Fundi i mallkuar por ëndrra vazhdon

anazapta

Aksioma më e njohur e futbollit gjeti përsëri zbatim dhe përsëri në dëm të Shqipërisë. “Po nuk shënove, do të pësosh”. Shtoji edhe shprehjen “në minutat e fundit” dhe kjo shprehje duket se është formuluar posaçërisht për Shqipërinë. Një fat mizor tri minuta para përfundimit i zgjoi shqiptarët nga një ëndërr e bukur, e cila kishte nisur të merrte krahë pas golit të shkëlqyer të Valdet Ramës, në minutën e 41-të të pjesës së parë. Pa krijuar asnjë rast të pastër, Norvegjia arriti të merrte një pikë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, duke i mohuar fitoren Shqipërisë, e cila, veç fatit të keq të minutave të fundit, duhet të kërkojë fajin edhe te vetja, për humbjen e disa rasteve në gjysmën e dytë të pjesës së dytë. Miqtë luanin për jetë a vdekje, sepse një humbje do të thoshte eliminim nga botërori, ndaj edhe fillimi ishte më i mirë për ta, ndërkohë që kuqezinjtë vuajtën disi ndryshimet në formacion.

Xhoshua King ishte protagonisti i fillimit të ndeshjes, me aksione të vazhdueshme në krahun  e djathtë, duke i shkaktuar mjaft probleme Mavrajt e Agollit, ky i fundit i pambështetur nga Rama. Shqipëria ishte në vështirësi dhe për ta nxjerrë nga situata frenat e lojës i morën në dorë dy mesfushorët qendrorë, Basha e Bulku, të cilët ishin dy lojtarët më të mirë për kuqezinjtë. Pasi Norvegjia shfryu për disa minuta, shigjeta e peshores filloi të anonte për herë e më tepër nga ana e kuqezinjve, të cilët filluan ta qarkullonin më mirë topin. Bulku ishte i kudondodhur, Agolli filloi të dilte vazhdimisht në aksione sulmuese, çka i jepte mundësi edhe Ramës të luante më I avancuar, ndërkohë që dy sulmuesit alternonin shpesh kthimet prapa, në ndihmë të mesfushës. Veçori e pjesës së parë është se të dyja skuadrat nuk arritën të krijonin raste të pastër, ndoshta duke përjashtuar momentin kur Hamdi Salihi gjuajti mbi tra pranë shtyllë, megjithatë ishte në një pozicion mjaft të vështirë dhe nën presionin e mbrojtësit kundërshtar.

Shifrat e bardha i voliteshin më tepër Shqipërisë, ndaj kuqezinjtë po luanin qetë, për ta çuar në barazim pjesën e parë. Kundër mendimit të përgjithshëm del Valdet Rama, i cili vallëzon në zonën norvegjeze me topin në këmbë, duke hyrë nga e majta. Bën sikur do të gjuajë me të djathtën, çka i humb ekuilibrin mbrojtësit dhe i jep pak më tepër hapësirë, e shtyn topin përpara dhe lëshon një gjuajtje “të pistë”, por të pakapshme për portierin, i cili vetëm sa e prek me majat e gishtave dhe Shqipëria gjen kryesimin. Shpatullat e vjetra të stadiumit “Qemal Stafa” sa nuk shemben nga vullkani i tifozerisë, e cila sheh tek shkurtohet rruga drejt Brazilit. Janë për t’u përjetuar edhe 45 minuta ankthi, sepse vikingët nuk e kanë për zakon të dorëzohen, por në të vërtetë, kur nis pjesa e dytë, vallja është ilire. Ata që qarkullojnë topin e dalin shpejt përpara janë shqiptarët dhe porta mike kalon vërtet momente të vështira. Jo pak, por katër herë kuqezinjtë kishin mundësinë të shënonin golin e dytë, çka do ta bënte të përkryer mbrëmjen.

Salihi gjuan me kokë e topi përplaset në tra, pas devijimit nga portieri, Vila gjuan në hyrje të zonës me të majtën, pas një kontrolli të shkëlqyer me gjoks, por jashtë. Më pas një goditje e lirë e ekzekutuar në mënyrë spektakolare, topi shkon te Vila që gjuan fort brenda zonës, por tund vetëm pjesën e jashtme të rrjetës, ndërsa më pas është Basha, që pas një goditjeje nga këndi, mund të kishte shënuar pesë metra larg portës, por në momentin kur zgjatet për të gjuajtur tërhiqet për fanelle nga një mbrojtës, aq sa për t’i prishur ekuilibrin. Nuk mendoi kështu, ose ndoshta nuk e pa gjyqtari skocez, në të vetmin gabim të tijin, pasi arbitroi shkëlqyeshëm. Norvegjia ndërkohë nuk krijon ASNJË rast të rrezikshëm në portën e Berishës, gjithmonë i gatshëm sa herë që topi shkon në zonën e tij.

Por aksioma e mallkuar për shqiptarët vërtitet rrotull dhe është në mendjen e të gjithëve. Minuta e 86- të, goditje këndi për Norvegjinë. Nuk ka gjë më të frikshme se sa goditjet e këndit kur luan përballë nordikëve shtatlartë. Por… ironi e fatit! Ai që gjuan me kokë e tund rrjetën është Hogli, 175 centimetra, një xhuxh për standardet norvegjeze. Një mbrëmje kaq e bukur nuk mund të përfundonte ashtu dhe kuqezinjtë hidhen përpara. Në minutën e katërt shtesë vjen rasti për ta bërë gjithçka madhështore, por topi kalon pasqyrën e portës e nuk devijohet në rrjetë. Nuk ishte e thënë, e megjithatë ëndrra vazhdon.

Share This Article
1 Comment
  • Per te gjithe ata qe jetojne ne Amerike, ndeshja ritransmetohet sot ne ESPN Deportes ne oren 4:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *