtja nga dielli i besohet vetëm kremit
Kremi nuk na mbron 100 për qind nga dielli dhe për këtë arsye duhen përdorur syzet, kapelat dhe rrobat e lehta gjatë orëve kur rrezatimi është më intensiv.
